Botim i veçantë për opusin letrar dhe qasjen intelektuale të Skënder Drinit

Pavarësisht rrethanave shoqërore në Shqipëri në kohën e diktaturës, në gamën e gjerë të arteve e në veçanti në fushën e letërsisë, janë botuar vepra me peshë të cilat janë vlerësuar nga kritika e kohës. Ndonëse artet ishin nën trysninë e realizmit socialist që si moto kishin qasjen ideologjike, ka edhe përjashtime që autorë të ndryshëm kanë krijuar individualitetin e tyre krijues duke u veçuar me stilin e tyre dhe me mjeshtrinë gjuhësore dhe me qasjen intelektuale. Ndonëse të tillët kanë qenë të paktë, ata ishin një aset, duke mbetar si vlerë kombëtare në piemontin e letërsisë kombëtare shqiptare. Në saje të veprimtarisë së tij letrare në këtë kategori bën pjesë shkrimtari Skënder Drini i cili ishte individualitet i veçantë në letërsinë shqipe

(Sadedin Limani, Përtej heshtjes, Botoi: Fan Noli, Tiranë, 2014)

Nail Draga

Në lidhje mbi botimin e romanëve nga shkrimtarë të ndryshëm, kemi pasur rast të lexojmë vështrime apo opinione nga kritikë letrarë apo studiues të ndryshëm, por janë të rralla ato botime që trajtojnë në mënyrë analitike dhe studimore veprimtarinë e një shkrimtari, duke prezantuar një pjesë të veprimtarisë nga opusi i tij krijues. Diçka të tillë kemi rastin ta shohim në një botim i cili është i veçantë, kushtuar shkrimtarit Skënder Drini (1935-2014). Kemi të bëjmë me librin “Përtej heshtjes” të autorit Sadedin Limani, botuar në vitin 2014 nga SHB ”Fan Noli” në Tiranë.

Një botim analitik
Nisma që të botohet një vepër e tillë kushtuar disa veprave të shkrimtarit Drini nga S.Limani, paraqet moment të veçantë në botimet në shqip dhe dëshmi e pasionit për letërsinë. Kemi të bëjmë me një botim analitik, që është i rrallë në botimet në shqip, që veçohet për nga përmbajtja dhe qasja intelektuale për botën kulturore shqiptare. Një qasje e tillë hap dilema jo vetëm letrare, ku Limani paraqet pikëpamjet dhe vlerësimet për katër vepra të shkrimtarit Drini. Fjala është për katër romane: “Shëmbja e idhujve” (1975), “Vraje tradhtinë” (1978), “Midis dy kohëve” (1978) dhe “Tanush Martini” (1990).
Duke marrë parasysh se veprimtaria krijuese e Drinit është mjaft e gjerë, përcaktimi për këta katër romane është zgjidhje personale e autorit, që ka të bëjë me ngjarje të veçanta në historinë e popullit shqiptar.
Në këtë botim autori fillimisht jep të dhëna për jetën dhe veprën e Skënder Drinit, duke vazhduar me vështrimin e përgjithshëm për katër romanet, analizën dhe sfondin historik të tyre. Më pas trajton edhe çështje të tjera letrare, shoqërore e filozofike të cilat, sipas autorit, janë në favor të kuptimit të përceptimit letrar dhe vizionit intelektual të S. Drinit.
Duke lexuar këtë botim, del qartë se autori e ka njohur për së afërmi shkrimtarin Drini, jo vetëm si person fizik, por edhe si krijues e intelektual. Ai me origjinë ishte nga Struga, nga hapësira juglindore shqiptare pranë Liqenit të Ohrit, por është rritur, formuar e jetuar në Shkodër. Si i tillë ai nuk ka qenë i kufizuar në aspektin lokal por ishte person i veçantë për kohën kur ka jetuar e vepruar. Vetë jeta e tillë, duke sfiduar rrethanat familjare e ato shoqërore, si intelektual që ishte ai ka përceptuar qartë sistemin e kohës, duke jetuar në heshtje, ashtu si e ka titulluar këtë botim autori Limani.

Vetmia e jetuar
Unë e them pa hezitim se ai jetonte në vetmi duke krijuar botën e tij personale e intelektuale. Si i tillë Drini për qarqet letrare e kulturore jo rrallë nuk është kuptuar, apo refuzuar, sepse nuk ka qenë sipas shijes të klaneve të ndryshme letrare. Kemi të bëjmë me mosvlerësimin e virtyteve, përkatësisht të meritokracisë, dukuri e cila ishte e pranishme në monizëm por edhe tash në pluralizëm. Ai ishte nga ata disidentë që ka vazhduar të përjetojë disidencën e vet në të dy sistemet, si në monizëm ashtu edhe në pluralizëm.
Prezantimi i ngjarjeve në këto romane nuk janë fiksime të imagjinatës se shkrimtarit, por të realitetit të ngjarjeve në veriun shqiptar. Shkrimtari me mjeshtri përshkruan realitetin e kohës, si brenda shqiptarëve por edhe të tjerëve në raportet shoqërore të kohës.
Duke analizuar katër romanet e Drinit, në këtë botim Limani ofron të dhëna me interes për çështjet përkatëse. Në këtë aspekt ky është i veçantë sepse ai ka ofruar referenca nga botime të ndryshme, të cilat janë me interes për lexuesin. Ska si të jetë ndryshe, sepse një qasje e tillë analitike pasuron të dhënat të cilat Drini i ka pasur si temë te romaneve.
Të dhënat e prezantuara nga Limani janë plotësim i logjikshëm duke plotësuar qasjen e botës intelektuale të shkrimtarit Drini. Ndonëse në shikim të parë kemi të bëjmë për periudha të ndryshme kohore, çdo gjë reflekton për ngjarjet e kohës që janë pjesë e historisë sonë. Ishte mjeshtri e veçantë e shkrimtarit që ngjarjet e ndodhura në veriun shqiptar i ka shtjelluar në stilin e tij si rrallë kush deri më tash, duke dëshmuar se ai ka qenë njohës i ngjarjeve historike.
Në këtë aspekt ai ishte i priviligjuar, sepse duke jetuar e punuar në Shkodër ka pasur mundësi të informohet drejtpërdrejt, çështje të cilat kanë qenë preokupuese për popullin tonë.

Përfundim
Libri “Përtej heshtjes” i S. Limanit përnga përmbajtja dhe trajtimi i lëndës së shtjelluar, paraqet një analizë të veçantë letrare në literaturën në shqip. Madje e them pa hezitim se në shumë raste analiza e tillë është eseistike, që dëshmohet edhe me refencat e prezantuara. Nuk ka si të jetë ndryshe, sepse kemi të bëjmë me shkrimtarin Drini i cili dallohej me shkallën e lartë të të shprehurit estetik, artistik e filozofik që janë të rrallë, me vlerë të veçantë shoqërore.
Duke marrë parasysh përgatitjen profesionale të Limanit, leximi i këtij botimi zgjon kurreshtjen të çdo lexues, andaj si i tillë do të ketë edhe komente të ndryshme. Por, pasi të lexohet ky libër, lexuesi i pasionuar do të bindet se kemi të bëjmë me një botim të veçantë tek ne dhe si i tillë paraqet risi në literaturën në shqip.
Përfundimisht pas leximit të këtij botimi, që si trajtim ka jetën dhe veprën e Skënder Drinit, del qartë se kemi të bëjmë me një shkrimtar dhe intelektual i cili bën pjesë në plejaden e shkrimtarëve më të rëndësishëm në letërsinë shqipe.
Si e tillë veprimtaria e tij letrare do të mbetet e veçantë dhe model për gjeneratat e reja, sepse ai i ka sfiduar rrethanat e kohës me krijimtarinë e tij letrare. Ai nuk ishte konformist, por shkrimtar me individualitet krijues si rrallë kush në kohën e tij.
Pavarësisht se ai nuk u vlerësua sipas meritave letrare nga qarqet shoqërore të kohës, si në monizëm ashtu edhe në pluralizëm, ai ka mbetur model për kohën e tij dhe më pas. Ndërsa organizimi i kësaj tryeze kushtuar Drinit është dëshmi e konsideratës intelektuale dhe nderimit të veprës së tij letrare.

(Paraqitur në Tryezën shkencore “Skënder Drini, individualitet i spikatur në letërsinë shqipe”, organizuar nga Akademia Shkencave e Shqipërisë dhe Shoqata “Formimi Intelektual dhe Shkencor”, Tiranë, 3 korrik 2023)

Të fundit

më të lexuarat