Çdo begati dhe lulëzim që ka lidhje me qytetërimin është arritur me anë të arsimit

Hajrullah Hajdari

Në vitin vijues shkollor 1994/95 vazhdoi bashkëpunimi i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, për regjistrimin e studentëve në universitetet e Shqipërisë. Kështu, më shkresën nr. 9852/datë 12 gusht 1994 Ministria e Arsimit të Shqipërisë, nëpërmes Ambasadës në Beograd, dërgoi kuotat e pranimit të studentëve shqiptarë nga Mali i Zi dhe Presheva. Sipas kësaj shkrese në Universitetet e Shqipërisë mund të regjistrohen 52 studentë nga Mali i Zi dhe 15 nga Lugina e Preshevës. Komisioni i LDnëMz-së për caktimin e studentëve për regjistrim, më datën 25 gusht 1994 shpalli konkursin për 52 vendeve të lejuara. Me shkresën nr. 164/94, datë 20 shtator 1994 LDnë MZ-ja nëpërmes Ambasadës së Shqipërisë në Beograd i përcjellë Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, “Listën e studentëve shqiptarë nga Mali i Zi të caktuar për regjistrim në vitin akademik 1994/95” me 35 kandidatë të caktuar. Studentët nga lista u regjistruan pa pengesa në fakultetet gjegjëse.
Për vitin shkollor 1995/96, për studentët nga Mali i Zi universitetet e Shqipërisë kishin paraparë vetëm 20 vende. Procedura e caktimit të kandidatëve për regjistrim mbeti e njëjta si në dy vitet e kaluara. Komisioni LDnëMZ-së për caktimin e studentëve për regjistrim më datën 18 shtator 1995 (shkresa nr. 235-2/95) i përcjellë Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, “Listën e studentëve shqiptarë nga Mali i Zi të caktuar për për regjistrim në vitin akademik 1995/96” me 20 kandidatët e caktuar. Të gjithë studentët nga lista pa asnjë pengesë u regjistruan në fakultetet gjegjëse.
Viti shkollor 1996/97 ishte viti i fundit i punës së Komisionit për regjistrimin e studentëve shqiptarë nga Mali i Zi sepse Ministria e Arsimit i kishte ndryshuar kushtet dhe procedurat e regjistrimit. Fillimisht duhet të cekim se Drejtoria e Kulturës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, më 18 qershor 1996 (shkresa nr.5930), nëpërmes Ambasadës të Shqipërisë në Beograd dërgoi planin e pranimit për kandidatët shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Për kandidatët nga Mali i Zi ishte planifikuar regjistrimi i 25 studentëve. Në shkresë ndër të tjera thuhej: ”Të drejtat e studimit për këtë kategori do të jepen nga komisionet e caktuara në trevat përkatëse. Lista e kandidatëve të miratuar nga komisionet përkatëse duhet të dërgohen në Ministrinë e Arsimit deri me dt. 15 shtator 1996”. Komisioni përkatës pasi më datën 15 korrik 1996 kishte shpallur konkursin për vendet e lira në Universitetet e Shqipërisë e pasi kishte bërë caktimin e kandidatëve, më datën 17 gusht 1996 ( shkresë nr. 80/2-96) i dërgoi Ministrisë së Arsimit listën e studentëve nga Mali i Zi të caktuar për regjistrim në fakultetet gjegjëse. Mirëpo situata kishte ndryshuar pasi me Vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, nr.501 dt..5 gusht 1996 shfuqizohet Vendimi i VMK-së nr.322 të datës.13 maj 1996, me të cilin LDnëMZ-ja nuk ishte njoftuar asnjëherë. Vendimi i ri VMK-së parashikonte që “pranimi në shkollat e larta i kandidatëve shqiptarë nga trevat jashtë kufijve të vendit bëhet me konkurs, sipas modaliteteve që përcaktohen në statutet e shkollave të larta”. Për këtë arsye lista e dërguar e studenteve tanë ishte e pavlefshme. Këtë LDnëMz-së ia komunikoi me 31 gusht 1996 drejtori i Arsimit të Lartë z. Gjergji File (Shkresa mbërriti më 2 shtator 1996). Për arsye të afatit të shkurtër që kishte mbetur, kandidatët u gjendën në pozitë mjaft të vështirë. Menduam se vijueshmëria e studimeve në gjuhën shqipe ishte vendosur në rrugë të mbarë, por kjo situatë po rrezikonte përsëri studimet e studentëve tanë në Shqipëri. Të brengosur për këtë situatë, LDnëMZ-ja, me qëllim që mos të ndërpritet shkollimi në gjuhën shqipe, aq më tepër kur situata në Kosovë po përkeqësohej, urgjentisht reagoi te institucionet shtetërore dhe politike të Shqipërisë. Fillimisht për këtë problematikë të shkaktuar nga moskordinimi i veprimeve dhe mungesës së komunikimit ndërmjet organeve dhe institucioneve shqiptare kryetari LDnëMZ-së z. Mehmet Bardhi iu drejtua Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Kryeministrit z. Aleksandër Meksi ( shkresa nr.86/96 dt.2 shtator 1996), që të marrë në konsideratë situatën e krijuar. Në shkresë ndër të tjera thuhej: “Vendimin e ri të VKM-së ….Komisioni në Mal të Zi nuk e ka marrë fare. Prandaj, i nderuar kryeministër, kërkojmë nga Ju dhe Ju lutemi që të shqyrtoni kërkesën tonë dhe t’i miratoni përcaktimet nga akti i parë që ne e kemi marrë si dhe pranimet e komisionit – të cilën listë ia dërguam Ministrisë së Arsimit (të cilën po ju dërgojmë edhe Ju)”. Përgjigje zyrtare në LDnë MZ nuk kishin e koha po kalonte dhe kështu po rrezikohej që kjo gjeneratë të mbetet pa u regjistruar. Për të bërë çka është e mundur më 25 shtator 1996 shkuan në Tiranë anëtarët e komisionot Ferid Kurti e Shaban Peraj si dhe i autorizuari i LDnëMZ-së Hajrullah Hajdari (autorizimi nr. 136/24. 09 1996). Ata u sorollatën nga një ministri në tjetrën dhe përfundimisht dëshmia që LDnëMZ-ja është njoftuar me vendimin e VMK-së nuk u gjind! Sa ishte kjo gjendje e krijuar më rëndësi, brengosëse dhe prokupuese për LDnëMZ- tregon fakti se përkundër se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi ishin caktuar më 3 nëntor z. Mehmet Bardhi ditën e fundit të fushatës zgjedhore më 1 nëntor, së bashku me Hajrullah Hajdarin shkuan në Tiranë ku u takuan me kryeministrin Aleksandër Meksi dhe drejtorin e DAL-së z. Gjergji File. Në bazë të bisedave të zhvilluara LDnëMZ-ja më datën 5 nëntor 1996 (shkresë nr.195/96) i dërgoi edhe njëherë Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë listën e studentëve të caktuar për regjistrim. Përgjigje pozitive nuk kishte e shpresat pothuajse po fundoseshin! Për këtë arsye z. Mehmet Bardhi më 22 nëntor 1996 u takua me Presidentin e Shqipërisë z. Sali Berisha i cili e siguroi se kërkesa e jonë është çështje e kryer. Kaluan gati dy javë nga ky takim e semestrit të parë po i ofrohej fundit, ndërkaq nga Ministria e Arsimit nuk erdhi asnjë përgjigje. Por shpresa vdes e fundit, prandaj këta të rinj edhe më tutje shpresonin! Pikërisht njeriu i fjalës, besës dhe shpresës presidenti i Shqipërisë z. Sali Berisha më 7 dhjetor 1996, në orët e vona të pasdites pasi orari i punës kishte mbaruar, e merr në telefonin e shtëpisë z. Mehmet Bardhi dhe i komunikon lajmin e shumëpritur se studentët nga lista mund të vijnë që nesër e të regjistrohen në fakultetet gjegjëse! Lajmi u përhap shumë shpejt e gëzimi ishte shumë i madh. LDnëMZ-ja ishte krenare sepse u sigurua edhe njëherë vijueshmëria e studimit shqip dhe furnizimit me kuadro profesionale të shkolluar në gjuhën shqipe. Më 9 dhjetor të gjithë kandidatët nga lista udhëtuan për në Shqipëri, ndërsa më datën 10 dhjetor të gjithë pa probleme të theksuara u regjistruan në fakultetet gjegjëse dhe filluan rrugëtimin e tyre akademik.
Për gjithë këto vite Universitetet e Shqipërisë për trevat e banuara me shqiptarë në Mal të Zi kanë luajtur rol të rëndësishëm në edukimin dhe forcimin e ndjenjës kombëtare te shqiptarët në përgjithësi dhe padyshim paraqesin bazë të sigurt për sigurimin e kuadrove me përgatitje të lartë profesionale. Falë kësaj sot kemi kuadro të profileve të ndryshme, magjistra e doktor shkencash. Pikërisht për këto arsye e shumë të tjera është e udhës që të kujtohet e shënohet 30 vjetori i regjistrimit të studentëve të parë shqiptarë nga Mali i Zi në Universitetet e Shqipërisë, në radhë të parë nga LDnëMZ-ja si bartëse e të gjitha veprimeve në regjistrimin e studentëve dhe nga vetë studentët e gjeneratës të parë – viti akademik 1993/94. Po ashtu do të ishte shumë e arsyeshme që LDnëMZ-ja të ndajë mirënjohje për Universitetet e Shqipërisë në të cilët studiuan studentët tanë dhe sigurisht për njeriun i cili u angazhua dhe kontribuoi më së shumti në regjistrimin e studentëve shqiptarë nga Mali i Zi në Universitetet e Shqipërisë, presidentin e asaj kohe të Shqipërisë z. Sali Berishën.
Të studiosh në Universitetet e Shqipërisë ishte ëndërr e shumë gjeneratave që nga viti 1945-1993, por këtë privilegj e gëzuan për të parën herë gjenerata e nxënësve 1993/94. Pikërisht për këtë arsye ato i detyrohen LDnëMZ-së dhe aktivistëve të saj. Është mirë që së paku të organizojnë një mbrëmje shoqërore ku do të evokoheshin përjetimet, vështirësitë, jeta studentore në ato kushte dhe të vlerësohet kontributi i LDnëMZ-së për angazhimin e saj që rezultoi me regjistrimin, studimin dhe arritjen e titujve profesional e shkencor të tyre.
“Çdo begati dhe lulëzim që ka lidhje me qytetërimin është arritur me anë të arsimit. Pa arsim asnjë popull nuk ka përparuar, por ka rënë poshtë nga dita në ditë derisa më në fund është ballafaquar me gjithfarë fatkeqësish” kishte thënë Abdyl Frashëri në fjalimin e mbajtur më 14 janar 1878 në parlamentin Osman për çështjen e arsimit. Vërtetë universitetet e Shqipërisë duke hapur dyert për studentët shqiptarë në Mal të Zi na shpëtoi nga e keqja dhe fatkeqësitë që i sjell me vete mosarsimimi i popullsisë në gjuhën amtare.

Të fundit

më të lexuarat