Rezultate impresionuese në të gjitha sferat e veprimtarive të punës

Plavë – Të premten e kaluar, më 21 korrik 2023, në Plavë në mënyrë solemne është shënuar Dita e Komunës.
Pas fjalës përshëndetëse të moderatores së programit, Llejlla Srdanoviq, dhe intonimit të himnit të Malit të Zi, të ekzekutuar nga kori “O’DIVE BEL CANTO”, me seancën solemne ka filluar manifestimi i mbajtur në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, ku përpos këshilltarëve të Kuvendit të Komunës dhe një numri të konsiderueshëm të qytetarëve të kësaj komune dhe të bashkëvendësve nga diaspora, ishin të pranishëm edhe shumë personalitete të shquara e të njohura të jetës dhe punës shoqërore, politike, kulturore, artistike, shkencore, sportive dhe fetare nga Komuna e Plavës, por edhe nga komunat tjera të Malit të Zi.
Seancën solemne e hapi kryetari i Kuvendit të Komunës, Allen Balliq, i cili në fjalën përshëndetëse të rastit me admirim u shpreh: “Kam nder të veçantë që në emër të Kuvendit të Komunës së Plavës dhe në emrin tim personal t’u përshëndes dhe t’u dëshiroj mirëseardhje në seancën solemne me rastin e shënimit të Ditës së Komunës së Plavës. Në radhë të parë dua të theksoj se në periudhën prej seancës solemne paraprake e deri më sot, është realizuar plani dhe programi i punës së Kuvendit të Komunës së Plavës”, duke shtuar në vazhdim se “vendimet të cilat i kemi sjellur janë rezultat i punës së kujdesshme dhe të përkushtueshme të të gjithë anëtarëve të parlamentit lokal, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre politike, për çka u jam personalisht falënderues. Pikërisht, bashkëpunimi me të gjitha subjektet politike, është një ndër parimet themelore për realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta për përparim dhe avancim të komunës sonë”, u shpreh Balliq.
Kryetari i KK-së, Allen Balliq, në elaborimin e vet të mëtejmë konfirmoi se transparenca është edhe një parim kyçës të cilin synojnë ta mbajnë dhe përmirësojnë. Mendojnë se është transparente prurja e vendimeve të kuvendit e rëndësisë së madhe për sendërtimin e besimit në mes të qytetarëve dhe institucioneve, duke shtuar se në kuvend do të bëjnë përpjekje që vendimet të bihen haptazi, në harmoni me parimet ligjore dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Komunës së Plavës.
Në fund të elaborimit, kryetari i KK-së, Allen Balliq, të gjithë qytetarëve të Komunës së Plavës ua uroi Ditën e Komunës, mysafirëve u shprehi falënderime që me prezencën e tyre e kanë zmadhuar këtë ngjarje të rëndësishme dhe u ka dëshiruar qëndrim të këndshëm në Plavë.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën përshëndetëse, të pranishmëve në akademinë solemne, përpos asaj që është bërë në periudhën e kaluar, ka folur edhe për potencialet e zhvillimit, si dhe për nxitjet (provokimet) e caktuara me të cilat ballafaqohet vetë qeverisja lokale.
Ai në fjalën e rastit u shpreh: “Plava është jo vetëm vend ku jetojmë, por edhe shtëpi për shumë gjenerata të cilat kanë krijuar, punuar dhe ëndërruar. Çdo qoshe e komunës sonë mban rrëfime dhe kujtime të cilat kanë formësuar identitetin tonë. Sot kemi rast të kremtojmë gjithë ato që komunën tonë e bëjnë të veçantë dhe të përbashkët”. Ai në vazhdim të elaborimit të vet konciz dhe konstruktiv shtoi: “Derisa mendojmë për rrugëtimin historik të komunës sonë, përkujtohemi në forcën dhe qëndresën të cilat ngaherë na kanë definuar. Plava, trevë e bekuar me bukuri natyrore të cilat rrëmbejnë frymëmarrjen, që moti ka qenë vend diversiteti dhe harmonie. Ne jemi mozaik i historive, kulturave dhe traditave të gërshetuara bashkë, duke krijuar foton e begatë dhe të gjallë, e cila është unikale në Mal të Zi”.
Kryetari i Komunës, Nihad Canoviq, në vazhdim, në mënyrë koncize e kronologjike elaboroi me fjalë dhe shifra mbi veprimtarinë e punës së administratës lokale në periudhën e kaluar katërvjeçare.
“Gjatë viteve të kaluara jemi dëshmuar me ndryshime të këndshme dhe avancim në komunën tonë. Kemi ndërtuar dhe realizojmë projekte të reja infrastrukturore, ca prej të cilave i kemi paralajmëruar vitin e kaluar e që shumëkush me dyshim të madh ka folur mbi ato, e sot dëshmojmë realizimin e tyre. Në kuadër të fazës së parë të rikonstruktimit të rrugës kryesore të komunikacionit kemi ndërruar gypat e asbestit, përpunuar TK kanalizimet e reja në bashkëpunim me CEDIS-in, vendosur kabllon e re të tensionit të lartë e energjik, jemi në prag të përfundimit të rregullimit të trotuareve dhe të ndriçimit publik, ndërsa për një muaj dit na pret edhe rruga e re e trafikut, investimi për rreth 1,3 milion euro, të cilat bashkë me sheshin e ndërtuar plotësisht do të ndryshojnë pamjen e qytetit tonë. Punët në shtëpinë për të moshuar (pleq), me vlerë 2,8 milion euro, kanë filluar dinamikën e vet me çka fitojmë institucionin i cili do të japë perspektivë të re të zhvillimit të shërbimeve sociale në Plavë”.
Kryetari Canoviq theksoi se njëkohësisht është duke u punuar edhe në ndërtimin dhe rregullimin e rrugëve lokale, si në ato të qytetit, po ashtu edhe në trevat rurale, në pikat problematike të trafikut, në ndriçimin publik, rrjetin për ujitje, të gjitha në vlerë prej mbi 1 milion euro.
Në planin e infrastrukturës sportive janë bërë hapa të mëdhenj, thekson kryetari Canoviq. Federata e Futbollit e Malit të Zi duke njohur sukseset e KF “Jezero”, si dhe vullnetin dhe afshin e plavjanëve ndaj sportit, ka blerë tokën për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit, derisa së shpejti (për ca ditë) pritet fillimi i punëve në Racinën e famshme, e cila do të bëhet një qendër e stërvitjeve serioze, kurse punët në stadiumin e KF “Polimle” të Murinës kanë përfunduar.
Kryetari i komunës, Nihad Canoviq, përmes elaborimt konstruktiv, të pranishmit e akademisë solemne i ka njoftuar se janë duke vazhduar të tregojnë përkushtim në fushën e shërbimeve sociale dhe në avancimin e cilësisë së jetës, kanë ndarë të holla për të gjithë nxënësit laureatë të diplomës “Pishtari”, kanë siguruar bursa për studentët më të mirë, vegla shkollore për nxënës fillestarë, ndihmë në të holla për të porsalindurit, etj. Ai ndër të tjera ka theksuar se ditën e kremtes së komunës do ta shfrytëzojë për të përmendur diasporën e nderuar, ata të cilët edhe pse fizikisht nuk janë të pranishëm gjatë tërë vitit në vendlindje, dashurinë e vet ndaj atdheut e tregojnë në mënyra të ndryshme dhe janë faktor i rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të tij, kurse zemra dhe mendimet e tyre përherë janë për vendlindje. Roli i siasporës në zhvillimin e Plavës është i rëndësishëm dhe me vëmendje të posaçme duhet vënë në dukje.
Në elaborimin e vet kronologjik, kryetari Canoviq ka konfirmuar se avancimi i komunës nuk do të matet vetëm me rritje ekonomike ose zhvillim të infrastrukturës. Ai do të matet me mirëqenien dhe fatin e njerëzve të saj.
Në fund të elaborimit, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, ka theksuar se si kryetar në mandatin e dytë dëshiron të premtojë se edhe më tutje do të punojë me përkushtim dhe do t’i prezantojë interesimet e qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme. Bashkë me shërbimet e administratës lokale e institucionet publike, do të vazhdohet investimi në Komunën e Plavës, do të zhvillohen projekte të reja dhe do të avancohen kushtet e jetës për të gjithë qytetarët.
Të pranishmit e akademisë solemne për shënimin e Ditës së Komunës, me programet e veta i kanë argëtuar: Grupi muzikor “Perper”, nxënësit e paraleles së ndarë fizike të Shkollës së muzikës në sektorin e harmonikës dhe violinës, si dhe SHKA “Plavsko Jezero” me përformime të begata të këngëve dhe valleve autoktone burimore.
Për Ditën e Komunës së Plavës, mesazhe urimi kryetarit të komunës, Nihad Canoviq, kryetarit të Kuvendit të Komunës, Allen Balliq, këshilltarëve të KK-së dhe qytetarëve, u kanë dërguar presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi në mandatin teknik, Danijella Gjuroviq, kryetari i Qeverisë së Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, ca ministra të Qeverisë së Malit të Zi, kryetarë të komunave dhe kuvendeve të komunave, përfaqësues të ambasadave, shërbimeve diplomatike e konsulare si dhe të institucioneve publike e private dhe personalitete të jetës shoqërore, politike, kulturore, artistike, shkencore, sportive e fetare nga Komuna e Plavës dhe Mali i Zi.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat