Kriza politike ka rrezikuar integriminnë BE

Parlamenti Evropian ka qortuar Malin e Zi për rrezikimin e procesit të integrimit të tij në Bashkimin Evropian për shkak të krizës politike.
Në raportin e miratuar nga Komisioni i Politikës së Jashtme të PE-së me 51 vota për, tri kundër dhe tetë abstenime, deputetët e Parlamentit Evropian kanë shprehur keqardhje për ngecjen e Malit të Zi në procesin e integrimit në BE si pasojë e krizës politike.
“Eurodeputetët shprehën se dështimi për të ndërtuar konsensus për çështjet e interesit kombëtar dhe mungesa e dialogut ndërpartiak, e kanë vonuar progresin në reformat evropiane dhe e kanë kthyer Malin e Zi në një krizë të thellë institucionale dhe politike”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga PE-ja pas miratimit të raportit.
Raporti është përpiluar nga deputeti kroat, Tonino Picula, raportues i PE-së për Malin e Zi.
Ai ka thënë se ky raport, që është i fundit në këtë mandat të Parlamentit Evropian, dëshmon një ngecje të gjatë të rrugëtimit të Malit të Zi drejt BE-së dhe ekzistencën e një krize të thellë politike në këtë shtet.
“Deputetët presin formimin e një qeverie pro-evropiane sa më shpejt që të jetë e mundur, një qeveri e cila qartë dhe pa dyshime mbështet politikat dhe vlerat evropiane, në përputhje me pritjet e shumicës domethënëse të qytetarëve të këtij vendi”, ka thënë Picula.
Eurodeputetët kanë shprehur shqetësim për tentimet për ndërhyrje dashakeqe nga jashtë, që vijnë sidomos nga Serbia, Rusia dhe Kina.
Ata kanë mirëpritur përshtatjen e plotë që Mali i Zi ka bërë me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
Raporti thekson se ligjvënësit evropianë mirëpresin vazhdimin e përkushtimit të Malit të Zi për integrim në BE dhe mbështetjen e lartë që ekziston për këtë gjë në opinionin publik.
Mali i Zi cilësohet si prijës në Ballkanin Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE. Ai është kandidat që nga viti 2010, kurse në vitin 2012 i ka hapur bisedimet për anëtarësim në BE. Megjithëse i ka hapur të gjithë (33) kapitujt, ka mbyllur përkohësisht vetëm tre kapituj.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat