Plavë – Përfaqësuesit e Byrosë së Entit për Punësim në Plavë, të premten, në sallën e posaçme për takime, tubime dhe manifestime të ndryshme të Restorantit “Aqua Resort”, i cili gjendet në bregut e Liqenit të Plavës, në lagjen Latek të fshatit Brezojevicë, mu pranë rrugës magjistrale Plavë-Guci, organizuan konferencë për media (me gazetarë), në të cilën temë trajtimi ishte njohja e gazetarëve me vendimin e Këshillit Drejtues të Entit për Punësim të Malit të Zi, të datës 24 maj 2023, për lejimin e financimit të 20 projekteve në shumë të tërësishme prej 955.222,93 euro, për punësimin e personave me invaliditet, ndër të cilët edhe një projekt të Byrosë së Entit për Punësim në Plavë.
Në konferencë, referuesit e pranishëm: Milloje Bakiq, anëtar i grupit projektues, Mirza Medunjanin, kryeshef i Byrosë i Entit për Punësim në Plavë, Ajlla Shahmanoviq, këshillëdhënëse për masat e politikës aktive të punësimit në Plavë, dhe Haris Shahmanoviq, koordinator i projektit dhe njëherazi pronar dhe drejtor i restorantit të përmendur, në mënyrë koncize e kronologjike i njoftuan me të dhënën se në kuadër të 20 projekteve të lejuara në Mal të Zi do të përfshihen 168 persona me invaliditet, prej të cilëve 121 sish do të punësohen gjatë zgjatjes së realizimit të projekteve, kurse 50 të tjerë do të punësohen pas përfundimit të tyre.
“Byrosë së Entit për Punësim në Plavë i janë lejuar (ndarë) mjetet financiare për realizimin e projektit ‘Shërbim për të gjithë’ (‘Usluga svima’), në shumë prej 49.766,87 euro”, ka konfirmuar kryeshefi i saj, Mirza Medunjanin dhe në vazhdim ka shtuar se realizimi i projektit në fjalë që ka filluar më 3 tetor 2023 dhe do të zgjasë 10 muaj, i është besuar Restorantit “Aqua Resort” në partneritet me OJQ-në “Miqtë e Plavës” (“Prijatelji Plava”) koordinator i të cilit është Haris Shahmanoviq.
Në fillim të përmbajtjes së tekstit të projektit “Shërbim për të gjithë”, thuhet se qëllimi i tij është që përmes fuqizimit, motivimit dhe arsimimit të personave me invaliditet dhe aftësim për punë të veçanta me mundësi të praktikës profesionale t’i kontribuojë avancimit të zhvillimit dhe cilësisë socialo-ekonomike të jetesës së personave me invaliditet në Plavë.
Përmes projektit “Shërbim për të gjithë”, do të fuqizohen gjithsej 10 persona me invaliditet nga evidenca e Byrosë të Entit për Punësim në Plavë, të cilët do të aftësohen: pesë femra në profesionin për shërbëtore dhomash dhe pesë meshkuj në profesionin ndihmës kamerier në kohëzgjatje prej tre muajsh. Po ashtu, përmes projektit gjashtë persona me invaliditet të cilët me sukses e kalojnë trajnimin, do të kenë rast të krijojnë marrëdhënie pune gjashtë mujore, e nëse dëshmohen si punëtorë të mirë, do të lidhin marrëdhënie të rregullt pune.
Referuesit në fund të konferencës, në elaborimet e veta theksuan se qëllimi i përgjithshëm i projektit “Shërbim për të gjithë”, të cilin do ta realizojë gjatë 10 muajve të paraparë Restoranti “Aqua Resort” në krye me drejtorin e restorantit dhe koordinatorin e projektit, Haris Shahmanoviq, është “Avancimi i rehabilitimit profesional dhe punësimi i personave me invaliditet në Komunën e Plavës.
Shaban Hasangjekaj