Tani as atraksion turistik

Plazhi i Madh është i rrezikuar nga ndotja e liqenit të Zogajve, ku nuk ka peshq si dikur dhe nuk peshkohet. Ky peshk është i rrezikshëm për t’u konsumuar. Prandaj edhe mënyra e peshkimit me kalimere, mënyrë e vjetër e peshkimit, nuk po aplikohet më në Port Milenë. Kalimeret po prishen, nuk ndërtohen të reja. Për këtë askush nuk po e ngre zërin

Asllan Bisha

Liqeni i Zogajve pranë Ulqinit nuk lidhej dikur me Detin Adriatik. Në vitin 1884, princ Nikolla e vizitoi qytetin e Ulqinit dhe mësoi se njëra prej kërkesave të ulqinakëve ishte shpëtimi nga sëmundja e malaries. Paria e qytetit e njoftoi se vdekja e fëmijëve ishte problemi më i madh i ulqinakëve.
Ai u angazhua dhe dërgoi në këtë liqen specialistin e tij, rusin Vladimir Ivanoviç, për të lidhur liqenin e Zogajve me Detin Adriatik që ishte më shumë se 4 km larg. Kjo vepër u quajt me emrin e vajzës së tij Port Milena. Dhe vërtet u lidh liqeni me detin. Ndodhi një befasi e këndshme – uji i njelmët i detit hyri në liqen duke e bërë efektin e vet. Përpos që u pakësuan mushkonjat në liqen, banorët e Ulqinit përfituan sepse në liqenin e Zogajve – në Port Milenë, me baticë u futën peshq deti dhe Port Milena u pasurua me peshq deti dhe peshq të ujit të ëmbël. Kishte aq shumë saqë ulqinakët thoshin “po shkoj me marrë peshk në Port Milenë”. Përpos peshqve të ujit të ëmbël si ngjala, në Port Milenë u fut levreku, qefulli, shojza etj. Peshkimi u bë një mjet për të siguruar peshq jo vetëm për Ulqinin, por për gjithë bregdetin.

Tani kur kaloi edhe një sezon i mirë turistik, sidomos në Plazhin e Madh të Ulqinit, është koha që të ndërmerren masa për ta shpëtuar kanalin Port Milena, së paku me disa ekskavatorë të thellohet Gryka e Port Milenës në mënyrë që të shpëtohet një pasuri nacionale dhe Ulqini të marrë frymë


Në liqenin e Zogajve – Port Milenë u ndërtuan kalimere që në Ulqin shpjegohet me fjalët “në kalim merre” peshkun. Dhe kështu ndodhte zakonisht. Liqeni ishte një rezervuar i peshkut, i cili hynte sidomos me baticë. Kur fillonte vjeshta e vonë, kur binin shira ose migronte ngjala për t’u shumuar në Detin Saragas, ulqinakët peshkonin shumë ngjala. Mali i Zi atëherë zinte vendin e dytë në Evropë për peshkimin e ngjalave. Gjithmonë kishte peshq. Sidomos kur fillonte të ftohtit, peshqit migronin përkohësisht në ujërat e detit dhe peshkoheshin nga peshkatarët. Vinin nga qyteti i Ulqinit, që është 4 km larg. Shumë familje jetonin nga peshku.
Dhe liqeni i Zogajve – Port Milena u mbush me kalimere – rrjeta peshkimi që ishin primitive, por atraktive, sepse në liqen kishte mjaft peshk. Kur nisi turizmi në Ulqin në Plazhin e Madh, Port Milena, pra liqeni ishte atraksion turistik. Reklamat turistike ishin të shumta dhe e lartësonin emrin e turizmit ulqinak.
Kështu vazhdoi deri para rreth 15 viteve kur liqeni filloi të mbushet me mbeturina, inerte etj. Sipërfaqja e tij u zvogëlua ndjeshëm dhe liqeni u cektësua. Rreth Port Milenës filloi ndërtimi i shtëpive, ku kanalizimi u hodh në liqen, mushkonjat u shtuan, nuk stërpiket asgjë. Gjatë verës liqeni kundërmon erë ndyrësire. Derdhen ujërat edhe nga Bardhela e ndotur, por edhe nga Bratica. Kanalizimi derdhet në kanal të Port Milenës. Ky liqen tani është një bombë ekologjike. Ai është i rrezikshëm, pritet të shpërthejë, për çdo vit hyn më pak uji i baticës në liqen. As me ekskavatorë nuk thellohet vija e Port Milenës në grykë. Të gjithë heshtin. Plazhi i Madh është i rrezikuar nga ndotja e liqenit të Zogajve, ku nuk ka peshq si dikur dhe nuk peshkohet. Ky peshk është i rrezikshëm për t’u konsumuar. Prandaj edhe mënyra e peshkimit me kalimere, mënyrë e vjetër e peshkimit, nuk po aplikohet më në Port Milenë. Kalimeret po prishen, nuk ndërtohen të reja. Për këtë askush nuk po e ngre zërin.

Rreth Port Milenës filloi ndërtimi i shtëpive, ku kanalizimi u hodh në liqen, mushkonjat u shtuan, nuk stërpiket asgjë. Gjatë verës liqeni kundërmon erë ndyrësire. Derdhen ujërat edhe nga Bardhela e ndotur, por edhe nga Bratica. Kanalizimi derdhet në kanal të Port Milenës. Ky liqen tani është një bombë ekologjike. Ai është i rrezikshëm, pritet të shpërthejë, për çdo vit hyn më pak uji i baticës në liqen


Pak shkruhet edhe në media. Thua se të gjithë janë pajtuar me rrënimin e liqenit, me dëmtimin e kësaj pasurie kombëtare, bile nuk frikohen se këtu mund të shpërthejë edhe sëmundja.
Tani kur kaloi edhe një sezon i mirë turistik, sidomos në Plazhin e Madh të Ulqinit, është koha që të ndërmerren masa për ta shpëtuar kanalin Port Milena, së paku me disa ekskavatorë të thellohet Gryka e Port Milenës në mënyrë që të shpëtohet një pasuri nacionale dhe Ulqini të marrë frymë. Ndërmarrja Publike “Të Mirat Detare” duhet ta shpëtojë Port Milenën. Po ashtu Komuna e Ulqinit është përgjegjëse për territorin e saj. Ajo duhet të ndërmarrë iniciativën për ta shpëtuar liqenin e Zogajve – Port Milenën. Edhe pse të vonuar, më mirë vonë se kurrë.
As shoqatat joqeveritare nuk po e kryejnë punën e vet. Kjo pasuri shekullore është lënë në dorë të fatit dhe duhet vendosur si prioritet.
Ky shkrim ka qëllim për të nxitur iniciativën te të gjithë ata që e duan Ulqinin dhe pasurinë turistike të tij. Një perlë turistike është në rrezik. Prandaj duhet vepruar sa më parë, tani kur po mbaron ky sezon turistik.

Të fundit

më të lexuarat