Tivar – Në Qendrën Kulturore Islame në Tivar, të premten mbrëma (11 gusht 2023) është përuruar libri “Varrezat në Tivarin e Vjetër me mbishkrime arabo-osmane” i autorit Mr. Ali Bardhi.
Vlerësime për librin dhe punën e autorit në këtë përurim kanë dhënë kryeimami i Tivarit Muidin ef. Milaimi, kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, recensenti Sulo Mustafiq dhe udhëheqësi i përurimit Ismail ef. Hysaj.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Malin e Zi, Muidin ef. Milaimi, njëherazi kryeimam i Tivarit dhe drejtor i Qendrës Kulturore Islame në Tivar, ka treguar se Bashkësia Islame e Tivarit është përfshirë që prej fillimit në projektin e Bardhit për hulumtimin dhe studimin e varrezave në territorin e Komunës së Tivarit dhe e ka ndihmuar duke i vënë në dispozicion të gjitha gjërat e nevojshme për kryerjen e punëve në terren.
“Ne duhet të krenohemi në Mal të Zi që e kemi Ali Bardhin, njeriun i cili e njeh gjuhën osmane dhe i cili i identifikon, të them, këto gjëra të rëndësishme që pasqyrojnë historinë tonë dhe të cilat nga dita në ditë do të publikohen, që janë me rëndësi për kulturën dhe civilizimin e këtij qyteti, jo vetëm për myslimanët, por edhe të tjerët që e përbëjnë këtë qytet”, ka thënë ai.
Milaimi ka thënë se autori ka bërë një punë të madhe për Bashkësinë Islame, jo vetëm për atë të Tivarit por në përgjithësi për BI në Malin e Zi.
Ai shpreson se në të ardhmen puna e Bardhit për hulumtimin e varreve me mbishkrime arabo-osmane do të shtrihet edhe në varrezat tjera në territorin e Komunës së Tivarit, si në Ujëmirë (Dobra Voda), Mërkot etj.
Në emër të botuesit, kryetari i SHAI “Art Club” Ismet Kallaba ka thënë se autori ka bërë një punë të vyer dhe të mundimshme, duke qenë se kemi të bëjmë me një sipërmarrje të vështirë e cila kërkon punë ekipore me specialistë të disa fushave. Prandaj ai ka thënë se Bardhi ka bërë një punë që duhet ta kishin bërë institucionet shkencore.
Sipas tij, botimi i librit në dy gjuhë (de facto, në tri gjuhë, sepse mbishkrimet e gurvarreve krahas transkriptimit të tyre në origjinal, janë dhënë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe malazeze, gjegjësisht boshnjake) “përbën një vlerë të shtuar të këtij libri, sepse mundëson komunikimin me një lexues më të gjerë, ballafaqimin e fakteve dhe argumenteve me studiues të ndryshëm etj.”
Ai ka thënë se “nëpërmjet hulumtimit dhe studimit të varrezave dhe gurvarreve, në mënyrë të tërthortë na ofrohet një këndvështrim pak më ndryshe i historisë nga historiografia zyrtare, nga ajo që shpesh na është imponuar, apo e kemi pranuar si të mirëqenë”, duke konkluduar se “historia e Tivarit dhe e këtyre trevave në përgjithësi nuk fillon as me ne, as në vitin 1878, por ajo është shumë më e hershme”.
Për recensentin e librit, Sulo Mustafiq, studimi i Bardhit, i cili ka përfshirë pjesën më të madhe të epigrafikës islame në varrezat e Tivarit të Vjetër, “hedh dritë të re jo vetëm mbi historinë lokale, por edhe më gjerë, duke shpjeguar vazhdimësinë e saj përgjatë dominimit shumëshekullor të civilizimit osman dhe rrymave shpirtërore të cilat epigrafikën e këtushme, e bashkë me të edhe historinë dhe kulturën e vendosin në një kontekst shumë më të gjerë historik dhe civilizues”.
Ai ka thënë se nga këto mbishkrime ne deshifrojmë kronikën më shumë se dyshekullore të Tivarit të Vjetër dhe banorëve të tij si dhe “përcjellim rrjedhën e historisë nga viti 1696, kur daton mbishkrimi më i vjetër i lexuar (deshifruar), deri në fillim të shekullit të 20-të, më saktë viti 1918, kur daton epitafi i fundit osman në varrezën në Zalef.”
Mustafiq ka nënvizuar se derisa lexojmë këtë libër, para nesh shfaqet shkëlqimi i fiseve tivarase.
“Epitafet dëshmojnë për beglerë dhe agallarë, kadilerë dhe bajraktarë, asqerë, bylykbashë, bimbashë – ushtarë të guximshëm, oficerë të rendit të ulët dhe të lartë, madje edhe për pashallarë dhe silahdarë perandorakë, jetët e të cilëve kanë kaluar apo kanë përfunduar në Tivar dhe në mesin e tivarasve”, është shprehur ai.
Në fjalën e tij, autori Ali Bardhi ka thënë se burimet historike kanë dëshmuar vazhdimësinë e jetës në trevën e Komunës së Tivarit, nga parahistoria deri në ditët e sotme.
“Në studimet shkencore, ndër dëshmitë kryesore që argumentojnë jetën në një vend janë edhe varrezat, si pjesë e rëndësishme e kulturës materiale dhe shpirtërore. Studimi që keni në dorë ka objekt trajtimi varrezat me epitafe arabo-osmane brenda hapësirës së Tivarit të Vjetër, duke përfshirë edhe lagjet më të afërta, Zalefin dhe Tugjemilin. Deri më tani janë kryer hulumtime rreth disa epitafeve, si pllaka të xhamive, krojeve e deri te disa gurvarre, por pa i përfshirë të gjitha në hapësirën e Tivarit të Vjetër”, ka thënë ai.
Bardhi ka folur edhe për metodologjinë e punës në terren dhe mënyrën e paraqitjes së rezultateve të hulumtimit në libër.
“Që hulumtimi i varreve me mbishkrime arabo-osmane, në varrezat e cekura më lart, të jetë sa më i plotë, janë krijuar grupe pune në terren për grumbullimin e lëndës studimore, nga ku gurvarret u pastruan dhe u fotografuan, u trajtuan më pas së bashku me epitafet, të cilët pas leximit dhe transliterimit, në kapitullin e dytë janë paraqitur edhe në gjuhën shqipe dhe malazeze/boshnjake”, ka thënë ai, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për botimin e librit.
Udhëheqësi i përurimit Ismail ef. Hysaj e ka cilësuar librin e Ali Bardhit si një margaritar, të cilin e kanë pritur me vite, për të mos thënë me dekada.
“Ky punim, ky libër, është me siguri një vepër e madhe, pioniere, që do t’u shërbejë gjeneratave që do të vijnë pas nesh”, ka theksuar ai.
Gjatë përurimit Hysaj ka lexuar fragmente të disa mbishkrimeve të varrezave, që përmbajnë mesazhe përgjërimi dhe lutjeje.
Në fund të përurimit, kryetari i Mexhlisit të Bashkësisë Islame Tivar, Nexhib Ibrishimoviq, i ka ndarë autorit mirënjohje në shenjë falënderimi për punën dhe kontributin e tij.
Në përurim kanë marrë pjesë përfaqësues të BI në Mal të Zi, krerë të Mexhlisit të BI në Tivar, imamë, adhurues të librit dhe të kulturës nga Tivari dhe Ulqini etj.
Libri “Varrezat në Tivarin e Vjetër me mbishkrime arabo-osmane” është botim dygjuhësh: në gjuhën shqipe dhe malazeze/boshnjake. Ai është botuar nga SHAI “Art Club”, me mbështetjen kryesore të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Përpos këtij libri, Ali Bardhi është autor i librave “Varrezat në Anë të Malit – Ulqin” dhe “Varrezat në Ulqin – zona e brendshme e qytetit dhe rrethina e afërt”, si dhe bashkautor i librit “Varreza e Xhamisë së Nizamëve dhe Varreza e Vjetër e Tuzit”.
Përurimi i librit është organizuar nga Bashkësia Islame në Malin e Zi, gjegjësisht Mexhlisi i Bashkësisë Islame – Tivar.
i. k.
