
Filmi dokumentar i Haxhi Shabanit “Kraja – sa afër aq larg” bazohet në të kaluarën dhe të tashmen – për të ndërtuar një rrëfim të jetës dhe ngjarjeve me qëllim të dokumentimit të disa aspekteve te realitetit.
Dokumentarët zakonisht fokusohen në tema historike, shkencore, sociale me qëllimin kryesor: të ndriçojnë një histori, të edukojnë dhe të ofrojnë njohuri për një ngjarje te caktuar.
Autori i filmit dokumentar “Kraja – sa afër aq larg”, Haxhi Shabani, gërsheton me mjeshtëri çdo detaj, çdo pasuri të trevës së Krajës në disa minuta te vetme, një rrëfim i cili për Krajën do të mund të zgjaste me orë të tëra, nga mëngjesi deri në darkë.
Duke mos dashur të merrem me shumë detaje të këtij filmi dokumentar, ajo që e bën këtë film të veçantë, është mënyra e rrëfimit.
Në këtë realizim del në pah me cilësi edhe puna e secilit pjesëtar të ekipit teknik, duke filluar nga kamera që pasqyron më së miri këtë trevë me çdo pamje filmike realizuar nga: Allmir Suka, Amir Suka dhe Arjan Bejta. Gjithashtu, bien në sy narratorët në këtë film: Teuta Gjeçbritaj, Adnan Gjençaj dhe Beisa Haxhimurati. Portretet e tyre në film flasin më shumë se fjalët
Ky dokumentar nis përshkrimin e jetës në Krajë që nga mënyra e jetesës së krajanëve, kushteve shtëpiake, për të vazhduar me mënyrën se si ata kanë mbijetuar e ndërvepruar, duke mos lënë anash prodhimet vendore e tradicionale si: ai i duhanit, i kultivimit të gështenjave, bluarja e drithërave, peshkimi, pasuria bimore dhe shtazore etj., të cilat kanë rrugëtuar në rajon e më gjerë. Filmi, në vazhdim, trajton zhvillimin e vrullshëm ekonomik me funksionimin e fabrikave të ndryshme që ishin në Krajë, në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, dhe lidhjen e ngushtë e tradicionale me qytetin e Shkodres.
Autori Shabani prek të gjitha pikat kyçe e karakteristike të kësaj krahine si: simbolin e gurit, ublat, këngën e Rumisë, këngë e cila portretizon Krajën, me të cilën personalisht kam një lidhje të vecantë, pasi jam rritur me të.
Ajo çka e veçon Haxhi Shabanin, si autor i dokumentarëve, është rrëfimi i tij përmes narratorëve, ku e shohim saktë qasjen e tij ndaj kësaj teme. Në këtë mënyrë ai ia bën të afërt dhe të prekshme publikut situatat.
Për fund, jo pa qëllim, autori i këtij filmi, lë temën e migrimit, e cila jam e sigurt se është kryefjala e këtij dokumentari.
Në këtë realizim del në pah, me cilësi edhe puna e secilit pjesëtar të ekipit teknik, duke filluar nga kamera që pasqyron më së miri këtë trevë me çdo pamje filmike realizuar nga: Allmir Suka, Amir Suka dhe Arjan Bejta. Gjithashtu bien në sy narratorët në këtë film: Teuta Gjeçbritaj, Adnan Gjençaj dhe Beisa Haxhimurati. Portretet e tyre në film flasin më shumë se fjalët.
Autori i këtij filmi, Shabani bashkë me bashkautorët dhe bashkëpunëtorët e tij, tashmë janë bërë të njohur me pasqyrimin e situatave retrospektive e aktuale të krahinave tona. Shpreh mendimin se ky film, sadopak, do të ndikojë në ndryshimin e situatës aktuale në trevën e Krajës e cila ofron shumë dashuri dhe meriton të rikthejë jetën e njerëzit e saj, krajanët.
(Lexuar në përurimin e filmit “Kraja – sa afër aq larg”, në Ostros, më 27 shtator 2023)
