Plavë – Në organizim të OJQ-së “Shkaba” nga Prishtina, në krye me organizatoren Ambera Kelmendi, në orët e pasdrekes të ditës së shtunë, më 23 shtator 2023, në nënqiellin e hapur të natyrës, pikërisht në ambientin para objektit të Galerisë “Hoti”, pronë e piktores, poetes dhe aktivistes shumë përfshirëse në art dhe kulturë, Kaltrina Hoti, në fshatin kodrinoro-malor Hoti i Kujit, ku para dy javësh është hapur ekspozita e punimeve të artistëve të Karvanit artistik ndërshtetëror “Artistët për artistët”, në praninë e numrit të konsiderueshëm të artdashësve vendas, por edhe nga Plava, Bogajiqi, Martinajt, Vuthajt dhe më gjerë, është mbajtur Edicioni V i Festivalit të lahutës “Lahuta, Okarina, Polifonia”, programin e të cilit e ka udhëhequr në mënyrë dinjitoze e profesionale, aktori e regjisori i teatrit nga Prishtina, Sokol Plakolli, i cili njëherazi është edhe themeluesi i Qendrës për zhvillimin e kulturës tradicionale “Shkaba” në Prishtinë.
Në festivalin në fjalë, i cili vërtetë pati karakter promovues të instrumentit popullor të lashtë ndër shekuj – lahuta, duke u përmendur edhe okarina e polifonia, që u mbajt në atmosferë të çiltër e ambient manifestues, kanë marrë pjesë artistët lahutarë të veshur me kostume (rroba) tradicionale kombëtare shqiptare, meshkujt me tirq, jelek, plis të bardhë, shokë (brez) shumëngjyrësh e opinga të thurura me qenar, e femra me xhubletë të lashtë shumëshekullore dhe pjesë të tjera të rrobave kombëtare nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Nga Shqipëria: Lahutarja e vetme pjesëmarrëse e festivali, Lumturije Nonaj nga rrethi i Shkodrës, Gjon Kostreci nga Mirdita, Lulash Pllumi nga Lezha dhe lahutari më i ri 16-vjeçari nga Burreli, Emanuel Petrit Suka, i cili në ditën e mbajtjes së festivalit shënoi ditëlindjen e 16-të të vet. Nga Kosova: lahutarët Hysen Kurtaj e Isa Muriqi nga Rugova e Pejës dhe 19-vjeçari nga Gjakova, Leonid Shllaku, i lindur në Klinë të Kosovës, dhe nga Mali i Zi: Agron Ujkashi nga Ulqini dhe Cen Haxhaj e Din Sinanaj nga Hoti i Kujit.
Pritja e mysafirëve pjesëmarrës të festivalit ishte vërtetë madhështore, simbolike dhe mikpritëse. Ata i emocionuar dhe i mallëngjyer i priti dhe u shprehu mirëseardhje në emër të nikoqirit organizues hotjani Ibër Hoti, me ç’rast sipas traditës dhe zakonit të vendit, nikoqiri bashkë me një mysafir thyen bukën e misrit që ua solli një djalosh, nga e cila pastaj me nga një kafshatë, e shijuan në praninë e pjesëmarrësve duke u përkujtuar dhe mbështetur në thënien e urtë të shqiptarëve “Mysafiri pritet me bukë, qejf e zemër”.
Para fillimit të programit, nikoqirja organizuese, Kaltrina Hoti, mysafirët dhe gjithë të pranishmit të tjerë i ka gostitur me ushqim dhe pije freskuese tradicionale të vendit: fli, pite, petulla (krofne), bukë misri, kos të trashë, kjumsht, por edhe raki të vendit e lëng të frytit të boronicës së vendit të cilat i kishte përgatit me mjete të buxhetit të vet familjar.
Programin e festivalit të interpretimit të këngëve me lahutë e filloi femra e vetme lahutare nga Malësia e mbi Shkodrës me një këngë kreshnike, e pastaj me radhë edhe lahutarët tjerë, nder të cilët edhe ai më i riu, 16-vjeçari, Emanuel Petrit Suka. Lahutarja Lumturije Nonaj nga Shqipëria dhe Hysen Kurtaj nga Kosova, në fund të programit interpretuan edhe nga një këngë epike sipas zgjedhjes nga repertori i tyre i begatë, kurse udhëheqësi i programit, Sokol Plakolli, i veshur në kostum shqiptar i ngjitur në një kodrinë të afërt në stilin e aktorit prononcoi në akt teatral.
Nikoqirët e përgatitjes dhe organizimit të festivalit në fjalë, në krye me aktivisten Kaltrina Hoti, të gjithë pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në festival ua dorëzuan fletë mirënjohjet dhe nga një pikturë të kornizuar formatesh bukur të mëdha nga koleksioni i punimeve të piktores Kaltrina Hoti.
Festivalin në fjalë, edhe pse u mbajt në vend me lartësi mbidetare prej rreth 1.700 metrash medialisht e përcollën: Ekipi i RTV të MZ në krye me gazetaren Paula Dekaj dhe gazetari korrespodent i gazetës “Koha Javore” Shaban Hasangjekaj, autori i këtij teksti.
Para ndarjes së të pranishmëve të evenimentit vërtetë me peshë dhe vlerë, në ambientin e hapësirës para Galerisë “Hoti”, u zhvillua koncert i hareshëm dhe i gëzuar i përcjellë me këngë me çifteli nga këngëtari vendas, Sherif Sinanaj, dhe Lumnije Nonaj, këngëtare edhe me çifteli, si dhe me valle autoktone ku janë kyçur shumë të pranishëm.
Për të gjithë të pranishmit pas përfundimit të programit, Kaltrina Hoti me bashkëvendës dhe të tjerë, sërish shtroi koktej rasti solemn të begatë me ushqim dhe pije tradicionale të vendit.
Në fund të këtij teksti theksojmë se transportimin e mysafirëve pjesëmarrës të festivalit nga Plava deri në vendin e mbajtjes se tij në Hot të Kujit dhe anasjelltas, vullnetarisht e kanë kryere hotjanët vendas me automjetet e veta.
Shaban Hasangjekaj
