Tuz – Në Komunën e Tuzit, përkatësisht në Dheun e Zi, pritet të ndërtohet një shkollë fillore për ndërtimin e së cilës truallin e ka blerë Komuna e Tuzit në vlerën prej 310 mijë eurosh të cilën ia ka dhuruar Ministrisë së Arsimit që ta ndërtojë këtë shkollë fillore.
Lajmin mbi ndërtimin e kësaj shkolle e bëri të ditur kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj i cili tha se një premtim shumëdekadësh për vendbanimin Dheu i Zi e që nuk është realizuar më parë, po bëhet realitet nga pushteti i partive shqiptare.
“Kujdesi për të gjithë komunitetin në komunën e Tuzit do të vazhdojë dhe kështu do të krijojmë kushte edhe më të mira për arsim në Komunën e Tuzit. Prej disa javësh ka filluar renovimi total i gjimnazit të Tuzit, kemi kopshtin e ri “Nënë Tereza”, kemi ndihmuar të gjitha shkollat në komunën tonë sipas kërkesave të tyre, duke investuar dhe përkrahur arsimin”, ka deklaruar kreu i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Ndërkaq nga Qeveria e Malit të Zi kanë njoftuar se Tuzi do ta fitojë shkollën fillore, ndërsa Podgorica gjimnazin e ri, një investim ky që, siç kanë njoftuar, vlera totale kap shumën e rreth 9.5 milionë euro.
t. u.