Lehtësim nëqarkullimin rrugor

Tuz – Nga fundi i muajit shtator në Tuz janë duke u kryer disa punime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, konkretisht rikonstruksioni i pjesës që lidhë aksin rrugor ndërkombëtar, Podgoricë- Tuz me gjatësi prej 747.25 metrash, që ndodhet në afërsi të Kishës së Tuzit ku është planifikuar edhe rreth-rrotullimi.
Si rrjedhojë e këtyre punimeve që janë në vijim e sipër është ndaluar qarkullimi rrugor që çon nga qendra e Tuzit drejt rrugës ndërkombëtare Tuz- Bozhaj, ndërsa janë në funksion rrugët dytësore.
Më gjerësisht për investimet që po kryhen në infrastrukturën rrugore në Tuz për gazetën “Koha Javore” u prononcua sekretari i Sekretariatit për Urbanizëm në Komunën e Tuzit, Lekë Ivezaj, i cili thotë se aktualisht po punohet në dy projekte: rikonstruksioni i rrugës nga Shtëpia e Shëndetit në Tuz deri te Plantacionet me gjatësi prej 800 metra dhe rikonstruksioni i rrugës në afërsi të stadiumit të KF “Deçiqit” dhe të Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maji” në Tuz, ndërsa është bërë kontraktimi dhe pritet fillimi i punimeve edhe në një projekt tjetër rrugor në afërsi të parkut të ri në Tuz.
“Afati kohor për realizimin e rrugës Tuz- Bozhaj është katër muaj, rruga përreth stadiumit të KF “Deçiq”-it është tre muaj dhe rruga që pritet të punohet që ndodhet përreth parkut të ri, është dy muaj. Vlera totale e këtyre punimeve është afro 2.5 milionë euro”, u shpreh Ivezaj.
Ai më tutje shton se me qëllim të evitimit të kaosit në komunikacion, që mund të vijë si pasojë e punimeve në këto projekte, ata janë përpjekur që rrugët alternative të jenë sa më funksionale.
“Për këto punime kemi hasur mirëkuptim edhe te qytetarët, pasi siç dihet çdo punë kërkon sakrificë edhe nga ana e qytetarëve, por edhe nga ana e krejt stafit tonë”, u shpreh Ivezaj.
Ai shton se me përfundimin e këtyre punimeve imazhi i qytetit të Tuzit do të ndryshojë pozitivisht e çfarë është më e rëndësishme, do të lehtësohet qarkullimi në komunikacionin rrugor.
“Kjo zonë ku ndodhen shkollat, objektet sportive, objektet afariste dhe objektet kolektive të banimit do të bëhet një zonë jashtëzakonisht e frekuentuar. Sigurisht se ka pasur nevojë për një investim të tillë, sepse kjo zonë do të marrë pamjen urbane të qytetit, të projektuar me të gjitha standardet dhe kushtet, e që do të reflektohet mirë edhe tek shfrytëzuesit e këtyre rrugëve, qytetarët”, thotë sekretari i Sekretariatit për Urbanizëm, Lekë Ivezaj.
Investitor i këtyre punime është Komuna e Tuzit.
Kujtojmë se muajve të fundit, Komuna e Tuzit ka kryer një sërë punimesh përgjatë territorit të Malësisë, nëpër zona rurale dhe urbane, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore e cila ka lehtësuar dukshëm qarkullimin në komunikacionin rrugor.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat