“Ruajtja e vlerave të trashigimisëkulturore të Krajës”

Ali Gjeçbritaj

Gjatë periudhës kohore në kohëzgjatje janar- gusht 2023, në Krajë me sukses është realizuar projekti “Ruajtja e vlerave të trashëgimisë kulturore të Krajës. Projekti në fjalë është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
Qëllimi kryesor i këtij projekti ka qenë nxitja dhe fuqizimi i gruas krajane pa dallim moshe, profesioni e pozite shoqërore, që të njihen, mësojnë dhe të përcjellin brez pas brezi trashëgiminë e kulturës popullore, traditën, ritet e dasmës së Krajës, gastronominë autoktone, etnografinë e shumë të tjera që kanë lënë gjurmë ndër breza gjatë viteve. Duke pasur parasysh se globalizmi po i përpin shumë tradita, zakone e rite të kësaj ane dhe jo vetëm, ruajtja e vlerave të trashëgimisë popullore paraqesin një dëshmi të fortë për zhvillimin e jetës në këtë truall ndër shekuj. Zaten edhe projekti i realizuar, siç duket e ka përmbushur këtë të themi mision thonë pjesëmarrësit që ishin pjesë e tij. Këto dhe të tjera si këto u trajtuan në projekt. Gjatë realizimit siç mësohet pjesëmarrëset me përkushtim punuan dhe po veprojnë edhe në terren që më fanatizëm ta ruajnë këtë begati të rrallë të trashëgimisë kulturore në Krajë. Gjatë punëtorive që u organizuan këtu u bë fjalë dhe u demonstruan imazhe siç bie fjala nga tradita e Dasmës së Krajës, ku u mbajtën edhe biseda dhe sqarime nga gra më të moshuara që kanë qenë protagoniste të këtyre riteve, këngëve e valleve popullore që janë kultivuar në Krajë në ceremonitë familjare, veshjeve dhe karakteristikave të saj etj..
Nga ana tjetër, është bërë fjalë edhe për gastronominë vendase, mënyrën e të gatuarit trdicional dhe të ushqyerit ndër vite në sofrën kranjane etj..
Në kuadër të projekti janë organizuar tetë takime, pothuaj një në çdo muaj. Është realizuar edhe një vizitë studimore në Muzeun Etnografik në Draginë, në Anë të Malit. Takimi përmbyllës është organizuar në restorantin “Votra” në Ostros, në të cilin u demonstruan ushqimet tradicionale të Krajës. Në secilin takim, emërues i përbashkët ka qenë ruajtja, kultivimi dhe trashëgimia e traditës në shumë fusha të veprimtarisë jetësore në Krajë. Fuqizimi i kësaj tradite tek gratë e Krajës pa dallim moshe, pozite shoqërore, profesioni, në mënyrë që trashëgimia, kultivimi i traditës dhe ruajtja e saj te përcillet te brezi i ri.
Koordinatorja e projektit Senada Ramusheviqi falënderon Fondin për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi për mbështetjen e projektit, siç shprehet ajo “ndoshta i vogël por me vlera shumëdimensionale për gratë e Krajës” dhe shton:” Ky projekt duhet të ndikojë për mirë te gratë krajane pa dallim moshe, pozite, profesioni etj., që të nxisë dëshirën dhe respektin, të jetë motivim i të rejave krajane për traditën tonë. Gratë kanë ardhur me shumë dëshirë te restoranti “Votra”, ku edhe u bë realizimi i këtij projekti sepse në sallën e këtij restoranti kemi hasur shumë punime tradicionale dhe ka qenë vendi më i përshtatshëm për realizimin e projektit. Këtu u bë edhe takimi përmbyllës. Kemi folur për gjurmët që na lënë brezat ndër shekuj e që vërehen lehtë në çdo cep të Krajës, në gurë të gdhendur, rrugë kalldrëme, mure të shtëpive, në enë e vegla pune të ndryshme etj.. Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar punës së dorës si dhe pajës se nuseve, të punuar me dorë dhe në tezgjah. Kemi analizuar veshjen krajane, pjesë të grumbulluara nga gratë ku vërejtëm figura të ndryshme si dielli, gjarpri, që simbolizojnë hyjnitë dhe besimin pagan. Kemi folur për këngët dhe vallet, traditën e dasmës së Krajës. Nuk kemi lënë pa përmendur personalitete të shquara të artit dhe kulturës që i ka rritur djepi i Krajës. As gastronominë krajane nuk e kemi lënë pas dore. Kam kënaqësinë të përshëndes të gjitha gratë që u bënë pjesë e këtij projekti dhe kam një mesazh për te gjitha kranjanet: Ta vlerësojmë traditën tonë që të tjerët të na vlerësojnë”.

Të fundit

më të lexuarat