Deklarata universale mbi të drejtat e njeriut

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënon çdo vit, më 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, ditë kjo që na kujton datën kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar në vitin 1948 Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, duke shpallur botërisht se parimet e kësaj deklarate janë, “Standarde të përbashkëta për t’u realizuar dhe zbatuar nga të gjithë popujt dhe të gjitha kombet”. Kjo deklaratë në tërësi, ndoshta si asnjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare, potencon se të gjithë njerëzit pa dallim, kanë lindur të lirë, me dinjitet, me të drejta dhe liri të barabarta – një ide kjo që në sipërfaqe duket e thjeshtë, por është mjaft radikale në kuptimin dhe zbatimin e saj. Ky vit pra, shënon 75 vjetorin e kësaj Deklarate të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 10 dhjetor, 1948, në Paris. Gjatë këtij përvjetori, OKB-ja po shqyrton ndikimin e këtij dokumenti të rëndësishëm në historinë njerëzore dhe në jetën e përditshme të njerëzve, anembanë botës. Sipas OKB-së, lëvizja për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka shënuar përparime të dukshme gjatë 75 vjetëve të kaluara, por, fatkeqësisht, edhe abuzimet me të drejtat e njeriut vazhdojnë me një ritëm të vazhdueshëm, anembanë botës.
Prandaj, ky përvjetor i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, është një rast i mirë, jo vetëm për të lartësuar sukseset e arritura, por edhe për t’u angazhuar rishtas ndaj respektimit dhe zbatimit të parimeve të përmbledhura në 30 artikujt e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut. Ashtu siç thuhet në parathënien e këtij dokumenti, “Njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë pjesëtarëve të familjes njerëzore, është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”.
“Struktura e paqes në botë nuk mund të jetë detyrë e vetëm një personi, ose një partie, ose një kombi. Duhet të jetë një paqe që mbështetet në përpjekjet e përbashkëta të mbarë botës”, Eleanor Ruzvelt.
Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut na jep të drejtë dhe obligim, secilit prej nesh, jo vetëm që të mbrojmë të drejtat tona njerëzore, por edhe të drejtat e të tjerëve. Si një frymëzim për të mbështetur të drejtat e njeriut për veten dhe për të tjerët, ju sjellim më poshtë, në këtë 75 vjetor, Deklaratën e plotë Universale mbi të Drejtat e Njeriut, si një dokument i gjallë, sa universal për nga hapësira, aq edhe i rëndësishëm për çdo individ dhe shoqëri njëkohësisht, sipas OKB-së, edhe dokumenti më i përkthyer në botë, në më shumë se 500-gjuhë të ndryshme.
Ashtu si gjatë viteve, OKB-ja u ka bërë thirrje të gjithë popujve dhe shteteve anëtare të mbajnë përgjegjëse qeveritë e tyre për zbatimin e këtyre të drejtave, jo vetëm në këtë 75 vjetor të miratimit të Deklaratës, por edhe në përvjetorë të tjerë, për të gjithë njerëzit pa dallim dhe për 365 ditët e vitit. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë gjatë më shumë se një gjysmë shekulli, që prej miratimit të saj më 10 dhjetor, 1948 — diskrediton tiranitë e sotme dhe ato të shekullit të kaluar që i kanë shkelur brutalisht këto të drejta, regjime diktatoriale si komunizmin dhe fashizmin, si dhe diskriminimet, krimet dhe abuzimin e këtyre të drejtave ndaj personave ose grupe personash, sepse vetëm e vetëm, nuk pajtoheshin me këto ideologji.
Bota shqiptare, fatkeqësisht, nuk dallohet shumë as për mirë, për kujtimin e përvjetorëve të tillë të datave ndërkombëtare në mbështetje të drejtave të njeriut dhe të viktimave të komunizmit. Por, në qoftë se autoritetet, si në Shqipëri ashtu edhe në Republikën e Kosovës, përfillin thirrjen e OKB-së për të shënuar, jo vetëm këtë përvjetor, por edhe për të promovuar çdo ditë të vitit këto të drejta bazë të njeriut “për të gjithë dhe përgjithmonë”, dhe pa dallim atëherë, ky përvjetor duhet të shikohet jo vetëm nga realiteti i sotëm, por edhe nga një perspektiva historike e së kaluarës. Fryma e Deklaratës Universale e të Drejtave të Njeriut, duhet të frymëzojë në këtë 75 vjetor të miratimit të saj, promovimin e këtyre të drejtave sot, por duhet të shërbejë edhe si një rast për të kujtuar gjithashtu shkeljet dhe dhunën serioze ndaj këtyre të drejtave bazë të njeriut, në të kaluarën dhe sot, ndaj mijëra viktimave shqiptare të regjimeve shtypëse komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë, ashtu që të pakën viktimat që janë ende gjallë, më në fund, pas vuajtjeve të shumta, ta ndjejnë veten se janë pjesë e pandarë e shoqërisë shqiptare dhe se të pakën tani 30 e sa vjet pas shembjes së komunizmit dhe pavarësisë së Kosovës, të gëzojnë të drejta të barabarta, dinjitet dhe liri të plotë, për veten dhe për familjet e tyre, në krahasim me të tjerët, ashtu siç bëhet thirrje në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut. E kam thëne shpesh dhe vazhdoj ta theksoj se trajtimi dhe ndriçimi i këtyre krimeve ndaj viktimave të komunizmit dhe i shkeljeve të drejtave të njeriut atyre dhe familjeve të tyre, do të çonte drejtë një shoqërie më të hapur dhe më normale për shqiptarët, në pajtim me vetveten, me njëri-tjetrin dhe me të tjerët. Mostrajtimi dhe moszbardhja e kësaj historie tragjike gjysmëshekullore për shoqërinë shqiptare vazhdon ta mbajë atë në një ngërç konfliktesh politike dhe ekonomike deri në ditët e sotme. Është e nevojshme, pra që trajtimi i krimeve të regjimit komunist dhe krimet kundër shqiptarëve në trojet e veta në përgjithësi nga regjimet komuniste sllave, nga pikëpamja e shkeljes së të drejtave bazë të njeriut të konsiderohet brenda kontekstit të këtyre parimeve dhe të drejtave universale të Deklaratës mbi të Drejtat e Njeriut. Një gjë e tillë do t’i shërbente jo vetëm të vërtetës historike, por edhe lartësimit të nderit dhe interesit kombëtar të shqiptarëve. Le të jetë ky një angazhim nga të gjithë pa dallim në këtë 70-vjetor të miratimit të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut. Sepse, siç është shprehur edhe Eleanor Roosvelt, arkitektja e kësaj Deklarate, “Në fund të fundit, ku fillon zbatimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut? Fillon në vende të vogla dhe në hapësirën ku jetojmë, e të cilat mund të jenë aq të vogla saqë nuk mund të dallohen as në ndonjë hartë të botës. Në qoftë se këto të drejta nuk kanë ndonjë domethënie dhe rëndësi atje ku jetojmë, atëherë ato nuk kanë rëndësi askund tjetër. Pa një angazhim të përbashkët të qytetarëve, në mbështetje dhe në mbrojtje të këtyre të drejtave njerëzore aty në rrethin ku jetojnë ata, atëherë presim më kot që këto të drejta universale të njeriut të zbatohen në botën më të gjerë”, ka theksuar Eleanor Roosevelt.
Më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, tekstin e plotë të së cilës po e botojmë në faqet që vijojnë. Mbas këtij akti historik, Asambleja ka ftuar me atë rast të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, paraqitet, lexohet dhe të shpjegohet, sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukuese, në të gjitha vendet dhe shtetet anëtare, pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

DEKLARATA E PËRGJITHSHME MBI TË DREJTAT E NJERIUT
HYRJE
Mbasi njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë;
mbasi mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut ka çuar drejt akteve barbare, të cilat kanë ofenduar ndërgjegjen e njerëzimit, dhe mbasi krijimi i botës në të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës, të besimit dhe lirinë nga frika e skamja është proklamuar si dëshira më e lartë e çdo njeriu;
mbasi është e nevojshme që të drejtat e njeriut të mbrohen me dispozita juridike, kështu që njeriu të mos jetë i shtrënguar që në pikën e fundit t’i përvishet kryengritjes kundër tiranisë dhe shtypjes;
mbasi është e nevojshme që të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis kombeve;
mbasi popujt e Kombeve të Bashkuara vërtetuan përsëri në Kartë besimin e tyre në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerën e personit të njeriut dhe barazinë midis burrave dhe grave
dhe mbasi vendosën që të nxitin përparimin shoqëror dhe të përmirësojnë nivelin e jetës në liri të plotë; mbasi shtetet anëtare u detyruan që, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, të sigurojnë respektimin e përgjithshëm dhe zbatimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore;
mbasi kuptimi i përbashkët i këtyre të drejtave dhe lirive është më i rëndësishëm për realizimin e plotë të këtij detyrimi: Nenet e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut:
Neni 1. Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi.
Neni 2. Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh për sa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër. Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës ose që gjendet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit.
Neni 3. Gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak.
Neni 4. Asnjeri nuk duhet të mbahet si skllav ose çifçi; skllavëria dhe tregtia e skllevërve janë të ndaluara në të gjitha format.
Neni 5. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit, veprimit ose dënimit të egër, jonjerëzor ose poshtërues.
Neni 6. Gjithkush ka të drejtë që t’i njihet kudo personaliteti juridik.
Neni 7. Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë pa asnjë diskriminim të mbrohen barabar nga ligji. Të gjithë kanë të drejtën për t’u mbrojtur barabar kundër çdo diskriminimi që cenon këtë Deklaratë, si dhe kundër çdo nxitje për një diskriminim të tillë.
Neni 8. Gjithkush ka të drejtë për mjete juridike të frytshme para gjykatave kompetente kombëtare për veprimet me të cilat shkelen të drejtat themelore të garantuara nga kushtetuta ose ligjet.
Neni 9. Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose internimit.
(Vijon)

Të fundit

më të lexuarat