Në kuadër të projektit “Qytetarisht dhe vullnetarisht – politika gjinore aktive për Ulqinin”, Organizata Joqeveritare “Punta Institute” organizoi të hënën mbrëma (11 dhjetor 2023) në bibliotekën e shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë takim me regjisoren Edina Mustafiq – Avdiu, si pjesë e ciklit kushtuar femrave të suksesshme në fushën e artit dhe kulturës.
Në bashkëbisedim me udhëheqësen e takimit, Vjollca Lika – Çobaj, regjisorja ka folur për jetën dhe rrugëtimin e saj artistik që nga fëmijëria e deri në ditët e sotme. Çobaj ka thënë se e kanë përzgjedhur regjisoren e re për këtë takim për të parë rolin e femrës, peripecitë, sfidat që ajo has në jetën dhe punën e përditshme kur flasim për art dhe kulturë.
Hapat e parë në fushën e artit dhe nxitja për teatrin
Regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu ka treguar se hapat e parë në fushën e artit i ka bërë si gjimnaziste, kur është marrë me vallëzim, dhe se çfarë ka qenë vendimtare në zgjedhjen e saj për të studiuar regji teatri.
“E kam admiruar gjithmonë skenën. Kam qenë valltare dhe gjithmonë kam pasur dëshirë kontaktin me publikun. Mirëpo më vonë duke menduar se cili do të jetë ai rrugëtim që do t’na përcillte gjithë jetën, e kam parë që në njëfarë forme i mungon qytetit tonë diçka që nuk është vetëm valle, nuk është vetëm muzikë etj., por ka edhe frymën e teatrit, aktrimit. Por atëherë, për fat të keq, ne nuk i kemi pasur kushtet që të dimë më tepër për teatrin. Dhe thashë po provoj”, ka pohuar ajo, duke shtuar se në rrugën e zgjedhur nuk do të kishte arritur sukses pa përkrahjen në radhë të parë të familjes, miqve, shokëve, rrethit.
Regjisorja ka thënë se edhe sot është vështirë për ata të rinj që zgjedhin të studiojnë artin, por para dhjetë vjetësh, kur ajo ka filluar studimet, ka qenë edhe më e vështirë, por ka pasur përkrahjen e parezervë të familjes.
“Edhe sot është vështirë, por para dhjetë vjetëve ka qenë edhe më e vështirë, në kuptimin që nuk e ke ditur se ku po shkojmë, çka po marrim, a do të kthehemi dhe nëse kthehemi, çfarë na pret? Por çka është e mirë, familja nuk e ka përcjellë kurrë tek unë atë pasiguri, por gjithmonë me përkrahje, me motivin që po, Ulqini është ai që do t’i mirëpresë të rinjtë tanë në çfarëdolloj fushe”, ka thënë Mustafiq – Avdiu.
Sfida e parë – si të thuash se vjen nga një qytet pa teatër?!
Sfida e parë pas regjistrimit të studimeve, sipas regjisores, ka qenë ballafaqimi me kolegët e vet të cilët vinin nga qytete të tjera të Kosovës.
“Ti vjen nga një qytet që nuk ka teatër. Ata, kolegët tuaj të Prishtinës, Pejës, Prizrenit etj., nuk e besojnë që Ulqini me një pasuri të madhe natyrore nuk ka teatër. Dhe kjo është sfida e parë. Ata, sadokudo i kanë bërë ato hapat e parë, të cilët ne është dashur t’i kalojmë njëherë që t’i arrijmë ata”, ka thënë Mustafiq – Avdiu.
Shfaqja e parë, diplomimi…
Shfaqjen e parë e ka realizuar kur akoma ishte studente në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në Festivalin “Skena Verore”, i cili mbahet gjatë verës në Ulqin, në vitin 2018 ka vënë në skenë shfaqjen pa tekst “Në heshtje”.
Pas kësaj, si pjesë e diplomimit ka vendosur në skenë në Ulqin, po në vitin 2018, shfaqjen “Hajdutët nuk vijnë gjithmonë për të keq”. Diplomimi i studentëve të Fakultetit të Arteve në Prishtinë bëhet zakonisht në teatrot e këtij qyteti, por ishte dëshira dhe kërkesa e saj për t’u paraqitur me shfaqje para publikut të qytetit të saj Ulqinit.
“Zakonisht diplomimi bëhet në mjediset e teatrove në Prishtinë, por unë i kërkova profesorit me pretekstin që hajde më vlerëso me këta miqtë e mi, me këta artistët e Ulqinit, me këta me të cilët unë do të punoj gjatë gjithë jetës sime… Krejt kjo që nesër të dalim para publikut tonë dhe t’i tregojmë këtij qyteti që edhe ne dimë të punojmë ashtu siç punon edhe rajoni – Shqipëria, Kosova, por edhe bota, pse jo”, ka theksuar Mustafiq – Avdiu.
Kjo shfaqje ishte dëshmi se ajo kishte zgjedhur profesionin e duhur dhe marrjen e vendimit për t’u kthyer për të kontribuuar në vendin e vet.
“Për mua atë natë kanë qenë emocionet e diplomimit, të përfundoj, të dal me sukses përpara profesorëve. Mirëpo kur u hapën perdet, kur i gjithë publiku, gati i gjithë qyteti ka qenë atë natë, një numër i madh i të pranishmëve, kam thënë: po, ne kemi të ardhme këtu. Dhe ajo ka qenë për mua shtysë, por edhe rezultati ynë gjatë gjithë atyre viteve të studimeve, sakrificave, mëdyshjeve, luhatjeve. Po, ne duhet të vijmë në qytetin tonë dhe të japim maksimumin në këtë vend”, ka thënë regjisorja.
Kthimi në Ulqin, themelimi i Teatrit “Teuta” dhe Teatrit për Fëmijë
Pas kthimit në Ulqin, bashkë me disa adhurues të tjerë të aktrimit ka themeluar Teatrin “Teuta” dhe në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë fillon punën Teatri për Fëmijë, i udhëhequr prej saj.
Në vitin 2018 ka qenë pjesë e programit të shkëmbimit të përvojave “Ndryshimi shoqëror përmes artit”, ku për një muaj ka qëndruar në vizitë studimore në SHBA si artiste nga Mali i Zi.
Regjisorja ka folur edhe për bashkëpunimin me dy kolegët e saj më të ngushtë, skenografen dhe kostumografen Jetmira Hoxha dhe aktorin Bashkim Alaj, me të cilët ka realizuar disa shfaqje të llojit stand up komedi “Sy n’Sy” si dhe për shfaqjet tjera të vendosura në skenë, si komedia “Pallati 176” dhe shfaqja “Mbretëresha e kurorës së mallkuar”, premiera e së cilës është shfaqur në muajin shtator në Kriporen e Ulqinit dhe që i kushtohet pikërisht fatit të keq të kësaj ndërmarrjeje.
Në pyetjen se nëse ka menduar që të realizojë në të ardhmen ndonjë shfaqje që prek problemet e barazisë gjinore, pjesëmarrjen e gruas në jetën publike, përfaqësimin e tyre në institucione, në jetën politike etj., Mustafiq – Avdiu ka thënë se deri tani në shfaqjet e tyre kanë trajtuar tema pak më të lehta dhe më të kapshme për publikun dhe se përzgjedhja e shfaqjes përbën një sfidë.
“Është pak a shumë edhe për ne sfidë se çfarë do t’i sjellim publikut, sepse edhe publiku mund ndoshta të keqkuptojë. Ka tema të ndryshme, ka tekste shumë të bukura që përçojnë mesazhe të ndryshme dhe ndoshta ndonjëherë mund të jenë për dikë vulgare, të papranueshme. Jemi ende duke u forcuar, që pastaj të marrim edhe tema më serioze, siç është edhe barazia gjinore”, është shprehur ajo.
Gjatë takimit regjisorja është përgjigjur edhe në pyetjet e nxënëseve të shkollës fillore “Bedri Elezaga”, ndërsa Blerta Kurti dhe Albana Zeçeviq kanë deklamuar pjesë të tekstit nga shfaqja “Mbretëresha e kurorës së mallkuar”.
Edina Mustafiq – Avdiu ka mbaruar studimet për regji teatri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Punon në Qendrën e Kulturës në Ulqin, ku aktualisht është udhëheqëse artistike. Deri tani ka vënë në skenë disa shfaqje dhe është pjesë e aktiviteteve të ndryshme artistike dhe kulturore që organizohen në qytetin e Ulqinit.
Takimi është organizuar në kuadër të projektit të cilin OJQ “Punta Institute” e realizon si pjesë e programit “Organizatat e shoqërisë civile në Mal të Zi – nga shërbimet bazë deri te formësimi i politikave – M’Base”, në bashkëpunim me Qendrën për Edukim Qytetar, fondacionin gjerman “Fiedrich Ebert”, OJQ “Qendra për Mbrojtjen dhe Hulumtimin e Shpezëve të Malit të Zi”, OJQ “Rrjeti Politikon”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancim të Ministrisë së Administratës Publike.
i. k.
Mbrëmje e veçantë kushtuar femrës
Në emër të organizatorit, pjesëmarrëset i ka përshëndetur Hadixha Gjoni.
Ajo ka thënë se kjo është një mbrëmje e veçantë kur bëhet fjalë për femrën nga Ulqini.
“Ky është një kontribut i avancimit të femrës në përgjithësi, të jetë e pranishme në këtë skenë kaq të mrekullueshme”, ka theksuar Gjoni, duke shtuar se prania e vajzave të reja dhe nxënëseve në takim tregon se femrën në të ardhmen e pret një ardhmëri më e mirë dhe më e suksesshme.
