Tuz – 15 Dhjetori- Dita e Çlirimit të Tuzit, (1944), u përkujtua të premten nga Komuna e Tuzit me një solemnitet i cili u zhvillua në QKI “Malësia”, në prani të përfaqësuesve të Komunës së Tuzit, të institucioneve të shumta, të korit diplomatik në Mal të Zi dhe të figurave nga fusha të ndryshme jetësore.
Pas ekzekutimit të himnit të Malit të Zi dhe të Shqipërisë, të pranishmëve iu drejtua kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj i cili, duke uruar 15 Dhjetorin, Ditën e Çlirimit të Tuzit, theksoi rëndësinë e kësaj date historike.
“Të jesh në anën e duhur të historisë, është gjithmonë sfidë, mençuri, por shpeshherë edhe trimëri. Veçanërisht kjo del në pah kur në gjeopolitikën globale ndodhin gjëra që përcaktojnë fatin e historive të mëtutjeshme të njerëzimit. Gjenerata e të parëve tanë, me mish e me shpirt luftoi për arritjet tona të sotme. Është gjenerata e atyre që i quajmë çlirimtarë dhe përkulemi me pietetin më të madh njerëzor, duke i përkujtuar në ditën e sotme, Ditën e Çlirimit të Tuzit nga ideologjia fashiste dhe naziste që kishin kapluar botën e atëhershme”, u shpreh Kajoshaj. Ai më tutje tha se “ne jemi të detyruar që për sakrificat e tyre, t’i përkujtojmë ata, deri edhe me jetë “.
Ndërkohë, kreu i Kuvendit të Komunës së Tuzit u zotua se do të jenë përherë krah atyre që iu besuan udhëheqjen e Komunës së Tuzit, pavarësisht ideologjive të tyre.
“Gjithmonë duhet theksuar se Malësia nuk është vetëm këtu, sepse më shumë se dy të tretat i takojnë asaj Malësi që është në mërgim dhe që në çdo rast me mend e me zemër e ndihmojnë vendlindjen. Kemi qenë dhe jemi gjithmonë të hapur për ide, propozime, por edhe kritika, sepse vetëm duke bashkëpunuar, mund ta çojmë Malësinë aty ku ajo e meriton” u shpreh Kajoshaj.
Ndarja e Çmimit “15
Dhjetori” për vitin 2023
Në këtë solemnitet Komuna e Tuzit ndau Çmimin, “15 Dhjetori”, për vitin 2023.
Me vendim të jurisë së emëruar nga Kuvendi i Komunës së Tuzit, me kryetar, Rrok Berishajn, Çmimi “15 Dhjetori”, iu nda Evald Krniqit, për: “Arritjet në fushën e sportit- kërcimet së larti- promovimi i Komunës së Tuzit në garat kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Ndërkaq fituesi i këtij çmimi, Evald Krniq, duke e konsideruar këtë çmim, të rëndësishëm, tha se atë ua kushton luftëtarëve të rënë të cilët kanë luftuar për çlirimin e këtij qyteti.
“Dhe patjetër gjeneratave të ardhshme, si stimulim për të ruajtur traditën tonë”, u shpreh Krniq. Në këtë solemnitet, me një pikë muzikore në violinë, ekzekutoi violinisti nga Malësia, Mateo Nicaj.
Kujtojmë se vitin e kaluar, Çmimi, “15 Dhjetori”, iu dha, Dr. Halil Dukoviqit, “Për kontributin në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe avancimit të zhvillimit shoqëror në Komunën e Tuzit”.
t. u.