Nxënësit dhe trupi arsimor i shkollës ‘’Gjergj Kastrioti – Skënderbeu’’ në Triesh , Komuna e Tuzit, në krye me drejtorin Leon Gjuravçaj, si dhe shkolla simotër ‘’Vojin Popoviq’’ nga Drezga, Komuna Podgoricë, udhëhequr nga drejtori Strahinja Bullatoviq, në ftesë të Mlladenka Periq, drejtoreshë e SHF ‘’Boshko Strugar’’ nga Ulqini, përndryshe nikoqire e manifestimit, në mënyrë të organizuar e madhështore shënuan dy ngjarje të veçanta: Javën Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe Ditën Evropiane të Sportit Shkollor.
Me të mbërritur në Ulqin nxënësit dhe shoqëruesit e tyre nga Tuzi dhe Podgorica i përshëndeti drejtoresha Periq, e cila i njoftoi me ambientin shkollor, me të arriturat e institucionit, aktivitetet dhe veprimtaritë shkollore . Të tre drejtorët, gjatë fjalimeve përshëndetëse, theksuan rëndësinë e këtyre dy ngjarjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin social midis nxënësve , promovimin e sportit, pikërisht aktivitetit fizik në shkollë me sport dhe lojë.
Pas koktejit dhe mëngjesit të organizuar nga shkolla nikoqire pasoi manifestimi madhështor sportiv i mbi 500 nxënësve , nga të gjitha klasat, të tria shkollave në Plazhin e Vogël ku nxënësit promovuan në mënyrë më të bukur sportin dhe ndanë gëzimin përmes lojërave sportive në rërë dhe aktiviteteve tjera të zhvilluara sipas agjendës.
Nxënësit më të suksesshëm morën shpërblime për vendet e para ndërsa nxënësit e ciklit të ulët bënë vizatime-piktura në pedonale-shëtitore të plazhit.
Në shenjë falënderimi dhe bashkëpunimi drejtoresha Mlladenka Periq u ndau drejtorëve vizitorë nga një dhuratë – pikturë simbolike të qytetit të vjetër të Ulqinit, punim enkas nga piktorja e mirënjohur – pedagoge e artit figurativ e shkollës nikoqire – zonja Vahida Nimanbegu .
Vizita e radhës e këtij pikniku ishte Kalaja e Ulqinit ku nxënësit u njoftuan me qytetin e vjetër, me muzeun, historikun dhe bukuritë e kësaj pike të rëndësishme mesjetare ku përveç shoqërueseve, në insistim të drejtorit Gjuravçaj, njoftime më të hollësishme prezantoi arkeologu z. Anton Lulgjuraj ku nxënësit i njoftoi, pos tjerash, edhe me maketin e qytetit të vjetër.
Drejtorët e shkollave nga Trieshi e Drezga Leon Gjuravçaj dhe Strahinja Bullatoviq falënderuan nikoqirët për pritje të përzemërt dhe organizim të shkëlqyeshëm duke apostrofuar se një numër i konsiderueshëm i nxënësve të tyre për të parën herë janë në Ulqin.
Në kthim nxënësit u ndalën në Tivar – qendër kulturore – historike ndër shekuj ku veçmas u impresionuan me themelet e qytetit të lashtë, vizituan dhe galerinë e arit pastaj atraksionin turistik Ullirin e vjetër mbi 2.000 vjeçar e më në fund dhe limanin e Tivarit ku personeli kompetent u ligjëroi mbi rëndësinë e trafikut detar.
Drejtori i shkollës Gjergj Kastrioti – Skënderbeu Leon Gjuravçaj në fund falënderoi Klubin Futbollistik ‘’Deçiq’’ në krye me z. Pal Dreshaj, bashkëpunëtor i kahershëm i shkollës së Trieshit, i cili mundësoi realizimin e kësaj shëtitjeje njëditore tejet domethënëse me karakter edukativo – arsimor, sportiv – rekreativ duke vënë në dispozicion autobusin falas si dhe vozitësin e tyre.
Donika Lulgjuraj