Dorarti zbulon fosilet e Ulqinosaorusit

Gazmend Çitaku

Vera po kalon. Dita e parë e shkollës sa vjen e afrohet. Dorarti gjithë verën e kaloi duke bërë not, nganjëherë bënte zhytje nënujore në kërkim të thesareve të anijeve të fundosura, e më së shumti kohën e kalonte duke eksploruar gjëra të ndryshme të Ulqinit magjik. Mirëpo, çdo ditë, dy orët e pasdites, të cilat i kishte obliguese të pushojë pra, prej orës 15 e deri në 17, mundohej që t’i kalonte në mënyrë sa më kualitative. Babai i kishte dhënë detyrë që për çdo ditë të lexojë nga dhjetë faqe të cilitdo libër që kishte dëshirë.
Dorarti kishte zgjedhur enciklopedinë e madhe të ilustruar për fëmijë, sepse aty gjente informata të shumëllojshme duke filluar nga parahistoria e deri në ditët e sotme. Aty mësonte për kafshët e zhdukura por edhe për fenomenet më të çuditshme natyrore e sidomos vëmendjen ia tërhiqnin dinozaurët.
Dinozaurët janë lloj i zhdukur i kafshëve të cilët, siç thoshte libri kishin jetuar miliona vjet më parë. Ata ishin të mëdhenj e të fuqishëm dhe ndaheshin në mishngrënës (Allosaurus, Megalosaorus, Gigantosausus, Tyranosaurus Rex etj.) dhe barngrënës (Triceratopi ose Trebrirëshi, Diplodokusi ose Qafëgjati, Drakoreksi ose siç e njohim nga librat për Harry Potterin Mbreti i dragonjve të Hogwartit etj.). Po vallë cili lloj i dinozaurëve ka jetuar në Ulqinin tonë?
Ndoshta ndonjë specie nënujore me qafë të gjatë sikurse periskop e që i përngjan Përbindëshit të Loch Ness-it. Ose ndonjë specie që ka jetuar edhe në ujë edhe në tokë. Dorartit nuk i kujtohej se në ndonjë libër që kishte lexuar deri më sot të kishte hasur se dikush ka përmendur dinozaurët apo ndonjë fosil të dinozaurit që është gjetur në Ulqin. Por, atë nuk e linte të qetë tregimi i gjyshes Mile. Ajo i kishte thënë Dorartit se katragjyshi i saj një herë gjatë lundrimeve të gjata që kishte bërë me velanijen e vet, ishte gastuar në një tokë që nëpër harta nuk figuronte askund. Detarët ulqinakë kishin bërë matjet e duhura nëpër hartat e kohës. Kishin nxjerrë sekstantët dhe kishin konsultuar yjet në qiell, por që ku kishin arritur kjo tokë apo ishull nuk figuronte askund.
Hajt e merre vesh, kishin thënë detarët ulqinakë dhe pa një pa dy kishin zbarkuar në tokën e re. Aty kishin ndezur një zjarr që të gatuajnë drekën dhe pas një kohe kur zjarri kishte arritur kulmin e vet, ishulli kishte filluar të lëvizë. Detarët ulqinakë duke menduar se po dridhej toka, shpejt e shpejt ishin futur në anijen e vet dhe kishin filluar të rrëmonin. Papritur, nga vendi që kishin menduar se është ishull, ngriti kokën një krijesë që nuk ishte as balenë, as delfin, por as oktapod gjigand. Fati i detarëve ulqinakë ishte se kjo krijesë kishte qenë paqësore ose ndoshta edhe shumë e moshuar andaj edhe nuk ua vuri veshin detarëve dhe iku në drejtim të perëndimit të diellit. Iku andej kah ndoshta kishte edhe pjesëtarët tjerë të llojit të vet dhe kështu detarët ulqinakë kishin shpëtuar.
Me siguri një lloj dinozauri deti do të ketë qenë, thoshte Dorarti me një vetëbesim të madh. Ata janë gjigandë dhe vetëm ata kanë lëkurën aq të trashë, saqë të mos ndiejnë ecjen e njeriut nëpër të.
Në ndihmë me tregime vjen babai i Dorartit, i cili i rrëfen se si uji i detit dikur kishte mbuluar edhe majën e Pinjeshit dhe se atje lart janë gjetur fosile gocash të ndryshme. Madje në kodra të ndryshme të Ulqinit edhe sot nga nëntoka ngrenë kokën fosile të gocave por edhe të krijesave të ndryshme që kanë jetuar në parahistori.
Artush, nëse ke dëshirë, të dielën mund të thërrasësh shokët dhe unë do t’ju dërgoj në një vend që unë mendoj se janë fosilet e krijesave nga koha e dinozaurëve, – tha babai i Dorartit duke vënë buzën në gaz.
Mos luaj me mua, i tha Dorarti. Ti e di që unë pëlqej dinozaurët e veçanërisht e dua Drakoreksin që e kam edhe lodër.
Jo, jo lodër, por do të çoj në një vend ku do të mund të hulumtosh se çfarë lloji i dinozaurëve ka jetuar në Ulqin – tha babai.
E diela erdhi sa çel e mbyll sytë. Aktivitetet ditore përfunduan me sukses, andaj para se të perëndojë dielli, ekspedita hulumtuese në përbërje: Dorarti, Adea, Cenoja, Qazi dhe Enisi u futën në makinë dhe babai filloi ta ngasë makinën drejt aventurës së dinozaurëve.
Fëmijët ishin të emocionuar andaj gjatë gjithë rrugës bisedonin se çka do të gjejnë? Si do të duken ato fosile? A do gjejnë kokë, këmbë apo dorë? Të gjithë ishin veshur me rroba eksploruesish dhe kapelë në kokë. Cenoja bënte gati aparatin fotografik, Adea kontrollonte metrin, Dorarti fletoren e mbajtjes së shënimeve. Enisit iu kishte tharë gurmazi i fytit nga emocionet, andaj i kërkonte ujë Qazit. Pas dhjetë minuta udhëtimi në drejtim të Gjrit të Gjeranave, babai ktheu në të djathtë. Biseda u ndërpre si me gërshërë kurse sytë u bënë katër. Shkonin në drejtim të detit, në fushën e fundit makina ndaloi dhe të gjithë hop e u gjenden jashtë. Në të majtë deti kurse në të djathtë faqja e shkëmbit ranor. Pasi ecën njëzet metra babai ndaloi dhe nisi t’u tregojë fëmijëve relievet e çuditshme që kishin dalë nga toka. Eksploruesit e vegjël filluan të ngjiten dhe t’i vëzhgojnë nga afër.
Ja kurrizi i dinozaurit – thirri Dorarti i cili ishte ndalur pranë një relievi i cili me të vërtetë ngjasonte me fosile kurrizi. Ishte i ndarë kurma-kurma si të një peshku gjigand. Shpejt erdhën edhe eksploruesit tjerë. Cenoja filloi të bëjë foto, Adea merrte masat kurse Dorarti shënonte në bllokun e shënimeve. Enisi e Qazi me anë të furçave që kishin sjellë nga shtëpia pastronin rreth fosileve. Po ku të eksploronin më parë. Vetëm një metër më lart e ndarë me një shirit fosilesh guacash ngrinin kokën fosile tjera. Tani kishim të bënim me një përzgjatje disametërshe e që mendja u thoshte fëmijëve se kishin të bënin me llojin e Qafëgjatit apo siç njihej shkencërisht Diplodokusi.
S’ka dyshim se kemi të bëjmë me një Diplodokus që ka jetuar në Ulqin – tha Dorarti. Ky lloj ende jeton në Angli dhe është i njohur me emrin Përbindëshi i Loch Ness-it. Nëse pajtoheni, unë dinozaurin tonë do ta quaja ULQINOSAORUS.
Eksploruesit duke qeshur miratuan fjalët e Dorartit dhe u pajtuan që së bashku në mënyrë triumfuese të bëjnë fotografi të përbashkët përgjatë qafës së Ulqinosaorusit. Të gjithë së bashku gjithashtu u pajtuan se do vijnë prapë këtu dhe të vazhdojnë hulumtimet sepse ana e kësaj kodre ishte përplot me fosile, jo vetëm të gocave të detit por edhe të Ulqinosaorusit dhe të llojeve tjera.
Lajmi për gjetjen e fosileve mori dheun. Ekspedita të vërteta paleontologësh dhe hulumtuesish tjerë që mbaronin me prapashtesën log vinin e shkonin. Vendin e kishin rrethuar dhe eksploruesit e vegjë,l ishin shumë të gëzuar sepse ata ishin të parët që kishin bërë publike fosilet përmes fotografive në rrjetet sociale. Si dhe ata ishin të parët që i dhanë emrin dinozaurit të Ulqinit. Pra, Ulqinosaorusit.
(Tregim nga romani për fëmijë dhe të rinj në dorëshkrim)

Të fundit

më të lexuarat