Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin të enjten mbrëma (5 tetor 2023) është promovuar filmi dokumentar “Shkollat Shqipe në Mal të Zi (Ulqin – Anë e Malit – Krajë)” me autorë Visar Dodën, Jetmir Mujën dhe Armend Shabanin, i realizuar sipas skenarit të Gazmend Çitakut.
Njëri ndër ideatorët e dokumentarit, Visar Doda, ka thënë në fjalën përshëndetëse se shpreson që përmes tij të kenë arritur të shprehin çdo gjë siç kanë dashur.
Ai ka përshëndetur të gjithë ata persona që kanë pranuar të jenë pjesë e dokumentarit, duke i dhënë atij jetë me zërin dhe figurën e tyre.
“Pa ju ky dokumentar nuk do të ishte kjo që do të shfaqim sonte”, është shprehur Doda.
Ai ka falënderuar të gjithë pjesëtarët e ekipit realizues të dokumentarit, ku përpos tre autorëve të projektit dhe të dokumentarit, si dhe skenaristit, bëjnë pjesë edhe aktori Bashkim Alaj, i cili ka lexuar tekstin e dokumentarit, si dhe Allmedin Suka dhe Amir Suka, të cilët kanë bërë filmimet dhe montazhin.
Aktori Bashkim Alaj, i cili e ka udhëhequr promovimin e dokumentarit, ka thënë se “pa dyshim që do të shihni një punë të shkëlqyer dhe një përkushtim madhështor në realizimin e këtij filmi dokumentar”.
Ai ka thënë se tre autorët e këtij filmi dokumentar na sjellin një të kaluar jo shumë të largët për ne, rrëfime të sinqerta të protagonistëve të këtij filmi dokumentar, ku do na bëjnë të kuptojmë se sa të rëndësishëm e kishin shkollimin të parët tanë dhe sa punuan ata për të mësuar, kultivuar dhe ruajtur gjuhën shqipe, identitetin dhe traditat tona.
Studiuesi Dr. Nail Draga ka thënë se ky është filmi i parë dokumentar kushtuar shkollave me mësim në gjuhën shqipe.
“Ky takim dhe ky film dokumentar është edhe një homazh për të gjithë ata të cilët nuk janë të pranishëm sot në mesin tonë, por gjithsesi përmenden me respekt për punën e tyre krijuese dhe pedagogjike”, është shprehur ai.
Draga ka folur edhe për problemet dhe peripecitë nëpër të cilat kanë kaluar shkollat dhe nxënësit shqiptarë në Malin e Zi, duke nënvizuar se “shkollat e para shqipe na i kanë hapur okupatorët” dhe se ato janë mbyllur disa herë nga pushteti i kohës për shkak të politikës asimiluese ndaj shqiptarëve.
Dokumentari mbështetet kryesisht në rrëfimin e disa mësimdhënësve të cilët kanë qenë dëshmitarë të rrugëtimit të shkollave në gjuhën shqipe në trevën e Ulqinit, Anës së Malit dhe Krajës.
Projekti i realizimit të dokumentarit “Shkollat shqipe në Mal të Zi (Ulqin – Anë e Malit – Krajë)” është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, kurse promovimin e kanë ndihmuar edhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Qendra për Kulturë – Ulqin.
i. k.
KKSH ndan mirënjohje për tre veteranë të arsimit shqip
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi ka ndarë me këtë rast mirënjohje për disa veteranë të arsimit shqip në Malin e Zi.
Kryetari i KKSH-së, Faik Nika, ka ndarë mirënjohje për mësimdhënësit Haxhi Taipi, Hajro Ulqinaku dhe Ali Gjeçbritaj, me motivacionin: “Për kontributin e veçantë dhënë ndër vite në ngritjen e cilësisë së arsimit shqip dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në Malin e Zi. Ju jemi mirënjohës për përkushtimin dhe dashurinë që keni përcjellë ndër breza për gjuhën amtare dhe identitetin tonë kombëtar”.
