Komuna e Tuzit shpalli vitin 2023, “Viti i xhubletës”

Tuz – Me rastin e mbrojtjes së xhubletës nga UNESCO që zyrtarisht u shpall si e tillë në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Komuna e Tuzit ka vendosur që vitin 2023 ta shpallë si vitin e xhubletës, duke vlerësuar kështu rëndësinë e kësaj ngjarjeje të madhe.
Nga ky institucion kanë bërë të ditur që si trevë e cila ka bërë ruajtjen dhe kultivimin e kësaj veshjeje, shprehen krenarë që xhubleta është bërë pjesë e listës së trashëgimisë botërore, si trashëgimi kulturore jomateriale. “Xhubleta shqiptare përfaqëson veshjen më të hershme në këto treva, por njëherësh edhe tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë”, kanë njoftuar nga Komuna e Tuzit, duke u zotuar se përgjatë gjithë vitit do të zhvillojnë ngjarje dhe aktivitete të ndryshme kushtuar xhubletës.
Zgjedhjet lokale në Tuz

Në Komunën e Tuzit ditën e diel (5 mars 2023) u mbajtën zgjedhjet lokale, ku 8.245 votues, ose 66.63 për qind e shfrytëzuan të drejtën e tyre të daljes në votime, nga gjithsej 12 mijë 387 votues me të drejtë vote në 30 vendvotime. Shumicën absolute me më së shumti këshilltarë e fituan partitë që e përbëjnë “Forumin Shqiptar” (Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni Nacional Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi) – 18 këshilltarë (4.282 vota, 51.83 për qind), pasuar nga koalicioni “Rrugës së Drejtë” (Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Boshnjake, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Socialdemokratët) – 12 këshilltarë (2.755 vota, 33.35 për qind), Demokratët – 1 këshilltar (417 vota, 5.05 për qind), dhe Partia Socialdemokrate – Lëvizja për Tuz -1 këshilltar (333 vota, 1.53 për qind), ndërsa partitë e tjera që kanë garuar në këto zgjedhje nuk arritën ta kalojnë pragun zgjedhor dhe të hyjnë në kuvendin komunal.
Përurimi i sheshit (parkut) të ri të Tuzit

Tuz – Sheshi i ri i Tuzit, është hapur zyrtarisht të premten (9 qershor 2023) në prani të qytetarëve të shumtë, të përfaqësuesve të Komunës së Tuzit, të personaliteteve nga fusha të ndryshme jetësore, dhe tê modeles me famë botërore me origjinë nga Malësia, Emina Çunmulaj.
Nga Komuna e Tuzit theksuan se ky park (shesh) edhe para përurimit të tij, ka qenë i frekuentuar, përkatësisht menjëherë pas finalizimit të punimeve të kësaj hapësire e cila ndodhet në brendësi të oborrit të Gjimnazit “25 Maji” në Tuz.
“Kjo tregon edhe për vlerën e tij dhe nevojën për të pasur një vend ku të gjithë të mund të kalojnë kohën e lirë, qoftë për ecje me fëmijët, takim me shokët apo, edhe për të lexuar ndonjë libër” u tha nga Komuna e Tuzit. Ata më tutje thanë se ky park do të shfrytëzohet edhe për aktivitete të shumta përgjatë gjithë vitit.
Takimi tradicional letrar – “Shihemi te Kroni i Traboinit”

Traboin/Hot – Edicioni i katërt i takimit tradicional letrar- “Shihemi te Kroni i Traboinit” të cilin Komuna e Tuzit e organizon në kuadër të manifestimit “Vera në Malësi”, është organizuar të premten mbrëma (11 gusht 2023), pikërisht te Kroni i Traboinit, në mes të freskisë së ajrit të pastër e natyrës së virgjë, në të cilin morën pjesë poetë e shkrimtarë të njohur shqiptarë, përfaqësues të pushtetit lokal, dhe personalitete të tjera nga jeta politike, ekonomike, shkencore e shoqërore. Kjo mbrëmje letrare u moderua nga Nikollë Berishaj, ndërsa të pranishmit kishin mundësi që të njihen nga afër me krijimtarinë letrare e krijuese të poetes, shkrimtares, veprimtares humaniste dhe shoqërore, Flora Brovina, të poetes e gazetares, Donika Dabishevci, të poetit, shkrimtarit dhe dramaturgut, Gjergj Jozef Nikollës dhe të poetes e shkrimtares, Nevila Nikaj. Në nder të “Vitit të Xhubletës”, Komuna e Tuzit, për dallim nga vitet e mëparshme shpalli konkursin letrar që kishte tematikë xhubletën.
Manifestimi i përvitshëm “Takim vëllazëror me diasporën tonë“

Tuz – Komuna e Tuzit në kuadër të manifestimit “Vera në Malësi” organizoi të enjten, më 17 gusht 2023 në sheshin e ri në Tuz manifestimin tashmë tradicional, “Takim vëllazëror me diasporën tonë“ në të cilin morën pjesë numër i madh i bashkëvendësve që jetojnë dhe veprojnë nëpër vise të ndryshme të botës. Fillimisht, dy poezi nga At. Gjergj Fishta i interpretoi Agron Dizdari, aktor i Teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
Kreu i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj duke iu dëshiruar mirëseardhje vëllezërve dhe motrave nga diaspora të cilët në një numër të konsiderueshëm u bënë pjesë e këtij takimi, shpalosi arritjet e Komunës së Tuzit, veçanërisht veprimtarinë e përbashkët me diasporën për mëvetësinë e komunës.
Java e Filmit Kosovar

Komuna e Tuzit në kuadër të manifestimit “Vera në Malësi” organizoi festivalin e filmit kosovar i cili u mbajt në hapësirat e kullës së Vuksanlekajve nga data 19 deri më 23 shtator 2023. Në natën e parë, (19 shtator 2023), në prani të përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe të atij qendror dhe të një publiku të gjerë, këtë festival e shpalli të hapur ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka-Hoxha e cila tha se artdashësve në Malësi dhe më gjerë po iu prezantohen disa nga veprat e përzgjedhura të kinematografisë kosovare.
Ky festival zgjati plot pesë net, ndërsa adhuruesit e kinematografisë kishin rastin që t’i shikojnë katër filma të prodhuar në Kosovë e të cilët kanë fituar çmime prestigjioze si: “Zgjoi”, “Vera ëndërron detin”, “Zana”, dhe filmi “Në kërkim të Venerës”.
Karakteristikë e këtyre filmave të shfaqur është fakti se kanë pasur si regjisore femrat kosovare. Kjo është hera e parë që në Malësi organizohet java e filmit kosovar.
Panairi i Librit në Tuz

Komuna e Tuzit, nga data 12 deri më 15 shtator 2023, organizoi në Tuz, edicionin e katërt të Panairit të Librit, në të cilin morën pjesë rreth 30 botues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Turqia, ku u organizuan edhe disa veprimtari promovuese si: veprimtaria e Institutit Albanologjik – Prishtinë, përmbledhja me poezi “N’teh” e poetes Melita Vjerdha, botuar nga Botimet Fishta; libri “Nevoja për kombe” i autorit Roger Scruton, përkthyer në shqip nga Albert Bikaj, botim i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi; përmbledhja me poezi “Za mjegullor i liqenit n’ag” i autores Ledia Dushi nga Shkodra, një botim dygjuhësh (shqip dhe malazezisht), përkthyer nga Nikollë Berishaj, botim i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi; dhe veprimtaria e autorit nga Shkodra, Gjegj Jozef Kola, i cili jeton në Austri. Në mbyllje të Panairit të Librit, organizatori ka ndarë mirënjohje për të gjithë botuesit pjesëmarrës.
Ekspozita kolektive e karvanit artistik, “Artistët për artistët”

Tuz – Krijimtaria artistike e mbi tridhjetepesë piktorëve shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi u shpalos në hollin e QKI-së “Malësia” në Tuz, të enjten mbrëma me 28 shtator 2023, organizuar nga Komuna e Tuzit. Kjo ekspozitë kolektive e karvanit artistik “Artistët për artistët” mblodhi të gjithë shqiptarët e trojeve, ndërsa është jetësuar si nevojë e socializimeve në mes të artistëve dhe artdashësve, me qëllim kryesor të saj, që gjeneratat e vjetra të jenë urë lidhëse për gjeneratat e reja. Ekspozita kolektive “Artistët për artistët” është paraqitur një ditë më vonë, me 29 shtator në mbrëmje edhe në Komunën e Ulqinit, pikërisht në Qendrën për Kulturë në Ulqin.
t.u.