Ulqin – Në mjediset e Pallatit “Venezia” në Kalanë e Ulqinit, të shtunën mbrëma (2 shtator 2023) u bë përurimi i projektit “Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Malin e Zi”, i cili do të zbatohet nga kompania “AlbaSoft” nga Kosova, në bazë të marrëveshjes me Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, gjegjësisht Qeverinë e Malit të Zi.
Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka ka thënë se me këtë projekt qeveritar digjitalizohet gjuha shqipe, si një nga gjuhët zyrtare në Malin e Zi.
Ai ka thënë se me marrëveshjen për futjen e Kullës së Shqipes në përdorim sigurohen kushtet për përmbushjen e detyrimeve nga Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe të Minoriteteve nga shteti ynë.
Sipas tij, nga ky digjitalizim përfitojnë të gjithë banorët e Malit të Zi.
Gjeka ka bërë të ditur se Ministria që drejton në bashkëpunim me kompaninë AlbaSoft janë përgjegjëse për zbatimin e projektit.
“Tashmë kemi filluar shpërndarjen përmes internetit të softuerit më të përparuar për gjuhën shqipe, që përbëhet nga: softueri për korrigjimin e gabimeve drejtshkrimore, softueri për korrigjimin e gabimeve sintaksore, softueri i morfologjisë digjitale, softueri për mësimin e gjuhës shqipe etj., tastiera digjitale për përdorimin e plotë të alfabetit të gjuhës shqipe”, ka thënë ai, duke shtuar se “një detyrë shumë e madhe për të gjithë, mbetet instalimi dhe përdorimi sa më i gjerë i këtij softueri, sidomos nga shqiptarët. Andaj, marketingu, njoftimi i të gjithë qytetarëve do të jetë një detyrë e vazhdueshme”.
Ministri Gjeka ka folur për gjendjen e deritanishme dhe rëndësinë e këtij projekti duke thënë se “për gjuhën shqipe në Mal të Zi deri tani nuk ka pasur fjalor të madh shpjegues apo drejtshkrimor, në administratën shtetërore, edhe në shkollat shqipe kanë munguar këto vepra shkencore, por, nga tani e tutje do të jetë ndryshe, sepse procesi i mësimdhënies në gjuhën shqipe do të jetë më i suksesshëm, me futjen në përdorim të këtyre veprave shkencore digjitale për gjuhën shqipe”.
Në emër të Këshillit Kombëtar Shkencor për gjuhën shqipe ka folur drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prof. Dr. Hysen Matoshi, i cili e ka cilësuar fillimin e digjitalizimit të gjuhës shqipe në Malin e Zi, përmes softuerit Kulla e Shqipes, si një ditë të mbarë për gjuhën shqipe.
Ai ka thënë se ky projekt ka për synim bashkimin gjuhësor të të gjithë shqiptarëve përmes softuerit Kulla e Shqipes, me moton “Një komb, një gjuhë, një standard”.
“Kulla e Shqipes është arritja më sintetizuese dhe më shumëplanëshe gjuhësore, është projekti më me ndikim sa i përket zotërimit të standardit, njohjes më të plotë të pasurisë leksikore, të sinonimisë, të antonimisë, të frazeologjisë së shqipes etj. E rekomandoj si një pasuri mbarëkombëtare që do të shërbejë për përdorimin e saktë e më efikas të shqipes, duke nisur nga niveli fillestar i shkrimit të shqipes e deri te shkrimi artistik, akademik dhe shkencor”, është shprehur Matoshi.
Ai ka folur edhe për punën që ka bërë ndër vite Këshilli Kombëtar Shkencor për gjuhën shqipe.
“Ka vite që jam pjesëmarrës i këtij projekti bashkë me shumë kolegë të tjerë gjuhëtarë nga të gjitha viset shqiptare. Këshilli Kombëtar Shkencor për gjuhën shqipe ka pasur detyra të vështira për harmonizimin e qëndrimeve lidhur me çështjet gjuhësore që s’kanë qenë të përcaktuara me Kongresin e Drejtshkrimit”, ka thënë Matoshi.
Ai ka falënderuar në emër të Këshillit Kombëtar Shkencor për gjuhën shqipe të gjithë qytetarët e Malit të Zi për këtë sukses – për futjen në përdorim të mjeteve digjitale të nivelit bashkëkohor për gjuhën shqipe.
“Faleminderit Qeverisë së Malit të Zi për vlerësimin e duhur të këtyre veprave shkencore dhe shpërndarjen e tyre falas për të gjithë qytetarët e Malit të Zi. Besojmë që Kulla e Shqipes do ta lehtësojë dhe do ta përparojë edhe më shumë përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe”, ka përfunduar profesor Matoshi.
Drejtori i kompanisë “AlbaSoft”, përgjegjëse për këtë projekt, Ernest Culaj, e ka vlerësuar marrëveshjen për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi si një arritje të madhe për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.
Ai ka treguar se softueri Kulla e Shqipes me fjalorin e madh drejtshkrimor të gjuhës shqipe dhe fjalorin e madh shpjegues, bashkë me softuerin për drejtshkrim, sinonimik, antonimik e atë sintaksor, mund të instalohen për pak minuta në pajisjen përkatëse, qoftë kompjuter, telefon apo tablet.
“Mund të përdoret gjithashtu edhe në internet drejtpërdrejt, pa pasur nevojë për instalim. Korrigjuesi automatik drejtshkrimor, softueri i sintaksës, softueri i sinonimisë funksionojnë po ashtu edhe në Microsoft Office, përkatësisht në Word”, ka thënë ai.
Culaj ka theksuar se të gjitha këto vepra shkencore janë arritur me një veprimtari të palodhur më shumë se 25-vjeçare.
“Unë personalisht jam i përfshirë më shumë se 15 vjet. Kemi punuar duke i zbatuar parimet dhe arritjet e gjuhësisë kompjuterike bashkëkohore, dhe vetëm kështu është arritur krijimi i këtij softueri në cilësinë që ka, i Kullës së Shqipes, si pasuria më e madhe gjuhësore e kombit shqiptar. Me dëshirën më të mirë për ta çuar para interesin e qytetarëve të Malit të Zi për të futur në përdorim mjetet digjitale gjuhësore të nivelit bashkëkohor për gjuhën shqipe, në emër të qindra programuesve e gjuhëtarëve që janë autorë të kësaj vepre, ju shpreh mirënjohje ju dhe secilit institucion tjetër në Malin e Zi që përmbush të drejtat e shqiptarëve dhe interesin e tyre për përparimin e gjuhës shqipe përmes digjitalizimit të tërësishëm të saj”, ka thënë ai, duke falënderuar zyrtarët e Qeverisë së Malit të Zi “për mundësinë që bashkërisht të merremi me shpërndarjen e këtij softueri, me shpërndarjen e gjuhës shqipe te çdo familje shqiptare në Malin e Zi”.
Në prezantimin e softuerit Kulla e Shqipes thuhet se ai i vjen në ndihmë secilit që shkruan dhe flet shqip, pra çdo shqiptari, e sidomos nxënësve dhe studentëve, të huajve që dëshirojnë ta mësojnë shqipen, si dhe gazetarëve, shkrimtarëve, studiuesve që e kanë domosdo njohjen e mirë të gjuhës shqipe. Ky softuer u shërben mësuesve gjatë procesit të mësimdhënies së gjuhës shqipe, për konkretizim në mënyrë digjitale të temave mësimore, punëtorëve të administratës shtetërore për korrigjimin e dokumenteve etj. Kjo teknikë e re e punës, e mësimdhënies edhe mësimnxënies, e mbështetur nga Kulla e Shqipes, e bën mësimin e shqipes edhe më cilësor, edhe më argëtues, ndërsa zbatimin e rregullave drejtshkrimore më të lehtë. Kulla e Shqipes është një vegël e rëndësisë së veçantë, e domosdoshme për gjithë përdoruesit e gjuhës shqipe.
Marrëveshja për digjitalizimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi nënkupton që këtë paketë softuerike mund ta përdorë falas, brenda dhe jashtë vendit, secili banor i Malit të Zi. Gjithashtu mund të përdorin të gjitha institucionet e Malit të Zi, qeveritare dhe joqeveritare, punonjësit e ndërmarrjeve private dhe publike të Malit të Zi si dhe punonjësit e medieve të regjistruara në Mal të Zi, nëse e kanë shtetësinë e Malit të Zi.
Programi i përurimit të projektit të digjitalizimit të gjuhës shqipe në Malin e Zi është ndërthurur edhe me pjesën artistike nga sopranoja Gjylie Pelingu – Hoxha, e cila ka kënduar disa këngë shqipe, kurse nxënësja Liriona Mehmeti ka recituar poezinë e Ndre Mjedës “Gjuha shqype”.
Në përurim kanë marrë pjesë zyrtarë të Qeverisë së Malit të Zi, kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, anëtarët e Këshillit Kombëtar Shkencor për gjuhën shqipe, drejtues të shkollave dhe mësimdhënës të gjuhës shqipe në shkollat në gjuhën shqipe në Malin e Zi etj.
Përurimi është organizuar nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.
i. k.
