Tuz – Organizata Joqeveritare ‘’Fëmijët e Malit të Zi’’ kremtoi Ditën Botërore të Fëmijëve dhe organizoi mbrëmjen e donatorëve, ku u grumbulluan afro njëmijë e pesëqind euro, të holla këto të cilat, kjo organizatë do t’i destinojë për shërbimin e mbështetjes për fëmijët me pengesa në zhvillim, në Komunën e Tuzit.
Ky aktivitet, me moton “Paqe dhe më shumë dashuri në botë” u mbajt më 20 nëntor 2023, në QKI “Malësia”, në prani të prindërve, fëmijëve, nxënësve nga shkollat fillore dhe të mesme në Tuz dhe të një publiku të gjerë.
Para fillimit të një programi të larmishëm letrar, kulturor dhe artistik, organizatorët mbajtën një minutë heshtje për fëmijët që po vdesin në luftëra, për ata të Palestinës, Ukrainës dhe për të gjithë fëmijët e tjerë të cilët po vdesin, të pafajshëm nëpër botë.
Nga kjo organizatë joqeveritare theksuan se ky aktivitet synon ndërgjegjësimin e të rriturve, se fëmijët janë të rëndësishëm dhe se të drejtat e tyre duhen respektuar.
Drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Fëmijët e Malit të Zi’’, znj. Sabra Deceviq, duke falënderuar të pranishmit në sallë, uroi Ditën Botërore të Fëmijëve, me shpresën që të gjithë fëmijët e botës do të kenë një jetë më të mirë, në çdo aspekt.
“Uroj që luftërat të ndalen, që të mos ketë fëmijë të uritur, që fëmijët të mund të gëzojnë lirinë, që të mos kenë nevojë të lypin dhe të jenë viktima të trafikimit, apo të shfrytëzohen për punë. Sot në mbarë botën, por edhe në Mal të Zi, festohet Dita Botërore e Fëmijëve. Kjo është dita kur u miratua Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, dokumenti më i ratifikuar i të Drejtave të Njeriut në histori“, u shpreh Deceviq.
Ajo ndër të tjera theksoi se situata e sotme në botë, kur bëhet fjalë për respektimit e të drejtave të fëmijëve, në radhë të parë fatkeqësia humanitare në Gaza, i bën shumë të ndjeshëm dhe të pafuqishëm për të ndërmarrë ndonjë veprim si individë në drejtim të ndalimit të luftës dhe vrasjes së fëmijëve të pafajshëm.
“Por, është e rëndësishme që secili nga ne të shprehë qëndrimin personal kundër vrasjes së fëmijëve dhe civilëve të pafajshëm. Të gjithë fëmijët duhet të kenë të gjitha të drejtat nga kjo Konventë, pavarësisht se kush janë, ku jetojnë, çfarë punojnë prindërit e tyre, nëse janë të varfër apo të pasur, çfarë gjuhe flasin, cilës fe apo kulturë i përkasin, apo nëse kanë aftësi të kufizuara në zhvillim. Dhe a është situata ashtu siç duhet të jetë dhe për çfarë si shtet kemi pranuar se do ta plotësojmë? Mund ta gjykoni vetë“, u shpreh drejtoresha e OJQ-së, “Fëmijët e Malit të Zi“, Sabra Deceviq.
Drejtoresha e kësaj shoqate e cila ka tashmë plotë katërmbëdhjetë vjet ekzistencë, tha se shtatë vjet më parë filloi në mënyrë të drejtpërdrejtë puna me fëmijët me aftësi të kufizuara, në zhvillim dhe vështirësi në të nxënë.
‘’Për t’iu përgjigjur nevojave të komunitetit që të ekzistojë një shërbim në komunitetin lokal që do të ofronte falas shërbime mbështetëse për fëmijët me aftësi të kufizuara zhvillimore“ ka thënë Deceviq.
Ajo, duke folur për këtë mbrëmje të donatorëve, u shpreh se të gjitha donacionet do të shkojnë për realizimin e këtyre shërbimeve në komunitet, “që ka të bëjë me punën e drejtpërdrejtë me fëmijët me aftësi të kufizuara zhvillimore, me psikolog, logoped, punonjës socialë, si dhe punë në grup me asistentë personalë“.
Në kuadër të kësaj mbrëmjeje të shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve, në hollin e QKI-së “Malësia“, është shpalosur një ekspozitë e fëmijëve, anëtarë të OJQ-së, “Fëmijët e Malit të Zi”.
Shoqata Joqeveritare “Fëmijët e Malit të Zi“ ka gjashtë vjet që shënon Ditën Botërore të Fëmijëve në Tuz, së bashku me partnerë të tjerë.
Partnerët e sivjetshëm të kësaj shoqate ishin: Komuna e Tuzit, QKI “Malësia”, Shkolla Fillore “Mahmut Lekiq”, Shkolla e Mesme e Përzier “25 Maji” Shkolla e Muzikës “Vasa Paviq”, Klubi i Vallëzimit “Tip Toe”, SHKA “Ramadan Sharkiq” dhe Arigatou International.
t. u.