Partitë politike shqiptare në Mal të Zi, përkatësisht Forumi Shqiptar dhe Aleanca Shqiptare kanë deklaruar se do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme të Malit të Zi, duke firmosur kështu marrëveshje koalicioni.
Nga Forumi Shqiptar, pas mbledhjes së zhvilluar të mërkurën me 18 tetor 2023, njoftohet se ata mbështesin parimet programore të mandatarit Millojko Spajiq për formimin e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi, me ç’ rast kanë pranuar edhe pjesëmarrjen në qeveri.
“Si subjekti politik më i madh i shqiptarëve në Mal të Zi, Forumi Shqiptar në këtë mënyrë synon ta vërtetojë përkushtimin programor të të gjithë subjekteve që e përbëjnë, që shqiptarët në Mal të Zi të jenë partner i vërtetë i të gjithë forcave demokratike pro-perëndimore në Mal të Zi në rrugën e tij evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në deklaratën e Forumit Shqiptar.
Më tutje, ata bëjnë të ditur se marrja e vendimit të këtillë është lehtësuar me frymën demokratike pro-perëndimore të vetë parimeve programore të mandatarit Spajiq, veçanërisht atyre që flasin për vendosmërinë për të qëndruar në rrugën drejt hyrjes në BE.
“Me gatishmëri për harmonizimin e plotë të politikës së jashtme të Malit të Zi me politikat e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, si dhe që Mali i Zi të jetë vend anëtar i besueshëm i Aleancës NATO dhe që të vazhdojë bashkëpunimin miqësor me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Republikën e Kosovës, theksohet në këtë deklaratë.
Nga Forumi Shqiptar gjithashtu shpalosin dhe arsye të tjera, të cilat sipas tyre, kanë vendosur të jenë pjesë e qeverisë së re të Malit të Zi.
“Edhe për shkak të qëllimit tonë që me pjesëmarrje në Qeveri të kontribuojmë në avancimin e statusit dhe pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi, në themele të standardeve demokratike të BE-së që i referohen çështjes së të drejtave të pakicave kombëtare. Në këtë drejtim, Forumi Shqiptar do të ofrojë një dokument konkret, që mbi parime të aksionit afirmativ, do të mundësojë pjesëmarrjen e barabartë të shqiptarëve në procese shoqërore, me theks të veçantë te përfaqësimi proporcional i tyre në institucione të shtetit dhe shërbime publike të Malit të Zi, si dhe tek decentralizimi i pushtetit, që nënkupton më shumë autonomi për vetëqeverisjet lokale”, njoftojnë nga Forumi Shqiptar.
Sipas tyre, për të arritur të arritur të gjitha të sipërpërmendurat, Forumi Shqiptar është i gatshëm për bashkëpunim edhe me subjektet me të cilat, në procese demokratike të deritanishme, ka pasur dallime.
“Por, të cilat dallime i ka zbutur koha dhe ka bërë që të kuptohet domosdoshmëria e veprimit të përbashkët drejt forcimit dhe kultivimit të mëtejshëm të bashkëjetesës në Malin e Zi demokratik, të pavarur dhe sovran. Kjo konfirmohet edhe me nënshkrime të të gjithë subjekteve që japin mbështetje Qeverisë së ardhshme për Marrëveshjen e propozuar, përkushtimet programore e të cilës janë kompatibile edhe me qëllimet programore të Forumit Shqiptar”, përfundon deklarata e Forumit Shqiptar.
Ndërkaq, të enjten në Podgoricë më 19 tetor 2023, përfaqësuesit e të gjitha partive politike të cilat do të përbëjnë qeverinë e ardhshme të Millojko Spaiqit kanë firmosur marrëveshje koalicioni.
Siç bëhet e ditur, këtë marrëveshje e kanë firmosur kryeministri i ardhshëm dhe lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spaiq, lideri i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiq, lideri i Partisë Demokratike Popullore, Millan Knezheviq, lideri i Malit të Zi Demokratik, Aleksa Beçiq, ai i Partisë Socialiste Popullore, Vlladimir Jokoviq dhe lideri i Aleancës Qytetare Civis, Srgjan Paviqeviq.
Ndërkaq, këtë marrëveshje e kanë firmosur edhe liderët e pesë partive politike shqiptare të cilat i përbëjnë dy koalicione, atë të Forumit Shqiptar dhe Aleancës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, Ivan Ivanaj, Ferhat Dinosha, Genci Nimanbegu dhe Fatmir Gjeka.
Sipas raportimit të mediave malazeze, në qeverinë e re Lëvizja Evropa Tani do të ketë kryeministrin dhe dhjetë ministri; Demokratët, zv/kryeministrin, nënkryetarin e qeverisë dhe katër ministri; Partia Socialiste Popullore, dy ministri; Forumi Shqiptar një vend të zv/kryeministrit dhe dy ministri; Aleanca Shqiptare një ministri dhe CIVIS-i një vend nënkryetari të qeverisë.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike në Mal të Zi e cila ka qenë pjesë e koalicionit të Aleancës Shqiptare, përmes një kumtesë për opinion ka njoftuar se nuk do ta përkrahë qeverinë e re të Malit të Zi. Gjithashtu, edhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve ka njoftuar për mospërkrahje të qeverisë së ardhshme.
t. u.