Tuz – Të enjten mbrëma me 11 tetor 2023, në QKI “Malësia” u shfaq drama “Hënat e fundme” e autorit, dramaturgut italian, Furio Bordon, me regji të Aldo Hysotocit dhe interpretuar nga aktorët e njohur të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, Milto Kutali dhe Bajram Dosti.
Drama “Hënat e fundme”, ka në qendër të saj një të moshuar i cili jeton në shtëpi me djalin e tij dhe një ditë gjendet përballë kërkesës dhe idesë, se dhoma e tij duhet t’i lirohet mbesës së vogël pasi fëmijët tani janë rritur për të qëndruar në një dhomë të përbashkët.
“I gjendur përballë kësaj nevoje, duke mos gjetur mbështetje për një rrugë tjetër, plaku detyrohet të dalë mbi veten dhe të deklarojë se do të shkojë në një shtëpi të moshuarish. Djali nuk e pengon, kështu që plaku tanimë, me një gjendje të rënduar shpirtërore, bisedon me fantazmën e gruas së tij të vdekur për problemet e gjendjes shpirtërore dhe psikike” theksohet në sinopsisin e kësaj drame.
Më tutje, nga kjo bisedë dalin dilema të mëdha njerëzore si: më mirë të plakesh apo të mos plakesh? Dinjitetin apo lutjen? Sinqeritetin apo gënjeshtrat? Azilin si shpëtim për të gjithë, apo në shtëpi sido që të shkojë?!
Drama “Hënat e fundme” e dramaturgut të njohur italian Furio Bordon është përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, ndërsa njihet si drama më në zë e autorit, e konsideruar edhe si një diamant i dramaturgjisë botërore e cila trajton një çështje aktuale, problematikë të përhapur kudo në shoqëri, si dashuria e fëmijës ndaj prindërve, braktisja e tyre dhe lënia në mëshirë të fatit, duke i mbyllur përfundimisht në një azil për të moshuar.
Mesazhi që përcjell drama “Hënat e fundme” është se brezi i ri nuk duhet t’i braktis prindërit, por t’i dojë dhe të përkujdeset për ta.
t. u.
