Podgoricë – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zhvilloi të enjten (5 tetor 2023) takim me faktorin politik shqiptar i cili u mbajt në Podgoricë, ndërsa tematikë e këtij takimi ishte “Regjistrimi i popullsisë dhe pronës”, 2023. Nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi njoftohet se gjatë zhvillimit të diskutimeve, në takim ka mbizotëruar mendimi se afati për realizimin e censusit është dashur të shtyhet për një afat të caktuar. “Me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të të gjitha parakushteve administrativo-teknike dhe të stabilizimit të situatës së përgjithshme politike për realizimin e një pune kaq të rëndësishme që bëhet 1 herë në 10 vite”, thuhet në deklaratën e KKSH-së. Me tej, ata kanë bërë të ditur se janë dakordësuar që të gjithë së bashku, të angazhohen, duke i ftuar të gjithë shqiptarët në Mal të Zi (pa përjashtim), që të deklarojnë përkatësinë e tyre kombëtare dhe gjuhën shqipe, gjuhë amtare. “Sepse, këto elemente kanë rëndësi jetike për interesat tona kombëtare në Mal të Zi”, thuhet në këtë deklaratë. Nga KKSH-ja kanë thënë se do të vazhdojnë takimet dhe koordinimin e aktiviteteve për të informuar bashkatdhetarët të cilët përkohësisht ndodhen me punë jashtë vendlindjes, që në mënyrë aktive të marrin pjesë në proces, të regjistrojnë pjesëtarët e familjes dhe pronën e tyre. “Të drejtë kanë të gjitha ata që kanë certifikatën e lindjes dhe dokumentet e shtetësisë së Malit të Zi. Është shumë e nevojshme që shqiptarët në Rozhajë, Plavë, Guci, Podgoricë, Tuz- Malësi, Tivar e Ulqin, gjatë këtyre ditëve të aplikojnë në konkurs për regjistrues dhe instruktor. Po ashtu, kërkojmë të kemi anëtarë shqiptarë në Komisionin Shtetëror të Përpunimit të të Dhënave dhe Informatave të Censusit. Jemi shqiptarë, flasim shqip” përmbyllet kjo deklaratë. Kujtojmë se regjistrimi i popullsisë, i amvisërive dhe i shtëpive do të zhvillohet nga data 1 deri më 15 nëntor 2023. Regjistrimi i fundi i popullsisë në Mal të Zi është bërë në vitin 2011.
t. u.