Synimi, përfaqësim autentik i shqiptarëve

Forumi Shqiptar dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve, javën e kaluar kanë formuar klubin e përbashkët të deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi, kryetar i të cilit do të jetë, z. Nik Gjeloshaj.
Në deklaratën e përbashkët të Forumit Shqiptar dhe të Unionit Demokratik të Shqiptarëve theksohet se hapin për formimin e këtij klubi të deputetëve shqiptar e kanë bërë me synim të bashkimit sa më të madh të shqiptarëve dhe përfaqësimin e tyre autentik.
“Vetëm së bashku mund të punojmë për integrimin dhe përparimin e shqiptarëve, dhe kjo do të jetë pjesa kryesore e agjendës sonë të veprimit. Veprimtaria politike e klubit është unike në çdo aspekt, duke mbrojtur dhe promovuar njëzëri të drejtat e popullit shqiptar.
Në këtë mënyrë, tre deputetë unikë shqiptarë do të përfaqësojnë popullin e tyre me dinjitet dhe do të punojnë me përkushtim dhe për zhvillimin dhe avancimin e të gjitha komunave ku jetojnë shqiptarët”, theksohet në këtë deklaratë të përbashkët.
Më tutje, siç thuhet, gjuha shqipe do të dëgjohet dhe do të jehojë në Kuvendin e Malit të Zi nga ky klub i përbashkët i deputetëve, me synim, vazhdimin e integrimit të shqiptarëve, përmirësimin e standardit të tyre të jetesës dhe faktorizimin e plotë.
“I cili do të forcohen përmes klubit tonë. Gjithashtu, klubi ynë do të përfaqësojë një themel konkret për promovimin e vlerave evropiane dhe perëndimore, duke mbështetur dhe duke u angazhuar që Mali i Zi të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i BE-së, si dhe duke forcuar pozitën e Malit të Zi në NATO”, thuhet në këtë deklaratë.
Nga Forumi Shqiptar dhe nga Unioni Demokartik i Shqiptarëve është njoftuar se ky klub do të mbajë marrëdhënie të shkëlqyera si me vendet e rajonit, ashtu edhe me vendet perëndimore, në radhë të parë me SHBA-në, si aleatin e tyre kryesor.
“Jemi të sigurt se klubi ynë do ta përfaqësojë kombin tonë në mënyrë të ndershme dhe autentike edhe në qeverinë e re të 44-të që do të formohet në Mal të Zi”, përmbyllet kjo deklaratë e firmosur nga Nik Gjeloshaj (Forumi Shqiptar) dhe Mehmet Zenka (Unioni Demokratik i Shqiptarëve).

t. u.

Të fundit

më të lexuarat