Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi mbështet dialogun dhe të gjitha përpjekjet me qëllim normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit me Prishtinën dhe në arritjen e zgjidhjes politike e cila do të sigurojë jo vetëm sigurinë në Kosovë, por edhe stabilitet në shtetet e Ballkanit Perëndimor, kështu ka deklaruar kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq në takimin që zhvilloi të enjten më 24 gusht 2023 me përfaqësuesit e KFOR-it, të udhëhequr nga komandanti, Angelo Michele Ristuccia. Sipas deklaratës së Zyrës së Kryeministrit, Qeveria e Malit të Zi, fuqishëm e mbështetet KFOR-in, në përpjekje për të ofruar siguri në Veri të Kosovës. “Gjithashtu, jemi të gëzuar që edhe ushtarët tonë janë atje e që japin kontribut dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, është shprehur Abazoviq, duke theksuar se përkushtimi i NATO-s që të vazhdojë angazhimin e tij në Kosovë, është kyç për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, komandant Ristuccia ka falënderuar Qeverinë e Malit të Zi në mbështetjen e saj të vazhdueshme, duke shpresuar se kjo do të përjetohet edhe nga shtetet e tjera të rajonit, në mënyrë që së më parë të vijë deri tek zgjidhja e situatës në Kosovë. Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Dr. Dritan Abazoviq ka thënë se duhet që të jemi një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe tolerante, dhe kjo sipas tij, vlen për tërë rajonin. “Duhet të përqëndrohemi në gjeneratat e ardhshme, dhe interesi i gjeneratave të ardhshme nuk është që t’u lihen bishtat e së kaluarës me të cilat duhen të përballen. Mendoj se kjo nuk është interes i askujt. Prandaj, ftojmë të dyja anët, Prishtinën dhe Beogradin që t’i kthehen dialogut dhe të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që është arritur së fundmi në Bruksel dhe Ohër”, ka përfunduar Abazoviq. Në këtë takim të pranishëm kanë qenë edhe sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes, Krsto Pejoviq dhe këshilltari i kryeministrit për çështje të drejtësisë, Ivo Shoq.
t. u.