Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi, në mbledhjen e dytë të rregullt të vjeshtës që u mbajt të mërkurën më 22 nëntor 2023 në Cetinë, kanë emëruar Dr. Ilir Çapunin- nënkryetar i Forcës së Re Demokratike, deputet të ri të koalicionit të Aleancës Shqiptare.
Z. Çapuni është zgjedhur në vend të Fatmir Gjekës, i cili ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit pas zgjedhjes së tij si ministër i Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
Në kumtesën për media të Aleancës Shqiptare është njoftuar se me këtë vazhdohet përfaqësimi autentik i shqiptarëve nga Forca, në Kuvendin e Malit të Zi, që 15 vjet.
Dr. Ilir Çapuni është doktor i shkencave kompjuterike. Ai ka lindur në vitin 1978 në Ulqin. Është profesor i shkencave kompjuterike në Tiranë. Ai u diplomua për shkenca kompjuterike në Fakultetin e Shkencave dhe Matematikës në Podgoricë, ndërsa doktoroi në Boston (SHBA) në vitin 2012. Ai ishte themelues i revistës së pavarur Kronika në Gjuhën Shqipe, me qendër në Ulqin.
Ai ka shërbyer si kryetar i Kuvendit të Komunës së Ulqinit nga viti 2018 deri në vitin 2021. Në atë periudhë, Kuvendi i Komunës së Ulqinit e shpalli Kriporen e Ulqinit park të natyrës, e radhiti bregun e Bunës dhe Adën në zonat e qeta të komunës, ngriti monumentin për viktimat e tërmetit të vitit 1979 dhe prona prej 250 mijë metrash katrorë në Mavrijan mbeti pronë e Komunës së Ulqinit. Ai është nënkryetar i Forcës që nga tetori 2021. Ai është një shkencëtar aktiv në akademi dhe industri, kryesisht jashtë vendit. Ai është një adhurues i apasionuar windsurfit, lundrimit dhe zhytjes. Ai zbuloi, hetoi dhe dokumentoi rrënojat e luftanijes italiane Regina Margherita, minahedhësen italiane RD 10, avulloret Po, Anthipi, Brindisi, Andrassy dhe Pozsony në ujërat e Republikës së Shqipërisë. Ai është një instruktor teknik zhytjeje i organizatës TDI. Flet shqip, gjuhët e sllavëve të jugut dhe gjuhën angleze.
t. u.