Miratohet buxheti, plani i investimeve

Guci – Në seancën e katërt të rregullt të Kuvendit të Komunës së Gucisë, të mbajtur më 29 dhjetor 2023, në sallën e komunës, në të cilën ishin të pranishëm 28 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi, u shqyrtuan dhe u miratuan një vistër propozime vendimesh, konkluzionesh, planesh e programesh të punës së organeve të vetëqeverisjes lokale, institucioneve publike dhe të organizatave që punojnë dhe veprojnë në kuadër të Komunës së Gucisë, ndër të cilat qendrore ishin: propozimi i vendimit për buxhetin dhe plani i investimeve të komunës për vitin 2024.
Para fillimit të punës së seancës, të cilën e hapi kryetari i Kuvendit, Bujar Hasangjekaj, këshilltarët e pranishëm nuk e miratuar procesverbalin nga seanca e tretë e rregullt e Kuvendit, e mbajtur më 22 nëntor 2023, ngase ca këshilltarë të PDS-së në opozitë dhanë ca vërejtje në përpilim dhe koncipim të përmbajtjes, andaj miratimin e tij e shtynë për seancën e radhës të Kuvendit në vitin 2024. Seanca pastaj vazhdoi me shqyrtimin dhe miratimin e rendit të ditës të propozuar prej 10 pikash, i cili u miratua njëzëri nga këshilltarët e pranishëm pa ndryshime dhe plotësime.
Puna e seancës sipas rendit të miratuar të ditës filloi me shqyrtimin dhe miratimin në pako të tre pikave të para që kishin të bëjnë me shkarkimin e një kryesuesi dhe të dy anëtarëve në dorëheqje paraprake të organeve të administratës lokale dhe emërimin e tre të tjerëve në vend të tyre nga subjektet politike qe u përkisnin, të cilat u miratuan njëzëri nga këshilltarët e pranishëm.
Seanca vazhdoi punën me propozimin e vendimit të buxhetit të Komunës për vitin 2024, të cilin në mënyrë koncize dhe analitike e prezantoi dhe me fjalë dhe shifra e të dhëna të bollshme e argumentoi ndihmës sekretari i Sekretariatit për Ekonomi, Zhvillim dhe Financa Rakib Radonçiq, i cili në elaborimin e vet konstruktiv ndër të tjera theksoi se buxheti është zhvillimor, i projektuar në shumën 4.248.170,00 euro dhe i ndarë në buxhet operativ në shumën 2.172.070,00 euro, në buxhet kapital në shumën 2.031.100,00 euro, në rezervë rrjedhëse të buxhetit në shumën 30.000,00 euro dhe në rezervë të përhershme të buxhetit në shumën prej 15.000,00 euro.
Planin e investimeve të Komunës për vitin 2024, të projektuar dhe koncipuar në shumën 1.628.000,00 euro, në mënyrë koncize dhe kronologjike e prezantoi dhe me shifra e fjalë dhe të dhëna të programuara e argumentoi u.d. i drejtorit të Drejtorisë për Investime dhe Rregullim të Hapësirës, Asdren Çelaj, i cili në vazhdim të elaborimit theksoi se shuma vendimtare e plan-projektit në fjalë financohet nga buxheti kapital i Komunës.
Përkitazi me buxhetin dhe planin e investimeve të Komunës së Gucisë për vitin 2024, diskutuan këshilltarët, kryesisht të opozitës, të cilët në mënyrë koncize shprehen qëndrimet e veta përmes vërejtjeve dhe sugjerimeve, e pastaj me votim të hapur këshilltarët e pranishëm i miratuan njëzëri.
Gjatë punës se mëtejme të seancës, këshilltarët me dhe pa pjesëmarrje në debat, njëzëri ose me shumicë votash “për”, shqyrtuan e pastaj edhe i miratuan edhe propozim-vendimet, konkluzionet, planet dhe programet e përfshira në rendin e ditës, të cilat i prezantuan dhe i argumentuan përpunuesit-menaxhuesit e tyre: konkluzionin për dhënien e pëlqimit Programit të punës dhe Planit financiar të SHPK “Veprimtaritë komunale” në Guci për vitin 2024, të cilin e parashtroi dhe i argumentoi u.d. i drejtorit ekzekutiv Edin Mulliq, konkluzionin për dhënien e pëlqimit Programit të punës dhe Planit financiar të IP Qendrës për Kulturë në Guci për vitin 2024, të cilin e parashtroi dhe i argumentoi u.d. e drejtorit Llejlla Balliq, konkluzionin për dhënien e pëlqimit Programit të punës dhe Planit financiar të Organizatës turistike të Gucisë për vitin 2024, të cilin e parashtroi dhe i argumentoi u.d. i drejtorit Getoar Gjonbalaj dhe Programin e punës së Kuvendit të Komunës së Gucisë për vitin 2024, të cilin e prezantoi kryetari i Kuvendit, Bujar Hasangjekaj.
Pika e fundit, e dhjeta me radhë e rendit të ditës të punës së seancës – pyetje dhe përgjigje të këshilltarëve, nuk u shqyrtua, meqë këshilltarët nuk bënë asnjë pyetje.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat