Kremtoi 45- vjetorin e themelimit dhe të veprimtarisë kulturore

Vitojë – Shoqëria Kulturore-Artistike “Rapsha”, me një koncert madhështor të organizuar në skenën e hapur në Vitojë, shënoi dyzet e pesë vjetorin e themelimit dhe të veprimtarisë së saj kulturore e artistike.
Në prani të një numri të madh të publikut nga Malësia dhe nga diaspora në këtë koncert interpretuan shoqata të njohura kulturore-artistike nga vendi dhe rajoni si dhe këngëtarët e mirënjohur nga Malësia, Toni Ujkaj, Shtjefën Ujkaj, Lekë Dedvukaj, Arta Çunmulaj, ndërsa nga Maqedonia e Veriut, Besiana Mehmeti dhe Shkodran Tolaj.
Kryetari i SHKA “Rapsha”, David Junçaj në fjalën e rastit tha se ky jubile në brendësinë e tij, i kapërcen pritshmëritë e të zakonshmes, pasi, siç u shpreh, brumosja me aktivitete të shumta, organizimi i festivalit mbarëkombëtar, pjesëmarrja brenda dhe jashtë vendit, prezantimi dinjitoz i malësisë përmes SHKA “Rapsha” e kthen këtë jubile me çdo aktivitet të saj në ambasador të vendit dhe të traditës sonë kulturore-artistike.
“Prandaj me meritë të plotë mund ta përkufizojmë si institucion i kulturës kombëtare shqiptare që mbart vlerat tona shekullore, i ruan dhe i përcjell te brezat e rinj, kështu i gjithë korpusi kombëtar është strehuar në programin e kësaj shoqate dhe çdo ditë e më shumë të gjithë së bashku punojmë që edhe ëndrrat dhe idetë e atyre që i kishin para nesh e nuk patën mundësi t’i shpalosin, ne përpiqemi që t’u japim dritë e shkëlqim që të rrezatojnë siç sot rrezaton xhubleta jonë e mbrojtur në UNESCO dhe shërben si një zinxhir i vlerave kulturore të Evropës”, u shpreh Junçaj.
Ai më tutje shtoi se gjeneratat e reja duhet ta kujtojnë, por edhe ta imagjinojnë se në çfarë kushtesh ka filluar punën shoqata që ai drejton.
“Por me zemër të madhe e patriotizëm të pashoq, fillojnë që në mënyrë të organizuar të ruajnë dhe të kultivojnë vlerat kulturore, doket, traditat dhe zakonet e Malësisë së Madhe e që edhe sot me të njëjtin entuziazëm vazhdojnë t’i ruajnë dhe t’ua lënë trashëgimi brezave të rinj”, u shpreh ai.
Sipas tij, meritë e veçantë u takon të gjithë atyre të cilët i kanë vendosur themelet kësaj shoqate, e që siç tha, sot i obligon që të ecin para dhe të ndjekin hapat e tyre.
Ndërkaq, duke folur për Vitojën si një vend piktoresk dhe i frekuentuar në masë të madhe gjatë stinës së verës, Junçaj tha se ky vend falë artistëve të shumtë, festivaleve e aktiviteteve të ndryshme folklorike, dramatike dhe recituese, është kthyer tashmë në një qendër mbarëshqiptare.
“Dhe ne për këtë falënderojmë të gjithë artistët për kontributin e dhënë në fushën e kulturës sonë. Falënderojmë Komunën e Tuzit dhe të gjithë donatorët, nga vendi dhe mërgata jonë e cila është me ne në çdo aktivitet, duke na dhënë mbështetje morale dhe financiare dhe e cila premton se çdoherë do të jetë aty ku çështja kombëtare e kërkon.
“Falënderojmë fondin humanitar ‘Rapsha’ dhe të gjithë ata të cilët ndajnë djersën e vet për të ndihmuar shoqatën dhe aktivitet e saj”, tha Junçaj.
Ai gjithashtu shprehu falënderime ndaj të gjithë anëtarëve të Shoqatës “Rapsha” për kontributin e dhënë në mënyrë që kjo SHKA të ekzistojë dhe ta mbajë gjallë frymën, traditën dhe kulturën kombëtare.
“Falënderojmë publikun i cili me vite e vite na mbështet dhe na jep përkrahje në çdo organizim dhe skenë që shoqata jonë prezentohet”, theksoi kryetari i SHKA Rapsha, David Junçaj.
Ky koncert vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes me këngë dhe valle folklorike muzikore, por edhe me muzikë live nga këngëtarët pjesëmarrës.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat