Hapet muzeu i shkollës

Drejtoresha e Shkollës së Mesme në Ulqin, Ardita Kovaçi, ka thënë se motivi për ta realizuar një projekt të tillë ka qenë fakti që gjeneratave të reja, përpos mësimit për trashëgiminë tonë kulturore përmes librave, e kemi obligim t’u tregojmë se si duhet të ruhet dhe të vlerësohet ajo

Ulqin – Me programin muzikor të përgatitur nga mësimdhënësit dhe nxënësit, të shtunën (23 dhjetor 2023) në Shkollën e Mesme “Vëllazërim-Bashkim” u promovua përfundimi i projektit “Thesare nga tradita jonë”, i mbështetur nga Komuna e Ulqinit.
Në kuadër të këtij projekti është hapur muzeu etnografik i shkollës.
Drejtoresha e Shkollës së Mesme në Ulqin, Ardita Kovaçi, ka treguar se projekti ka filluar para tri javësh dhe për një kohë të shkurtër kanë arritur të krijojnë një muze të vogël.
“Kam kënaqësi të veçantë sot që të promovojmë një projekt të tillë, sa të rëndësishëm aq të bukur për shkollën tonë, të cilin e kemi filluar para tri javësh dhe i cili besoj do të jetë pjesë përbërëse e përhershme e shkollës sonë”, ka thënë ajo në fjalën përshëndetëse.
Kovaçi ka thënë se motivi për ta realizuar një projekt të tillë ka qenë fakti që gjeneratave të reja, përpos mësimit për trashëgiminë tonë kulturore përmes librave, e kemi obligim t’u tregojmë se si duhet të ruhet dhe të vlerësohet ajo.
Drejtoresha e Shkollës së Mesme ka falënderuar të gjithë donatorët që kanë kontribuuar duke dhuruar objekte të tyre për Muzeun Etnografik të kësaj shkolle, duke veçuar Muzeun Etnografik – Draginë me pronar familjen Kovaçi, dhe punishten “Zlatni vez” nga Podgorica.
Të pranishmit kanë ndjekur programin muzikor të realizuar nga kori i Shkollës së Mesme, nën drejtimin e profesorit të muzikës Blendi Maxharri. Ata kanë vizituar ekspozitën me fotografitë që kanë mbërritur në konkursin e realizuar në kuadër të projektit, si dhe kanë shijuar ushqimet tradicionale të përgatitura nga personeli i shkollës.

i. k.


Shpallen fituesit e konkursit fotografik

Në kuadër të projektit është hapur konkursi fotografik, ku të drejtë pjesëmarrjeje kanë pasur nxënësit e shkollave fillore dhe asaj të mesme të Ulqinit.
Juria e përbërë nga piktori dhe profesori i artit figurativ Bilal Nikezi, skenografja dhe kostumografja Jetmira Hoxha dhe gazetari Radomir Petriq nga Tivari kanë përzgjedhur fotografitë më të mira në kategoritë e shkollave fillore dhe të shkollës së mesme.
Në kategorinë e shkollave fillore, çmimi i parë i ka takuar nxënësit Edin Asllanoviq, çmimi i dytë Rona Kurtit dhe çmimi i tretë nxënëses Mikhaela Volchkova. Ndërsa në kategorinë e shkollës së mesme, fotografia më e mirë është përzgjedhur ajo e nxënëses Anesa Veliq, çmimin e dytë e ka fituar Arijan Bejta, kurse çmimin e tretë Emir Kaleziqi.
Gazetari Radomir Petriq ka thënë me rastin e ndarjes së çmimeve për fituesit e foto-konkursit se anëtarët e jurisë kanë qenë të befasuar me talentin e nxënësve pjesëmarrës në konkurs.
“Para tyre është një e ardhme e bukur, ndërsa ata janë, si të gjithë këta fëmijë, e ardhmja e këtij qyteti dhe e shtetit”, është shprehur ai.

Të fundit

më të lexuarat