Tre artistë me karaktere të ndryshme

Tuz – “Nëntë Orë” titullohet ekspozita e organizuar të enjten mbrëma, më 09 nëntor 2023, nga QKI “Malësia”, e artistëve nga Tirana, Artan Buca, Orlis Vathi dhe Gentian Tabaku.
Ekspozita në fjalë për herë të parë shfaqet në formë dhe përmbajtje të ndryshme, një gërshetim i pikturave dhe skulpturave në të cilat, forma dhe subjekti ndërrojnë vend shpesh, e ku fillesat realiste janë thellësisht konceptuale.
Një këndvështrim të tij për këtë ekspozitë e shprehu Idriz Gjokaj nga QKI “Malësia”, i cili tha se modeli i ekspozitës së shfaqur, është modeli i duhur për të parë se si artistët krahasuar prej njëri-tjetrit dhe ideve të ndryshme që kanë, shfaqen nëpërmjet gjuhës së njohur botërisht , që është arti.
“Ne bëhemi dëshmitarë të konceptualitetit dialogor të artistit, me furçë apo me allçi, se si çdo ide merr formën e transformimit të një peizazhi apo të një skulpture e cila na rrëfen bisedat e gjata të pas darkave dhe më në fund se si objektet urbane flasin nëpërmjet ngjyrave, duke mos u shprehur, ose duke murmuritur në gjuhën e pashprehur dhe të pakuptuar për një pjesë të konsiderueshme tonën”, theksoi në mes tjerash, Idriz Gjokaj.
Ndërkohë, skulptori Gentian Tabaku i cili për herë të parë viziton Tuzin, së bashku me dy kolegët e tjerë, duke shprehur falënderim për bashkëpunimin me QKI-në “Malësia”, tha se ata janë tre artistë që kanë karaktere të ndryshme.
“Për mënyrën se si e shikojmë figurën, peizazhin dhe arkitekturën urbane. Dhe për mënyrën se si ne e përcjellim në telajo apo në formë që e përkthejmë”, u shpreh Tabaku.
Ndërkaq, sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale në Komunën e Tuzit, Marina Ujkaj, duke shpallur të hapur këtë ekspozitë, tha se takimet në këtë qendër kulturore dhe informative por bëhen të shpeshta, duke theksuar se pikërisht ky është edhe qëllimi i këtij institucioni, që të promovojë kulturën dhe gjërat e bukura.
“Që Tuzin po e shndërrojnë në një vend në të cilin po organizohen aktivitete kulturore, sportive, etj. dhe po e shndërron në një vend për të cilin kemi punuar dhe ëndërruar të gjithë”, u shpreh ndër të tjera Ujkaj.
Udhëtimi i këtyre veprave artistike, ose qëndrimi ekspozues i tyre, i cili prezanton opusin e gjerë ideor të autorëve për publikun në Tuz, lidhet me faktin konceptues të metamorfozës së formës, si dhe me metaforën ekzistenciale, e cila mund të interpretohet ndryshe, varësisht nga syri i shikuesit.
Kjo është herë e parë që ekspozita “Nëntë orë” shfaqet në Tuz.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat