
Të premten më 15 dhjetor 2023 në Galerinë e Qendrës për kulturë në Ulqin u mbajt një koncert jo i zakontë i muzikës klasike me titull “Piano duo & trio, katër & gjashtë duar”. Ky koncert u mirëprit nga publiku artdashës ulqinak të cilët për herë të parë patën rastin të shijojnë muzikën klasike me një interprtim siç u tha jo të zakontë. Në të vërtetë publiku pati rastin të ndjejë emocionet që ofronin katër dhe gjashtë duar në një piano. Apo më mirë të themi në vend të asaj të zakonshmes, dhjetë gishta në tastieret e në një pianoje, këtu publiku ulqinak pati rastin të shohë dhe përjetojë njëzet apo tridhjetë gishta njëkohësisht në tastieret e një pianoje. Nën intrpretimin e profesoreshave Florita Raifi Ajdini, Nezahate Shala Zeka dhe Zana Badivuku Basha të pranishmit patën rastin të kënaqen me pjesë të përzgjedhura me shumë shije. Tri pianistet realizuan këtë koncert duo dhe trio duke interpretuar pjesë nga Chaminade, Debussy, Ravel, Rachmaninoff por edhe të dy kompozitorëve kosovarë si Dafina Zeqiri Nushi dhe Musa Piperku (aranzhoi Kershnik Aliçkaj).
Koncerti “Piano duo & trio, katër & gjashtë duar” filloi me pjesë romantike të opusit 55 të Cecile Chaminade nën interpretimin e profesoreshave Nezahate dhe Zana, duke vazhduar me Pettite suite të Clode Debussy (Florita dhe Nezahate) dhe kësisoji publiku tashmë i magjepsur iu lëshua krahëve muzikorë dhe shijoi edhe Maurice Ravel, Sergei Rachmaninoff gjithmonë nën ekzekutimin e dy prej profesoreshave.
Publiku ulqinak pati nderin të shijojnë edhe premierën e veprës së kompozitores Dafina Zeqiri-Nushi me titull Fantasy & fugue nën interpretimin e Florita Ajdinit dhe Nezahate Zekës. Vlen të përmendet se Dafina është kompozitore e re me një opus serioz krijimesh muzikore.
Në vazhdën e kompozitorëve kosovarë radha i erdhi edhe “Pranverës në Prishtinë” të kompozitorit të mirënjohur Musa Piperkut e nën aranzhimin e Kreshnik Aliçkaj.
Kulmi i mbrëmjes u arrit me interpretimin e dy pjesëve për gjashtë duar. Pra, së bashku të tri artisteve në një piano, gjashtë duar në një piano, të pjesëve Vals dhe Romancë të Sergei Rachmaninoff.
Gjashtëdhjetë minuta fluturuan sikurse të ishin gjashtë minuta. Të gjithë të pranishmit ishin të magjepsur dhe zemrat e të gjithëve rrihnin më shpejtë. Të entuziazmuar me interpretimin dhe pikët muzikore ishin edhe dy nxënësit të shkollës së muzikës së Ulqinit të cilët ishin të vetmit përfaqësues të kësaj shkolle.
Muzka klasike kjo shprehje emocionale përmes tingujve, u prit dhe u përmbyll me duartrokitje dhe emocione të mëdha. Jemi dëshmitarë të një kohe ku jeta e përditëshme është mjaftë dinamike andaj edhe kjo ngjarje kulturore do të mbetet një kohë të gjatë në kujtesën e artdashësve ulqinakë. Ulqinakët shijuan një tablo të pikturuar me ngjyra muzikore përmes të cilës ndjen dhe udhëtuan në kohë, det, mitologji. Përjetuan zanat e ullishës, natyrën, shiun, dashurinë dhe letërsinë përmes një koncerti magjeps.
Publiku përmes duartrokitjeve mbështeti, mirëpriti dhe shprehu emocionet më pozitive që përjetuan në këtë koncert dhe ishin shumë mirënjohës kësaj treshje artistike që ua dhanë mundësinë të përjetojë atë çka përjetuan në ato gjashtëdhjetë minuta.
Florita Raifi Ajdini, Nezahate Shala Zeka dhe Zana Badivuku Basha janë profesoresha në Fakultetin e Arteve të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë dhe në Ulqin performuan të njejtin repertoar muzikor sikurse ai i koncertit në Tetovë që kishin në muajin nëntor.
