Harmonizim me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian

Qeveria e Malit të Zi ka zgjatur sanksionet për personat fizikë dhe juridikë që zbatojnë ose mbështesin aktivitete dhe politika që kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, ose pengojnë punën e organizatave ndërkombëtare në këtë vend. Ky vendim i Qeverisë së Malit të Zi mbi vendosjen e masave kufizuese ndërkombëtare të përcaktuara me vendimet e Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili është miratuar në mbledhjen e mbajtur më 5 shtator 2023, është në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, gjegjësisht paketën e 11-të të sanksioneve të BE-së. Sipas këtij vendimi, u ndalohet hyrja në territorin e Malit të Zi personave fizikë të cilët janë përgjegjës për mbështetjen aktive ose zbatimin e aktiviteteve apo politikave që nxisin dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë, gjegjësisht stabilitetin apo sigurinë e Ukrainës si dhe personave të lidhur me ta; u ofrojnë mbështetje aktive materiale dhe financiare vendimmarrësve rusë ose kanë dobi nga vendimmarrësit rusë, përgjegjës për aneksimin e Krimesë dhe destabilizimin e Ukrainës etj. Në listën e personave ndaj të cilëve janë vendosur sanksione bëjnë pjesë politikanë, ushtarakë, gjyqtarë, prokurorë, gazetarë, sipërmarrës, roje të sigurisë etj. Në mesin e tyre janë presidenti rus Vladimir Putin, ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse Sergei Lavrov, ministri i Mbrojtjes i Federatës Ruse Sergei Shoigu, ish-presidenti i Rusisë dhe zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitri Medvedev dhe Presidenti i Republikës së Çeçenisë, Ramzan Kadyrov.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat