Komuna e Tuzit në kuadër të manifestimit “Vera në Malësi” organizoi festivalin e filmit kosovar i cili u mbajt në hapësirat e Kullës së Vuksanlekajve nga data 19 deri më 23 shtator 2023.
Në natën e parë, (19 shtator 2023), në prani të përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe të atij qendror dhe të një publiku të gjerë, këtë festival e shpalli të hapur ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka-Hoxha e cila tha se artdashësve në Malësi dhe më gjerë po ju prezantohen disa nga veprat e përzgjedhura të kinematografisë kosovare.
“Ndaj dhe jam e privilegjuar që jam pjesë e kësaj ngjarjeje e cila paraqet më shumë se një ngjarje kulturore, pasi që është një mundësi që filmi të na sjellë më pranë njëri-tjetrit dhe të nxis ndërtimin e urave të reja të kuptimit dhe bashkëpunimit” u shpreh ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka- Hoxha.
Ajo falënderoi kreun e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshajn, për punën me devotshmëri për të realizuar këtë ngjarje të rëndësishme kulturore.
“Me këtë, edhe një herë kanë dëshmuar përkushtimin e Komunës së Tuzit që përveç sukseseve të arritura për një kohë të shkurtër në zhvillimin e saj socio-ekonomik, ka një përkushtim të veçantë për kulturën, artin dhe sportin, segmente të rëndësishme që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm kulturor dhe social të kësaj zone”, u shpreh Zherka- Hoxha.
Ndërkohë, duke folur për kinematografinë kosovare, znj. Zherka-Hoxha theksoi se ajo ka shënuar një rritje dhe zhvillim të jashtëzakonshëm, duke rezultuar me sukses edhe në skenën ndërkombëtare.
“Zhvillimi dhe afirmimi ndërkombëtar i filmave kosovar është një sukses unik i bazuar në punën dhe talentin e jashtëzakonshëm të krijuesve tonë. Ata, në një vend të shkatërruar nga lufta, izolimi dhe diskriminimi për dekada, kanë gjetur forcën dhe vullnetin jo vetëm për të rindërtuar jetën e tyre por krijuan vepra artistike me vlerë të lartë që u kurorëzuan me suksese të njëpasnjëshme dhe duke zënë një vend të merituar në kinematografinë botërore”, u shpreh ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka-Hoxha.
Java e filmit- u shpreh ajo- është një rast i shkëlqyeshëm për të paraqitur krijimtarinë e kinematografisë kosovare që sonte po hapet me filmin “Zgjoi”.
Filim “Zgjoi” është i bazuar në ngjarje të vërtetë është një nga veprat më emblematike. Përmes realizimit brilant të regjisores, Blerta Pasholli dhe kastës së talentuar të aktorëve, filmi “Zgjoi” tregon historinë e zonjës Fahije Hoti nga Krusha e Madhe që dëshmon përpjekjet, vendosmërinë dhe vullnetin e pashoq të një gruaje për të rindërtuar jetën dhe për të vazhduar përpara.
Ndërkaq, sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale në Komunën e Tuzit, Marina Ujkaj tha se tanimë, edhe java e filmit është tradicionale, duke u përpjekur që Komuna e Tuzit të sjellë krijimtarinë dhe artin në të gjitha zhanret e veta, duke ua ofruar ato qytetarëve të saj.
“Pas vetes lamë Panairin e Katërt të Librit që u organizua dhe me suksesin që arriti, dëshmoi më së miri për nevojën e organizimit të aktiviteteve të këtilla në trevën tonë”, u shpreh Ujkaj.
Ajo tha se java e filmit kosovar prek tematika nga më të ndryshmet, kryesisht të dekadave të fundit duke i treguar botës përmes filmit se këtu po rritet një gjeneratë e re.
“Sivjet kemi vendosur që të prezantojmë katër filma, krijimtari filmike të filmit kosovar, vendit me të cilin ndajmë shumë gjera të përbashkëta, autorët dhe regjisorët të cilët i kemi edhe miq” u shpreh Ujkaj.
Ky festival zgjati plot pesë natë, ndërsa adhuruesit e kinematografisë kishin rastin që t’i shikojnë katër filma të prodhuar në Kosovë e të cilët kanë fituar çmime prestigjioze si: “Zgjoi”, “Vera ëndërron detin”, “Zana”, dhe filmi “Në kërkim të Venerës”.
Karakteristikë e këtyre filmave të shfaqur është fakti që kanë për regjisor femrat kosovare.
Kjo është hera e parë që në Malësi organizohet java e filmit kosovar.
t. u.
