Në Plavë dhe Hot të Kujit hapi ekspozitat e punimeve artistike

Plavë – Në organizim të piktores së mirënjohur nga fshati Hoti i Kujit i Komunës së Plavës, Kaltrina Hoti, e ndihmuar, mbështetur dhe përkrahur në forma dhe mënyra të ndryshme vepruese e kontribuuese nga: kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, bashkëvendësit hotjanë, Shaban Mehaj, Ibër Hoti, Cen Haxhaj, Xhevdet Sinanaj, Galo Pejçinoviq nga Plava dhe ca vullnetarë nga fshati në fjalë, më 3 shtator 2023, Komunën e Plavës e vizitoi Karvani artistik “Artistët për artistët” i përbërë nga artistët e zhanreve të ndryshme krijuese të arteve të bukura pamore nga katër shtete: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, themelues i të cilit është Veton Gusia, me prejardhje nga Gucia, me ç ‘rast hapi (shfaqi) dy ekspozita me gjithsej 84 punime të zhanreve të ndryshme të 34 krijuesve të pranishëm artistik, në galerinë artistike të qytetit në Plavë dhe në atë personale të piktores Kaltrina Hoti në fshatin kodrinoro-malor Hoti i Kujit, në lartësinë mbidetare rreth 1700 m. Derisa në Plavë ekspozita e punimeve të krijuesve artistik u hap në ambientin e galerisë së qytetit, ekspozita në fshatin Hoti i Kujit u hap në ambient të veçantë, në nënqiellin e hapur në natyrë në lartësi mbidetare rreth 1700 metra, pikërisht punimet u ekspozuan (u vendosën) në trungjet e druve të pyllit të atjeshëm, pamje kjo që paraqiste një raritet të këtij lloji prezantues, e cila inspiroi dhe mahniti gjithë të pranishmit. Kështu në këtë ambient të veçantë, të cilin piktorja Kaltrina e quan “Vada e dashurisë”, u ekspozuan 84 punime (piktura) të 34 artistëve (piktorëve) të pranishëm. E lumtur dhe e gëzuar, por edhe e emocionuar e mallëngjyer, për prezencën e Karvanit artistik “Artistët për artistët”, organizuesja e këtij eventi, piktorja Kaltrina Hoti, në fjalën e rastit me mallëngjim theksoi se ëndrra e kamotshme që në galerinë artistike të qytetit në Plavë, e në veçanti të saj në vendlindje – Hoti i Kujit, të hapen ekspozita punimesh të artistëve nga trojet shqiptare, u bë realitet me hapjen e ekspozitave të sipërpërmendura. Me bindje dhe shpresë se edhe në të ardhmen krijuesit artistik punimet e veta do t’i ekspozojnë edhe në Plavë e Guci, përzemërsisht falënderoj menaxherin e Karvanit artistik, Veton Gusinë për realizimin e këtij spektakli të qëlluar dhe vërtetë me peshë e vlera artistik, duke e lutur që sa më shpesh të jetë mysafir i kësaj treve vërtetë artdashëse. Në galerinë artistike të qytetit në Plavë, në ambientin e të cilës u hap ekspozita, pjesëtarët e Karvanit artistik, me admirim dhe kënaqësi i ka përshëndetur dhe falënderuar për vizitën e bërë kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, duke u dëshiruar mirëseardhje dhe qëndrim të rehatshëm në Plavë e Hot. Ndërkaq, themeluesi dhe menaxheri i Karvanit artistik, Veton Gusia, në fjalën e rastit, sinqerisht falënderoi piktoren Kaltrina Hoti për organizim të shkëlqyer të evenimentit vërtetë të qëlluar, kryetarin e Komunës së Plavës për mesazhin e shprehur të mirëseardhjes dhe gjithë të tjerët për kontributin e dhënë për përkrahjen, mbështetjen dhe shoqërimin gjatë qëndrimit, duke theksuar se nga Plava dhe Hoti kthehet me mbresa dhe përjetime vërtetë të larta e madhore, duke shtuar në vazhdim se Karvani artistik marshutën e rrugëtimit të vet prezantues, do ta vazhdojë në ca qendra të shteteve prej nga janë artistët përbërës. Për organizim të shkëlqyer e vërtetë madhështor, piktoren Kaltrina Hoti dhe mbështetësit e përkrahësit e saj i ka falënderuar edhe krijuesi i mirënjohur artistik nga fshati Martinaj i Komunës së Gucisë, pensionisti Musë Prelvukaj, vëllai i piktores akademike Prof. Mr. Zake Prelvukaj dhe babai i këngëtarit të famshëm dhe kantautorit Mr. Genc Prelvukaj, pjesëtar i Karvanit artistik, i cili jeton dhe krijon në Prishtinë. Pa ngurrim dhe me plot gojë mund të konstatohet se prezantimi i Karvanit artistik “Artistët për artistët” me punimet e ekspozuara të krijueseve artistik nga katër shtetet me popullatë shqiptare të ekspozuara në Plavë dhe Hot të Kujit, ishte i suksesshëm dhe ndër aderuesit e arteve të bukura pamore të kësaj treve la mbresa të thella që meritojnë çdo respekt dhe lavdërim.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat