Tuz – Në mbledhjen e gjashtë të Kuvendit të Komunës së Tuzit e cila u mbajt të premten më 1 dhjetor 2023, u bë zgjedhja e kryetarit të ri të Komunës së Tuzit.
Fillimisht, kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj konstatoi dorëheqjen e kryetarit të deritanishëm të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshajt, i cili më herët i kishte dërguar kuvendit vendimin për dorëheqje, pas emërimit të tij, nënkryetar i Qeverisë për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik
Pas formimit të komisionit përkatës, kuvendi i Komunës së Tuzit me 18 vota pro, prej të cilave 1 nga opozita (Lëvizja për Tuz) për kryetar të Komunës së Tuzit u zgjodh Lindon Gjelaj.
Pas emërimit si kryetar i ri i Komunës së Tuzit dhe pasi bëri betimin, kryetari Lindon Gjelaj tha se ndjen kënaqësi të veçantë kur i jepet mundësia që të punojë për qytetarët e vendit të tij.
“Duke pasur parasysh sfidat që kanë kryetarët e komunave dhe të vetëqeverisjes lokale, vlen të theksohet se njëri ndër faktorët e qeverisjes së mirë është edhe lidershipi që drejton komunën. Në rastin tim konkret, këtu në këtë vend kam gjetur ekspertët më të mirë të komunës së tyre, në krye me kryetarin Gjeloshaj, të cilët vite me radhë punuan me sukses në shërbim të qytetarëve” u shpreh Gjelaj.
Kryetari i sapoemëruar shpalosi në pika të shkurtra vizionin dhe strategjinë e tij të punës si kryetar i Komunës së Tuzit.
“Një qeverisje lokale moderne me një zhvillim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm, duke u bazuar në qeverisje të drejtë, në partneritet të mirëfilltë me institucionet qendrore si dhe në mbështetjen dhe bashkëpunimin e diasporës sonë”, theksoi Gjelaj.
Për të, ambienti i përshtatshëm për biznes, i bazuar në iniciativën private për të shfrytëzuar resurset në lëmin e bujqësisë, turizmit, prodhimeve dhe shërbimeve tradicionale shoqëruar nga një administratë lokale efikase, ofron shërbime të mira për të gjithë qytetarët, pa dallim.
“Kjo qeverisje do të kultivojë vlerat kulturore për të cilat, të gjithë jemi krenarë ndër shekuj, duke përkrahur që kultura jonë të ngrihet në nivelin më të lartë” u shpreh Gjelaj.
Ai falënderoi të gjithë ata të cilët e mbështeten që të emërohet në krye të Komunës së Tuzit.
Ndërkaq, edhe nënkryetarëve të deritanishëm Lindon Gjelajt dhe Ivan Ivanajt me automatizëm iu pushoi mandati, ndërkaq nga Kuvendi njoftuan se nënkryetarët e rinj do të emërohen në seancën e radhës të Kuvendit e cila pritet të mbahet gjatë këtij muaji.
t. u.