Tuz – Komuna e Tuzit në kuadër të manifestimit “Vera në Malësi” organizoi të enjten më 17 gusht 2023 në sheshin e ri në Tuz manifestimin tashmë tradicional, “Takim vëllazëror me diasporën tonë“ në të cilin morën pjesë numër i madh i bashkëvendasve që jetojnë dhe veprojnë nëpër vise të ndryshme të botës. Fillimisht, dy poezi nga At. Gjergj Fishta i interpretoi Agron Dizdari, aktor i Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Kreu i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj duke iu dëshiruar mirëseardhje vëllezërve dhe motrave nga diaspora të cilët në një numër të konsiderueshëm u bënë pjesë e këtij takimi, shpalosi arritjet e Komunës së Tuzit, veçanërisht veprimtarinë e përbashkët me diasporën për mëvetësimin e komunës. “Bashkërisht kemi qenë në secilën betejë politike. Bashkërisht kemi qenë edhe në fitoret tona. Fitoret tona kanë filluar në marsin e vitit 2019, janë konfirmuar në marsin e këtij viti dhe ja kemi dhënë Malësisë rrugëtimin, të bashkuar, unik, por si gjithmonë e në çdo proces, të bashkuar me Ju. Për këtë si qytetar i Malësisë dhe si i pari i komunës, u jemi shumë falënderues” theksoi Gjeloshaj. Duke njoftuar të pranishmit nga diaspora për investimet në tërësi që i kanë paraprirë zhvillimit dhe mirëqenies ekonomike në trevën e Malësisë, kreu i Komunës së Tuzit, potencoi hapjen e fabrikave të reja që janë realizuar, hapjen e vendeve të reja të punës dhe investime të rëndësishme në infrastrukturën rrugore që janë realizuar dhe ato që pritet të jetësohen. “Infrastruktura e re me një fokus të veçantë që kemi pasur për zonat malore. Kemi ndërtuar rrugën për Kojë, rrugën e Trieshit, rrugën e Grudës, rrugën e Hotit” tha ndër të tjera Gjeloshaj. Ai bëri të ditur se janë duke kryer investime nëpër fshatrat malore kur bëhet fjalë për ujësjellësin në mënyrë që çdo fshat të jetë i furnizuar me ujë. Ndërkaq, duke folur për projektet gjatë këtij mandati të qeverisjes, Gjeloshaj tha se ky pushtet do ta përfundoj krejtësisht rrugën nga Skorraqi në Traboin, ujësjellësin në këtë zonë si dhe shumë akse të tjera rrugore. “Këto zona që kanë qenë vite e vite, të mos themi me dekada të lëna pasdore, të marrin një frymë të re, sepse kur kemi rrugë, ujë dhe rrymë, aty ka edhe jetë. Dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë t’i kultivojmë edhe këto zona” u shpreh Gjeloshaj. Në të njëjtën kohë, ai foli edhe për zhvillimet në zonën fushore e cila siç tha, ka marrë një imazh të ri, me investime dhe zhvillim në tërësi. “Jemi këtu në këtë shesh që është sheshi më i ri i Malësisë, që bashkon Malësinë dhe që është qendra e Malësisë dhe përreth këtij sheshi në infrastrukturën rrogore, përfshirë gjimnazin dhe stadiumin e qytetit, janë duke u investuar afro dhjetë milionë euro. Dhe këto janë ato për çfarë ne e kemi kërkuar komunën. Për t’a zhvilluar vendin tonë e që vendi ynë t’i ketë kushtet më të mira” theksoi në mes tjerash Gjeloshaj. Ai u zotua se në vazhdim do të ketë edhe investime të tjera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit. “Ky vend ku jemi sonte, do të jetë Sheshi “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu” i cili do të stoliset me përmendoren e të madhit “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu” me të cilin do t’i vendoset vula e asaj se, Malësia ka qenë vend, tokë dhe përherë shqiptare”, tha kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj. Takimi vëllazëror me diasporën ka vijuar me argëtim dhe me një koktej që e ka shtruar Komuna e Tuzit për këtë rast.
t. u.
