Promovimi më i mirë i Krajës dhe i krajanëve

Titulli i dokumentarit “Kraja - sa afër, aq larg” pasqyron në vetvete realitetin e hidhur. Kraja është vërtet afër shpirtit dhe zemrës së secilit krajan, por fizikisht larg, sepse shumica e banorëve tashmë janë larguar

Ismet Kallaba

Kraja ka qenë dhe është subjekt trajtimi i fushave të ndryshme, si i letërsisë, folkloristikës, publicistikës, studimeve shkencore etj. Për Krajën janë shkruar mbase më shumë libra sesa për çdo trevë tjetër shqiptare në Malin e Zi të sotëm.

Elementet artistike të inskenimit të skenave të ndryshme përmes lojës së tre narratorëve shpërfaqin dramën e Krajës – dramën e shpërnguljes, e shtëpive dhe fshatrave të boshatisura. Përkundër kësaj drame, autori duket sikur përmes këtyre narratorëve dhe aktorëve të rinj në mënyrë simbolike përçon mesazhin se jeta në Krajë do të vazhdojë


Për Krajën janë realizuar edhe më herët reportazhe dhe dokumentarë të ndryshëm, qoftë nga gazetarë ose autorë vendas dhe nga jashtë. Të gjithë ata kanë vlerën e tyre të pamohueshme, sepse flasin dhe ndriçojnë aspekte të ndryshme të kësaj treve. Pra, me këtë dua të them se Kraja nuk është një temë apo subjekt i panjohur, por ajo që ka rëndësi është këndvështrimi i autorit që të na sjellë në një dritë të re një temë të njohur për ne.
Dokumentari si një formë e shprehjes televizive, në pamje të parë duket një formë e lehtë, por në realitet është tejet e vështirë për të përçuar mesazhin tek audienca, sepse ndërthur në vetvete një mori elementesh si ideja, teksti, pamjet, zëri etj., ku secili prej tyre ka rëndësinë e vet. Krahas kësaj vështirësi tjetër paraqet kufizimi kohor, sepse me pak duhet të thuash shumë.
Në manualet e gazetarisë thuhet se “cilësia e një dokumentari nuk varet vetëm nga përmbajtja e subjektit, por edhe se si arrin të tregohet ky subjekt përmes imazhesh dhe zërash”. Dhe unë mendoj se Kraja na vjen në këtë dokumentar në mënyrën më të mirë dhe më të bukur përmes rrëfimit të vetë krajanëve.
Po ashtu “cilësia e një dokumentari, mes mundësive të shumta strukturuese që kanë autorët përkatës, varet në fund të fundit nga çështja se sa i përshtatet dhe temës forma e zgjedhur… Këtu këndvështrimi subjektiv i autorit luan një rol vendimtar”. Nisur nga kjo, autori ka shfrytëzuar lirinë që të jep kjo formë e shprehjes duke përdorur gjuhën filmike për të përçuar idetë e veta dhe mesazhin tek audienca.

Për dallim prej dokumentarëve të zakonshëm, autori ka zgjedhur që përmes narratorëve të na tregojë Krajën me të gjitha dritëhijet e saj. Tre narratorët e rinj (Teuta Gjeçbritaj, Adnan Gjençaj dhe Beisa Haxhimurati) na çojnë në pjesë të ndryshme të Krajës, na njohin me historinë, traditat, jetën dikur dhe sot në Krajë. Është, si të thuash, një “udhëtim në kohë”… Bukuritë mahnitëse dhe pasuritë e Krajës shpalosen përmes syrit të kamerës, ashtu sikurse edhe dashuria dhe mallëngjimi i madh, sidomos i atyre krajanëve që nuk jetojnë më në Krajë. Pra, është një dokumentar sa informues e dokumentues, aq edhe promovues


Për dallim prej dokumentarëve të zakonshëm, autori ka zgjedhur që përmes narratorëve të na tregojë Krajën me të gjitha dritëhijet e saj. Tre narratorët e rinj (Teuta Gjeçbritaj, Adnan Gjençaj dhe Beisa Haxhimurati) na çojnë në pjesë të ndryshme të Krajës, na njohin me historinë, traditat, jetën dikur dhe sot në Krajë. Është, si të thuash, një “udhëtim në kohë” (kujtoj se këtë titull mban një prej librave të autorit Ali Gjeçbritaj). Përzgjedhja e të intervistuarve të fushave të ndryshme na ofron një tablo të plotë mbi të kaluarën, arkitekturën, traditat, jetën, arsimin, veprimtaritë kryesore shoqërore, lëvizjet demografike dhe migrimin etj. në Krajë. Bukuritë mahnitëse dhe pasuritë e Krajës shpalosen përmes syrit të kamerës, ashtu sikurse edhe dashuria dhe mallëngjimi i madh, sidomos i atyre krajanëve që nuk jetojnë më në Krajë. Pra, është një dokumentar sa informues e dokumentues, aq edhe promovues.
Elementet artistike të inskenimit të skenave të ndryshme përmes lojës së tre narratorëve shpërfaqin dramën e Krajës – dramën e shpërnguljes, e shtëpive dhe fshatrave të boshatisura. Përkundër kësaj drame, autori duket sikur përmes këtyre narratorëve dhe aktorëve të rinj në mënyrë simbolike përçon mesazhin se jeta në Krajë do të vazhdojë.
Titulli i dokumentarit “Kraja – sa afër, aq larg” pasqyron në vetvete realitetin e hidhur. Kraja është vërtet afër shpirtit dhe zemrës së secilit krajan, por fizikisht larg, sepse shumica e banorëve tashmë janë larguar. Unë uroj dhe shpresoj që ky realitet të ndryshojë në të ardhmen. Tekefundit, ky është edhe mesazhi përmbyllës i dokumentarit.
Haxhi Shabani është një autor i sprovuar tashmë në këtë fushë (kujtoj se ai ka realizuar disa dokumentarë, qoftë për treva apo personalitete të ndryshme shqiptare në Malin e Zi). Ky dokumentar është promovimi më i mirë që i bëhet Krajës dhe krajanëve.

(Fjala në promovimin e filmit dokumentar “Kraja – sa afër, aq larg” të autorit Haxhi Shabani, në Shtëpinë e Kulturës – Ostros, më 27 shtator 2023)

Të fundit

më të lexuarat