Tuz – Krijimtaria artistike e mbi tridhjetepesë piktorëve shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi u shpalos në hollin e QKI-së “Malësia” në Tuz, të enjten mbrëma me 28 shtator 2023, organizuar nga Komuna e Tuzit. Kjo ekspozitë kolektive e karvanit artistik “Artistët për artistët” mblodhi të gjithë shqiptarët e trojeve, ndërsa është jetësuar si nevojë e socializimeve në mes të artistëve dhe artdashësve, me qëllim kryesor të saj, që gjeneratat e vjetra të jenë urë lidhëse për gjeneratat e reja. Këtë ekspozitë e shpalli të hapur znj. Marina Ujkaj, sekretare e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale në Komunën e Tuzit, e cila tha se është privilegj i veçantë që Komuna e Tuzit është e para që e pranoi nismën që karvani artistik të vazhdojë nga komunat e tjera, pikërisht këtu në Tuz. “Këtë karvanin artistik e pasuruat edhe Ju pjesëmarrës të kolonisë artistike me punimet Tuaja. Shpresoj që edhe ju artistë që për herë të parë jeni sonte në Komunën e Tuzit të kaloni çaste të bukura dhe të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe vitin e ardhshëm”, u shpreh sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj. Admiruesit e artit pamor, përveç pikturave të artistëve të karvanit artistik, patën mundësi të shikojnë edhe pikturat e artistëve që ishin pjesëmarrës në koloninë artistike “Një gotë për Gjeloshin” e cila u mbajt me 6 korrik në Komunën e Tuzit. Mbi karvanin artistik “Artistët për artistët” dhe mbi krijimtarinë e gjerë artistike që u shpalos në Tuz foli piktori, Musë Prelvukaj i cili tha se përmes kësaj ekspozite është shpalosur një konglomerat i krijimeve artistike, kryesisht bashkëkohore. “Në këto punime kemi figuracione, abstraksione, kemi peizazhe, kemi liri krijuese të artistëve që meriton çdo respekt. Në këtë ekspozitë paraqiten, që prej artistëve veteranë deri te artistët më të rinj, që do të thotë se ju hapet rruga të gjitha gjeneratave që sot në Komunën e Tuzit të paraqiten me punimet e veta, por të paraqiten edhe fizikisht sepse, kemi njerëz që për herë të parë e vizitojnë Tuzin”, u shpreh piktori, Musë Prelvukaj. Ai shtoi se Tuzi, është një qendër me lakmi për shumë aktivitete. “Kjo është e mirë për qytetarët e Tuzit, por edhe për të gjithë qytetarët e tjerë që e vizitojnë Tuzin. Faktikisht, kemi një pasuri shpirtërore. Këtu në ekspozitën e kolonisë artistike, ishte edhe simpoziumi mbi xhubletën, por është edhe viti kushtuar xhubletës, reliktit më të vjetër shqiptar, ku artistët në tablotë e tyre ose në telajo, e kanë paraqitur në detaje sipas bindjeve të veta artistike”, u shpreh në mes tjerash Prelvukaj. Ai tha se kjo ngjarje artistike tregon bashkëpunimin e Komunës së Tuzit me shumë qytete të viseve shqiptare të rajonit, por nëse jepet rasti, edhe të atyre joshqiptare. “Kjo do ta pasuronte edhe më shumë krijimtarinë dhe veprimtarinë artistike në Komunën e Tuzit. Unë ju falënderoj dhe ju uroj suksese të tjera të pandalshme”, u shpreh piktori, Musë Prelvukaj. Ekspozita kolektive “Artistët për artistët” është paraqitur një ditë më vonë, me 29 shtator në mbrëmje edhe në Komunën e Ulqinit, pikërisht në Qendrën për Kulturë në Ulqin.
t. u.
