Tuz – Komuna e Tuzit organizoi të hënën mbrëma (18 dhjetor 2023) në QKI “Malësia” në Tuz, ekspozitën personale të piktorit nga Malësia, inxhinierit të makinerisë, Nikollë Lucgjonaj.
Në prani të një numrit të konsiderueshme të admiruesve të artit pamor, të figurave të tjera të jetës politike dhe publike në vend, Lucgjonaj shpalosi punime artistike të realizuara që nga vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar e deri më sot.
Autori i kësaj ekspozite, Nikollë Lucgjonaj në fjalën e rastit, duke falënderuar të pranishmit, u shpreh se përgjatë kësaj periudhe kohore, atij nuk i ka munguar as inspirimi as vullneti për të qenë kreativ. Ndërkohë, ai tha se pjesëmarrja në numër kaq të lartë e adhuruesve të artit pamor, i jep atij një shkas më tepër që të vazhdojë të krijojë në pasionin e tij.
Ndërkaq, për krijimtarinë e piktorit, Nikollë Lucgjonaj, foli Mark Lucgjonaj, i cili theksoi se në pothuajse të gjithë krijimtarinë e tij artistike, piktori Lucgjonaj, në epiqendër e ka vendlindjen e tij- Malësinë.
“Rrugëtimi i tij artistik i pikturave, është i gjatë. Në këtë ekspozitë kemi piktura të cilat datojnë që nga viti 1971. Pra, plot dyzet e tri vjet pikturë. Fillimet e pikturave të tij janë punime me laps ose me tush, që janë edhe piktura të frymëzimit dhe çastit, të cilat piktori i ka realizuar gjatë udhëtimeve të veta, ose gjatë përditshmërisë, për të kaluar më pas në pikturat në pëlhurë dhe vaj, ku Nikolla shpreh ekspresionin dhe pasionin e tij me plot sukses”, u shpreh ndër të tjera, Mark Lucgjonaj.
Ai më tutje është shprehur se arti që krijon Nikollë Lucgjonaj, është pikturë me vlera të larta artistike, ku autori në fokus ka pikturimin e peizazheve nga natyra e vendlindjes, ku vend të veçantë zë fshati i tij i lindjes, Nënhelmi me Liqenin e Shkodrës.
“Në këtë ekspozitë do të shikoni peizazhe të Kronit të Nënhelmit, pelikanëve, lundrave, këndeve të rrugëve të fshatit të tij. Pra, mund të themi se Nikolla është natyralist edhe në përdorimin e ngjyrave. Pikërisht, realizmi është edhe pika më e fortë e artit të Nikollës. Dhe kjo mund të vërehet në pikturën e tij të Vitojës, Cemit, por edhe te pikturat e natyrës së qetë”, u shpreh Lucgjonaj.
Në pikturat e Nikollë Lucgjonaj, vend të madh gjejnë edhe elementë të etnosit shqiptar e malësor, siç është rasti tek piktura malësorja me xhubletë.
“Një tjetër fushë ku piktori është sprovuar, janë portretet. Do ta veçoja portretin e Shën Nënë Terezës ku realizmi në realizimin e portreti arrin kombinacionin deri në ekspresivitet të çehres, të gjendjes shpirtërore e psikike. Ajo që bie në sy e që piktori potencon, veçanërisht te portreti në fjalë, janë duart dhe sytë, përmes të cilave piktori të fton të depërtosh deri në botën thellë shpirtërore të njerëzve realë të cilët piktori i portretizon”, tha Lucgjonaj.
Ekspozitën në fjalë e shpalli të hapur sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj e cila duke folur për piktorin Lucgjonaj, tha se ai me punën e tij të përkushtuar, u dha frymë shumë aktiviteteve kulturore në Malësi dhe jashtë saj.
“Qoftë si organizator, skenograf, ideator dhe atelier, atëherë kur Tuzi dhe Malësia nuk e kishin subjektivitetin e vet shoqëror të kurorëzuar me nivel të tashëm të vetëqeverisjes lokale, si komunë e plotë”, tha Ujkaj.
Ajo tregoi se kjo ekspozitë është mbështetur tërësisht nga Komuna e Tuzit, si projekt i zgjedhur nga juria profesioniste e komunës për ndarjen e mjeteve financiare për krijuesit në Malësi, në fushën e letërsisë, muzikës dhe artit figurativ.
“Është hera e parë që komuna jonë shpallë konkurs për mbështetjen e krijimtarisë së krijuesve tanë lokalë, me vlerë prej gjashtë mijë eurosh”, u shpreh ndër të tjera Ujkaj.
Kjo është ekspozita e katërt personale në Malësi e piktorit, Nikollë Lucgjonaj. Ekspozita qëndroi e hapur deri më 25 dhjetor 2023.
Piktori në fjalë, në vitin 2019 ishte njëri ndër pjesëmarrësit e ekspozitës kolektive të Muzeut të Arteve Bashkëkohore në Torino- Itali. Krijimtaria tij artistike është vlerësuar edhe nga piktori me famë botërore Gjelosh Gjokaj, Gjergj Ndoc Martini, etj..
Nikollë Lucgjonaj u lind në vitin 1953 në Nënhelm- Malësi. Shkollimin fillor e përfundoi në Tuz, kurse atë të mesëm dhe të lartë, në Mitrovicë, Kosovë. Në vitet e para të karrierës, punoi si mësimdhënës, kurse më vonë me themelimin e Radio-Televizionit “Teuta”, punoi si realizues dhe skenograf. Afinitetin për art e tregoi që në vitet e fëmijërisë. Ai shquhet si skenograf në shfaqjet teatrale amatore të SHKA-ve në Malësi, dhe për këtë ai disa herë është shpërblyer me çmime të para nëpër festivale republikane dhe komunale. Ai, në opusin e krijimtarisë artistike përdor disa teknika si pikturë, punime me laps, pastaj me ngjyrë dhe vaj, e veçanërisht sukses të veçantë arrin në punimin e portreteve.
t. u.
