Podgoricë – Kuvendi i Malit të Zi në vazhdimin e seancës së parë të mbledhjes së dytë të rregullt, e cila u mbajt të enjten më 16 nëntor 2023, konstatoi dorëheqjen për shkak të mospërputhjes së funksionit, të deputetëve: Nikë Gjeloshaj, Millojko Spajiqit, Angjella Jakshiq- Stojanoviq, Filip Radulloviq, Vojisllav Shimun, Aida Nishiq, Maida Gorçeviq, Filip Ivanoviq, Andrej Milloviq, Mirko Gjukiq, Srgjan Paviqeviq, Vlladimir Martinoviq, Aleksa Beçiq, Momo Koprivica, Dragan Hrapoviq, Dragosllav Shqekiq dhe Vlladimir Jokoviq.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë verifikimin e mandateve për deputetët e rinj të Kuvendit të Malit të Zi.
Nga forumi shqiptar deputet i ri, i cili do ta zëvendësojë Nikë Gjeloshajn do të jetë Artan Çobi.
Deputeti Çobi në faqen e tij të Fejsbukut ka bërë të ditur se si përfaqësues i Forumit Shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, do të punojë në përmirësimin e kushteve për shqiptarët në Mal të Zi.
“Nuk mund të theksohet sa duhet se sa e rëndësishme është për ne që të mënjanojmë pengesat e shumta dhe të punojmë për të çuar përpara investimet aq të pritura nga komuniteti ynë në të gjithë vendin. Me këtë rast dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që më kanë përkrahur në këtë rrugë, si mua personalisht ashtu edhe Forumin Shqiptar, me shpresë dhe vendosmëri se do të jap maksimumin për ta merituar besimin e tyre”, është shprehur deputeti i ri, Artan Çobi.
Ai ka thënë se si pjesëmarrës në qeverinë aktuale, në periudhën në vazhdim, pret nga qytetarët sugjerime dhe rekomandime dashamirëse për të qenë sa më i njoftuar për nevojat emergjente të shqiptarëve në Mal të Zi.
“Dhe së bashku të kontribuojmë në zgjidhjen e problemeve dhe realizimin e investimeve”, ka theksuar Çobi.
t. u.