Vitin që vjen dua…

Gjersa po përpiqem të gjej një hyrje të denjë për këtë temë, nuk kanë si mos të më bien ndërmend gjithë atë njerëz që do të fillojnë me frazën e famshme në vitin 2024: Do të bëj këtë apo atë…. Edhe pak ditë na ndajnë nga Viti i Ri dhe qëllimet e reja që i vendosim vetes, por disi harrojmë se edhe në vitin që lamë pas kishim qëllime, të cilat mbase i plotësuam pjesërisht, por asnjëherë plotësisht, sepse vetë jeta të sjellë momente befasuese. Vitin që po e lë pas do ta kujtoj për çaste trishtimi, çaste sfide dhe çaste të vogla lumturie. Që jeta është një balancë këtë tashmë e dimë, që nuk mund të dimë vlerën e së mirës pa e humbur atë një herë. Një mike iku para kohe nga kjo jetë, një luftë tjetër shpërtheu, më falni, një luftë që kishte vite që bëhej, thjesht këtë vit mori famë mediatike (Palestinë-Israel), për të lënë nën hije luftën tjetër (Rusi-Ukrainë), gjithandej pasiguri vrasje e frikë, femicide që vazhdojnë e nuk duket gjëkundi se do të kenë mbarime. E nuk kam si të mos e vras mendjen për gjithë ato jetë të vrara KOT. Sikur jeta të mos ishte e vështirë mjaftueshëm nga sëmundjet, e uria, fatkeqësitë natyrore dhe NJERIU MONSTËR guxon të çohet e të vendosë mbi fatin e të tjerëve! E urrej të shoh frazën: Këtë vit do të bëj dietë, palestër etj., në djall, harrojnë për të qenë mirënjohës ndaj asaj që kanë, harrojnë se ndoshta vitin tjetër as nuk do ta presin dhe çajnë kokën për gjëra të vogla pa asnjë vlerë. Kështu që ky vit, mes të tjerash, qe një vit sfidues në shumë aspekte, sfidë për tu përshtatur me situata të pamundura, për t’i pranuar ato ashtu siç janë, sepse në fund të fundit jemi njerëz dhe dështimet, humbjet janë pjesë e jona. Çaste e lumturisë le të themi se ishin të mjaftueshme sa për ta mbajtur optimizmin për një vit më të mirë, sa të mos e lëmë këtë shkrim krejt të zi. Vitin që vjen dua vetëm një gjë: PAQE për gjithë BOTËN dhe asgjë tjetër!!

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat