Me vendim të kreut të Qeverisë së Malit të Zi, Millojko Spajiq është shtyrë regjistrimi i popullsisë, i cili ka qenë parashikuar të mbahet nga data 1 deri më 15 nëntor.
Vendimin për shtyrjen e regjistrimit, kryeministri Spajiq e ndërmori të martën e kaluar, më 31 tetor 2023, në mbledhjen e parë të qeverisë, ndërsa me vendim të ri, regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesa do të mbahet më 30 nëntor 2023.
Në Gazetën Zyrtare të Malit të Zi, ku është publikuar vendimi në fjalë, ndër të tjera theksohet se kryeministri Spajiq ka thënë se kjo shtyrje nuk përbën asnjë problem për buxhet dhe financa të shtetit.
Kryeministri Millojko Spajiq ka thënë se gjatë kësaj periudhe do të shmangen të gjitha mangësitë të cilat janë vërejtur.
“Në këtë periudhë do të bëjmë gjithçka është e mundur që të përmirësojmë dhe të shmangim të gjitha mangësitë të cilat do t’i vërejmë, e para së gjithash, dy probleme të cilat më së shumti po potencohen. Njëri nga ato është mungesa e softuerit“, është shprehur Spajiq.
Ndërkaq, kryeministri bëri të ditur se ai do të bisedojë me opozitën dhe me Këshillat Kombëtare të Popujve Pakicë, me sektorin joqeveritar, por edhe me palët e tjera të interesuara për regjistrimin e popullsisë.
“Mendoj se përfaqësuesit e komunave me pëlqimin e “Monstat”-it mund të shtojnë anëtarët e komisioneve regjistruese. Ky është një mekanizëm i shpejtë ku në të gjitha komunat do t’i mundësonin opozitës që të ketë përfaqësuesit në komisionet regjistruese. Kjo është njëra ndër idetë”, ka thënë në mes tjerash Spajiq.
Kujtojmë se regjistrimi i fundit i popullsisë në Mal të Zi është bërë në vitin 2011.
t. u.
