Libri “American Dream – historia e jashtëzakonshme e Beqir Potkës nga ferri komunist drejt tokës së premtuar” i shkrimtarit Eris Rusi nga Korça, botim i Shtëpisë Botuese “Toena”, është përuruar të premten (18 gusht 2023) në Librarinë “Ulqini”.
Drejtoresha e SHB “Toena”, Irena Toçi, ka thënë se Eris Rusi është një autor dhe përkthyes i rëndësishëm i letrave shqipe dhe për këtë arsye kanë zgjedhur që ta bëjnë të njohur edhe për lexuesin në Ulqin.
Ndërsa për librin, ajo ka thënë se ky është një libër që beson se do t’i tërheqë edhe për faktin se ka një flamur amerikan në kopertinë dhe ka një personazh me pamje konkrete.
“Pra, nuk është një libër pa identitet, apo një letërsi mirëfilli që do të kishte një histori të bukur, të cilën ne do ta lexonim dhe secili prej nesh do të përftonte kënaqësi estetike apo do të mësonte një histori të re. Ky është një libër tejet i veçantë, sepse ka një personazh të vërtetë të cilin ne sot e kemi midis nesh dhe ky është z. Beqir Potka, një zotëri që sot jeton në SHBA. Është një biznesmen mjaft i suksesshëm në SHBA, e ka ndërtuar jetën në këtë shtet dhe i është mirënjohës SHBA-së për çfarë i ka dhënë në jetën e vet”, ka thënë ajo.
Sipas saj, historia e personazhit të librit është një histori e pabesueshme, gati si në filmat e Holivudit.
Shkrimtari Eris Rusi ka folur për fuqinë dhe mundësitë që të jep letërsia.
“Letërsia në syrin tim të jep mundësi që t’i tregosh lexuesit që qenia njerëzore është e veçantë, është e jashtëzakonshme, edhe kur jeta ndonjëherë di të tregohet e padrejtë, edhe kur jeta ndonjëherë nuk mundëson që ti t’u japësh rrugë atyre që janë pritshmëritw dhe frymëzimet e ekzistencës”, ka thënë ai.
Duke reflektuar për raportin midis librit dhe lexuesit, Rusi ka thënë se këtë lloj marrëdhënieje është përpjekur ta identifikojë edhe me atë raport që gjithmonë krijuesi mundohet të vendosë midis botës fiktive dhe botës reale.
“Dhe në shkrimin e këtij libri, një detaj që shërben si shembull për të ilustruar këtë lloj të qasjes së jashtëzakonshme që letërsia i mundëson lexuesit, unë e kam nga leximi i librit ‘American Dream’ nga djali i z. Potka, i cili në momentin që e mbaron së lexuari librin në gjuhën angleze, sepse libri është përkthyer dhe do të botohet edhe në Amerikë, i emocionuar i shkon të atit dhe i thotë: nuk e dija që ti ishe i tillë. Pra, edhe në marrëdhënien prind-fëmijë letërsia arrin që të turbullojë emocionet, të japw një ngarkesë emocionale e cila është ndryshe nga e zakonshmja dhe kjo ndoshta është edhe forca e letërsisë – të jep mundësi që ti të ndjehesh i privilegjuar që ke një botë shpirtërore që shkon përtej çdo vështirësie që mund të ndeshësh në përditshmëri”, është shprehur ai.
Autori ka thënë se libri ka dy zëra: njëri që është zëri narrativ, fiktiv dhe tjetri që lidhet me rrëfimin biografik të jetës së z. Potka. Ai ka pohuar se një gjysmë mundësie që iu dha personazhit të librit të tij, ai e shndërroi në një ëndërr që më pas nis dhe kristalizohet te një jetë tjetër që ai e zhvillon në Amerikë kur u largua nga Shqipëria.
“Kjo ëndërr, që nuk është vetëm ëndërr amerikane, por është ëndërr për t’ia dalë mbanë dhe për t’u përmirësuar, vjen me zërin, rrëfimin e z. Potka në këtë libër, por mund të përkojë edhe me ato shtigje që ekzistojnë brenda çdo lexuesi dhe që mund të çojnë drejt arritjes së gjërave të mira dhe të qenësishme në jetën e gjithkujt. Ndaj, si një libër që i përfshin të dy këta zëra – edhe zërin narrativ, edhe zërin biografik – unë besoj se edhe për ata lexues që sot i duan gjërat drejt e në thelb, ky është një libër që mund t’i bëjë për vete dhe të shijohet në leximin dhe shfletimin e tij”, ka thënë Rusi.
I pranishëm në përurimin e librit, personazhi kryesor i librit, Beqir Potka, ka rrëfyer historinë e tij kur si 22-vjeçar u arratis nga Shqipëria, duke kaluar së pari në Greqi dhe pas një qëndrimi prej 18 muajsh në këtë shtet, u vendos përfundimisht në SHBA, në tokën e premtuar.
Ai ka treguar se rrjedh nga një familje e persekutuar dhe që në moshën 10 vjeç ishte përballur me skena të llahtarshme kur ia arrestuan babanw.
“Dhe unë nuk doja të jetoja. Isha i vdekur i gjallë. Tentova të vdes”, ka thënë Potka
Fati e deshi që ai të kalonte i gjallë kufirin me Greqinë.
“I lutesha perëndisë që ai plumb të më merrte në ballë dhe mos të më kthente të gjallë. Por perëndia e madhe ua mbylli syrin ushtarëve. E kalova telin elektronik i gjallë. Tani rrethanat tjera pas arratisjes fillojnë një legjendë se kush je ti, pse u arratise ti. Devotshmëria e parë është që unë të qëndroja ai që isha, të mos tradhtoja fenë, të mos tradhtoja besimin tim si njeri që do sillja një të mirë jo vetëm për familjen time, por edhe për vendin tim”, ka thënë Potka.
Në fillimet e tij në SHBA, ashtu si dhe shumë mërgimtarë, ai do të ballafaqohej me vështirësi të ndryshme.
“Në SHBA kam parë një varr të hapur, sepse nuk dija as gjuhë, as ku të mbahesha. Ishte shumë e vështirë. Por ai varr kishte shpresë. Nuk dija se ç’po bëhej me familjen, por shpresa ime që unë do t’ia dal. Perëndia më ndiqte me gjykimin që – ti nuk vdiqe në kufi dhe ti do të bëhesh ai që do të bëhesh”, ka thënë Potka.
Për librin kanë folur edhe studiuesi Behar Gjoka, i cili ka bërë një interpretim të tekstit të librit, studiuesi Dr. Dorian Koçi, i cili ka folur për marrëdhëniet ndërmjet letërsisë dhe historisë, si dhe shkrimtari Odise Kote, i cili bëri një përqasje ndërmjet romanit të tij “Amerikani” dhe librit “American Dream” të shkrimtarit Eris Rusi.
Përurimi i librit është organizuar si pjesë e aktiviteteve në kuadër të edicionit të 22-të të Panairit të Librit në Ulqin.
i. k.
