“Zbulim unik – arkeologët përfundojnë gërmimet në ‘qytetin e panjohur’ ilir në Bushat të Shkodrës”

Shaban Hasangjekaj

“Një ndërtesë unike ku mund të ishin zhvilluar ceremoni te rëndësishme politike dhe fetare dhe një sistem muresh që daton nga periudha helenistike, janë zbulimet arkeologjike nga Qendra Kërkimore e Antikitetit të Evropës Juglindore në Universitetin e Varshavës, bërë në sezonet e gërmimeve, që përfunduan në korrik, në Bushat të Shkodrës”, thuhet në fillimin e tekstit të shënimit me titull “Zbulim unik – arkeologët përfundojnë gërmimet në qytetin e panjohur ilir në Bushat të Shkodrës”, i publikuar në faqet e portalit “Plava e Gucia sot”.
Prej vitit 2018, arkeologët kanë bërë kërkime mbi një “qytet të panjohur”, një zonë e gjerë pranë qytetit antik të Shkodrës, e rrethuar me mure ciklopike.
Në vazhdimin e tekstit të shënimit në fjalë shkruan se ndërtesa ishte rreth 2400 vjet e vjetër me “tre dhoma të bollshme dhe një korridor të gjatë” shprehen arkeologët. Fotot tregojnë konturin e strukturës së shkatërruar, megjithëse emri i “qytetit të panjohur” nuk është vendosur akoma, dihet se ka qenë një qendër e rëndësishme urbane. Kjo dëshmon nga muret mbrojtëse të zbuluara dhe dy portat e qytetit që ndoshta datojnë nga shekulli IV para Krishtit.
Në vazhdimin e mëtejmë të tekstit të shënimit, thuhet se rezultatet e gërmimeve të këtij viti konfirmojnë këtë hipotezë. Ata tregojnë gjithashtu se zona ka pasur edhe karakter fetar. Shumica e monumenteve përbëhen nga amfora (përfshirë ato korintike) dhe një numër mbresëlënës “skifos” – enë për pirjen e verës të madhësive dhe formave nga më të ndryshme.
“Natyra trepalëshe e mjedisit arkitekturor mund të sugjerojë se ne kemi zbuluar një ndërtesë unike. Në të mendohet se janë mbajtur ceremoni të rëndësishme politike dhe fetare”, thotë profesori Piotr Dyczek nga Qendra Kërkimore e Antikitetit të Evropës Juglindore në Universitetin e Varshavës. Ai identifikoi ndërtesën si një “prytaneion”, një strukturë e lashtë greke ku mblidheshin zyrtarët e qeverisë, ose një “hestiateron”, që është një nga strukturat publike në të cilën digjej një zjarr që nuk shuhej kurrë, ose siç njihet “zjarri i përjetshëm”.
Sipas studiueseve, thuhet në tekstin e shënimit në fjalë, zbulimi është i pazakontë dhe befasues, pasi mund të vërtetojë se “qyteti i panjohur” jo vetëm që ishte planifikuar dhe ndërtuar sipas modelit grek, por edhe se, të paktën në periudhën e tij të hershme, ai kishte strukturën politike dhe ogranizative të një qyteti grek. Vendbanimi, megjithatë, nuk ishte grek. “Qyteti ishte pjesë e ilirisë së lashtë”, thanë arkeologët. Ilirët kontrolluan pjesën më të madhe të Ballkanit të sotëm, derisa u pushtuan nga romakët e lashtë në vitin 168 para Krishtit, sipas Britanica.

Të fundit

më të lexuarat