Ostros – Në prani të dhjetëra adhuruesve të natyrës, artit të fotografisë dhe kulturës, të enjten mbrëma (23 nëntor 2023) në mjediset e Shtëpisë së Kulturës në Ostros është hapur ekspozita fotografike “Zogjtë dhe gjarpërinjtë në Krajë” e fotografit Milaim Cura.
Ekspozita është organizuar nga Organizata Joqeveritare “Camp”.
Kryetari i kësaj organizate, Sami Doda, ka thënë se qëllimi i ekspozitës është njohja me botën e egër në territorin e Krajës përmes objektivit të fotografit Milaim Cura.
“Përmes fotografive ai shpreh dashurinë e tij për natyrën e që një pjesë të mirë të saj na sjell këtu sonte në mes nesh. Shpresoj që përmes fotografive të sjell te ju një ndjenjë të veçantë për këto krijesa të veçanta”, është shprehur ai.
Për vlerat e fotografive të paraqitura në ekspozitë ka folur Rina Kovaçi – Lika.
Ajo ka thënë se ekspozita e Milaimit paraqet një pjesë të asaj çfarë prezanton Kraja në tërësinë e saj.
“Kjo ekspozitë e pasionantit të fotografisë – Milaimit na bashkon këtu neve sonte, por pasuria e bregut krajan të liqenit të Shkodrës nga Milaimi po prezantohet në të njëjtin nivel edhe me fotografët e botës së egër në Shqipëri, në Kosovë dhe më gjerë”, ka thënë Lika.
Ajo ka theksuar më tej se “puna e palodhshme e Milaimit është shembull për të gjithë ne, shembull se si rrnohet dhe si duhet vendlindja, pa marrë parasysh vështirësitë”.
Fotografi Milaim Cura ka thënë se përpos obligimeve të përditshme, gjen kohë të merret me pasionin e tij – fotografinë, së cilës i është përkushtuar që tetë vjet.
“Është kënaqësi kur del të fotografosh dhe kur e fotografon një shpend ose kafshë dhe i shikon në foto detajet që me syrin e lirë nuk mund t’i shohësh”, ka theksuar ai.
Milaim Cura është një gjellëbërës i njohur nga Kraja. Fotografitë e tij janë ekspozuar deri tani në disa ekspozita në vend dhe rajon.
Ekspozita e fotografive është realizuar me mbështetjen e Organizatës Turistike të Tivarit.
i. k.
