Vuthaj – Me rastin e Ditës ndërkombëtare të të rinjve, OJQ “Euromost” e Bijello Poles, në bashkëpunim me Byronë rajonale për të rinj RYCO, ka organizuar Eko kampin treditor për të rinj në fshatin Vuthaj të Komunës së Gucisë, në të cilin kanë marrë pjesë të rinjtë nga Mali i Zi dhe Serbia. Siç kanë theksuar nga OJQ “Euromost”, ky është viti i pestë prej se kjo organizatë për të rinj organizon eko kampe në Mal të Zi dhe në plan është që vitin e ardhshëm të organizojnë edhe në Serbi, në Komunën e Pribojit te vendbanimi Ribarska, në ftesë të komunës në fjalë, përfaqësuesit e të cilës kanë marrë pjesë në hapjen e Eko kampit për të rinj. Në Eko kamp kanë marrë pjesë të rinjtë nga Bijello Pola, Berani, Rozhaja, Gucia, Podgorica, Tivari, Priboji dhe Prijepola. “Me keqardhje theksojmë se në hapjen e Eko kampit për të rinj nuk i është përgjigjur ftesës ministri për Sport dhe të Rinj i Qeverisë në mandatin teknik, Vasillije Llallosheviq, ani pse me rregull ka qenë i ftuar, edhe pse është shënuar Dita ndërkombëtare e të rinjve, t’u drejtohet të rinjve nga veriu i Malit të Zi dhe rajoni, derisa në anën tjetër ka përkrahur vaterpolistët nga jugu në të njëjtën kohë në Komunën e Plavës, jo larg Eko kampit për të rinj bashkë me kryetarin e Komunës së Plavës, Nihad Canoviqin, duke shprehur si ndonjë shpëtim për rajonin e veriut. As zotëriu Canoviq, e as kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, nuk janë dukur, edhe pse me rregull kanë qenë të ftuar”, ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Euromost” Allmer Mekiq. Për këtë nga “Euromost” kanë ftuar të gjitha komunat në veri të Malit të Zi, ministrinë e tashme dhe të ardhshme për Sport dhe të Rinj, të kuptojnë se të rinjtë në veri të Malit të Zi janë ardhmëria e Malit të Zi dhe se me vazhdimin e braktisjes masive të rajonit të veriut, nëse nuk ndalohet vajtja (shkuarja) e tyre, do të humbë rajoni verior e me të edhe i tërë Mali i Zi. Të rinjtë përmes “Eko kampit” të sivjetmë kanë vijuar punëtoritë dhe kanë përshkuar nëpër trevat vërtetë të bukura dhe atraktive të Bjeshkëve të Nëmuna. Shaban Hasangjekaj