Fotografi legjendar i Ulqinit

Gazetari Mustafa Canka ka thënë se drejtësia e kërkon që Riza Shurdhës t’i jepet vendi që e meriton në të kaluarën tonë. “Me këtë libër ne si komunitet bëhemi më të drejtë, pra ia kthejmë borxhin njeriut që ishte një nga simbolet e këtij qyteti në shekullin e kaluar”, është shprehur ai

Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, të hënën mbrëma (9 tetor 2023) është bërë përurimi i librit “Riza Harapi Shurdha” i autorit Hajro Ulqinaku.
Libri është botuar me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Riza Shurdhës (1922-2003), fotografit legjendar dhe me rastin e vdekjes së File Kastratit (1933-2022), afro-ulqinakes së fundit nga të dy vijat.
Vetë autori, shkrimtari Hajro Ulqinaku ka thënë se albumi kushtuar fotografit legjendar Riza Harapit Shurdhës është një dokument që i është dashur Ulqinit.
Duke folur për këtë personazh emblematik, të cilin ai e ka cilësuar si simbol i Ulqinit, Ulqinaku ka thënë se konsideron që Riza Harapi Shurdha ka qenë kolos i Ranës dhe i Bunës.
Ai po ashtu ka thënë se duke qenë se Riza Harapi Shurdha ka lindur në Ulqin, konsideron se ai ishte ulqinak e jo afro-ulqinak.
Ulqinaku ka thënë se përurimi i librit kushtuar Riza Harapit Shurdhës është një mbrëmje homazh për etninë e harapëve të Ulqinit.
Libri “Riza Harapi Shurdha” është botuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi.
Kryetari i kësaj shoqate, Prim. Dr. Gani Karamanaga ka thënë se zezakët apo harapët, siç i quanin vendësit, në jetën e Ulqinit ishin një ndër simbolet e këtij qyteti.
“Nuk ka shembull në rajon e më gjerë që zezakët kanë pasur trajtim dhe kujdes si në Ulqin. Njëri prej tyre ishte edhe Riza Shurdha, fotografi legjendar i asaj kohe. Duke shëtitur nëpër Plazhin e Ulqinit ka fotografuar mysafirët, por edhe ne qytetarët. Çdo herë që kam dalë me familje në Ranë, kemi bërë fotografi te Rizoja. Për këtë arsye kemi kujtime që nuk harrohen”, është shprehur ai.
Gazetari Mustafa Canka ka thënë se drejtësia e kërkon që Riza Shurdhës t’i jepet vendi që e meriton në të kaluarën tonë.
“Me këtë libër ne si komunitet bëhemi më të drejtë, pra ia kthejmë borxhin njeriut që ishte një nga simbolet e këtij qyteti në shekullin e kaluar”, është shprehur ai.
Canka ka përkujtuar se harapët në Ulqin ishin qytetarë të barabartë që jetonin në qendër të qytetit, ishin kapedanë dhe posedonin anijet e veta, si dhe që një shembull i tillë nuk ekziston në Adriatik.
Udhëheqësja e përurimit, Ardita Rama, drejtoreshë e Bibliotekës së Ulqinit, ka thënë se komuniteti i zezakëve, i cili “është mishëruar, është bërë një me popullin vendas, ka ngritur gjithmonë pyetje të shumta, në të cilat janë munduar të përgjigjen shumë shkrimtarë e gazetarë, por të cilat në fund të fundit pak kanë rëndësi”.
Sipas saj, është fakt se “zezakët e Ulqinit janë integruar e kanë jetuar me brezni si qytetarë të barabartë, duke begatuar e duke lënë gjurmë të prekshme në përditshmërinë e kohës kur jetuan dhe në historikun e qytetit të Ulqinit. Jetën e njërit prej tyre, simbolit të Ranës së Ulqinit, fotografit Riza Harapi, bashkë me familjarët e miqtë e tij, e prezantoi në fotografi në faqet e këtij foto-albumi autori Ulqinaku”.
Gjatë përurimit është lexuar parathënia e librit, e shkruar nga recensenti, shkrimtari Jaho Kollari, si dhe një mesazh i vajzës së Riza Shurdhës, Anita Shurdha – Grboviq, e cila është edhe konsulente e librit. Autorit i ka ndihmuar për librin Gani Karamanaga, redaktor teknik është Gazmend Çitaku, kurse botimin e librit e ka mbështetur Komuna e Ulqinit.
Përurimi është organizuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dhe Qendra për Kulturë – Biblioteka e Qytetit në Ulqin.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat