Ulqin – Edicioni i tretë i Festivalit BirdSaltPeople, i cili organizohet nga Asociacioni Dr. Martin Schneider-Jacoby, është hapur të premten (25 gusht 2023) në Kriporen e Ulqinit.
Drejtoresha e Asociacionit Dr. Martin Schneider-Jacoby, Zenepa Lika, ka thënë se festivali i kushtohet mbrojtjes së natyrës dhe zonave të mbrojtura. Në këtë kuadër, ajo ka nënvizuar rëndësinë e Kripores së Ulqinit si një mjedis i posaçëm, i cili lidh zogjtë, prodhimin e kripës dhe njerëzit.
“Festivali dëshiron të zgjojë, të rrjetëzojë, të rrisë vetëdijen mbi rëndësinë e përfshirjes së të gjithë neve kur bëhet fjalë për mbrojtjen e natyrës dhe valorizimin e sinqertë dhe bamirës të mjediseve të mbrojtura. Mbrojtja e natyrës është e pamatshme. Ajo nuk mund të matet me para. Në këtë kuptim, Kripores së Ulqinit i nevojiten paratë, por kjo është përgjegjësia jonë dhe ne duhet ta bëjmë këtë”, ka theksuar ajo.
Programi i ditës së parë të Festivalit ka filluar me vëzhgimin e zogjve në Parkun Natyror “Kriporja e Ulqinit”, për të vazhduar me filmin dokumentar “Ndërmjet lumit dhe njerëzve” të autorit Mlladen Ivanoviq. Më pas në diskutimin me temë “Aktivizmi në shërbim të forcimit të komunitetit dhe inicimit të përgjegjësisë kolektive” kanë folur aktivistët Mlladen Ivanoviq, Xhemal Peroviq dhe Vuk Vujisiq
Lika ka thënë se Kriporja e Ulqinit paraqet përgjegjësinë tonë edhe për gjeneratat e ardhshme, sepse kemi të bëjmë me një zonë të mbrojtur, e cila është regjistruar në Listën Ramsar të zonave të mbrojtura në rang botëror, ku jetojnë mbi 250 lloje të zogjve të ndryshëm.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, ka thënë se ky festival ka vërtet një domethënie të mirë – lidh kulturën, mjedisin jetësor, një mjedis që ka një vlerë të pamatshme siç është Kriporja e Ulqinit.
“Unë jam i sigurt që në të ardhmen Kriporja e Ulqinit do të jetë një faktor i pashmangshëm, gjegjësisht vend i cili sërish do të grumbullojë dhe do të ketë vlerën e njëjtë, siç e ka pasur dikur, mbase në aspektin ekologjik edhe më të madh, kurse në aspektin e prodhimit dhe ekonomik do të jetë sfidë e gjeneratave të ardhshme”, ka thënë ai në fjalën përshëndetëse.
Festivali do të zgjasë deri më 16 shtator 2023, ku për çdo fundjavë (të premten dhe të shtunën) do të ketë programe të fushave të ndryshme. Fundjava e parë i është kushtuar aktivizmit qytetar. Drejtoresha e Asociacionit Dr. Martin Schneider-Jacoby, Zenepa Lika, ka treguar arsyen.
“Sot e fillojmë Festivalin me aktivizmin. Pse aktivizmi? Sepse bëhet fjalë për ne. Ne duhet të zgjohemi, duhet të jemi pak më shumë aktivë sepse me këtë përfiton tërë shoqëria”, ka thënë ajo.
Festivali do të zgjasë nga 25 gushti deri më 16 shtator 2023, ku për çdo fundjavë do të ketë programe të fushave të ndryshme. Fundjava e parë i është kushtuar aktivizmit qytetar, ndërsa programi i tri fundjavëve të ardhshme do t’i kushtohet krijimtarisë, ditës së tregut dhe zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe kulturës
Programi i ditës së parë të Festivalit ka filluar me vëzhgimin e zogjve në Parkun Natyror “Kriporja e Ulqinit”, për të vazhduar me filmin dokumentar “Ndërmjet lumit dhe njerëzve” të autorit Mlladen Ivanoviq. Filmi flet për luftën e banorëve të fshatit Beransello në Beran për të penguar hedhjen e mbeturinave të rrezikshme në deponinë jolegale, si një shembull i mirë i aktivizmit qytetar për të penguar veprimet e jashtëligjshme të zyrtarëve komunalë dhe institucioneve lokale dhe shtetërore. Më pas në diskutimin me temë “Aktivizmi në shërbim të forcimit të komunitetit dhe inicimit të përgjegjësisë kolektive” kanë folur aktivistët Mlladen Ivanoviq, Xhemal Peroviq dhe Vuk Vujisiq.
Programi i tri fundjavëve të ardhshme do t’i kushtohet krijimtarisë, ditës së tregut dhe zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe kulturës.
i. k.
