Kritika për gjyqësorin e viteve ’80 dhe ’90 në Kosovë

Boshtin e temës së librit e përbëjnë vitet 1981-1999, konkretisht prej demonstratave të vitit 1981 e deri te lufta e Kosovës, periudhë të cilën autori e konsideron kohë të vështirë. Ai është shprehur tepër kritik ndaj veprimit të gjyqësorit të Kosovës në këtë periudhë

Ulqin – Në prani të një numri të vogël të publikut, të shtunën (15 korrik 2023) në Librarinë “Ulqini” është bërë paraqitja e librit “Gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira” të autorit Hasan Hoti.
Në këtë libër autori shpalos përvojën e tij 50-vjeçare në fushën e jurisprudencës, ku ka punuar fillimisht si zëvendës-prokuror për një vit, menjëherë pas përfundimit të studimeve në vitin 1972, ndërsa më pas si gjykatës dhe avokat.
Boshtin e temës së librit e përbëjnë vitet 1981-1999, konkretisht prej demonstratave të vitit 1981 e deri te lufta e Kosovës, periudhë të cilën autori e konsideron kohë të vështirë.
“Prej këtyre viteve unë kam qenë gjyqtar 12 vjet të plota. Unë e kam të drejtën e pakufizuar të flas, të jem kritik, madje shumë kritik, për gjyqësorin tonë gjatë kohës derisa unë kam qenë gjyqtar”, ka thënë Hoti.

Në libër janë paraqitur 35 raste, në të cilat flitet diku më shkurt e diku më detajisht për çështje gjyqësore që u përkasin fushave të ndryshme. Në mesin e tyre është procesi gjyqësor ndaj Azem Vllasit, të cilit autori si avokat i të akuzuarit ia kushton rreth 60 faqe të librit


Ai është shprehur tepër kritik ndaj veprimit të gjyqësorit të Kosovës në këtë periudhë.
“Ne i kemi marrë dhe i kemi gjykuar, i kemi mbytur me dënime, nuk e dimë se për çka i kemi dënuar, duke menduar se po e mbajmë qetësinë të cilën Serbia e ka organizuar me një ligj të posaçëm – Ligjin mbi rrethanat e posaçme, pas vitit 1981, i cili ka mbetur në fuqi deri në vitin 1999, kur ka ndodhur lufta në Kosovë”, ka thënë Hoti, duke shtuar se gjykatësit dhe prokurorët kanë shkuar aq larg saqë kanë qenë madje të bindur se duhet ta mbajnë me çdo kusht qetësinë, të cilën ai e ka quajtur “qetësi e rrejshme”.
Në libër janë paraqitur 35 raste, në të cilat flitet diku më shkurt e diku më detajisht për çështje gjyqësore që u përkasin fushave të ndryshme. Në mesin e tyre, është procesi gjyqësor ndaj Azem Vllasit, të cilit autori si avokat i të akuzuarit ia kushton rreth 60 faqe të librit. Ai ka treguar se në këtë proces gjyqësor është përfshirë pasi që më herët brenda pesë ditësh kishin hequr dora nga mbrojtja e të akuzuarit dy avokatë.
Duke folur për figurën e Azem Vllasit, ai ka thënë se edhe në atë kohë, edhe sot mendon se Vllasi ka qenë shqiptari i vetëm në Kosovë i cili ka qenë pengesë për Millosheviqin, pasi që ka qenë një tip tjetër për dallim nga garnitura e vjetër e politikanëve të Kosovës dhe të gjithë të tjerët, të cilët nuk kanë paraqitur problem për Millosheviqin.
“Vllasi ka qenë njeri i shkolluar, karizmatik, njeri i guximshëm për shumë sende dhe ka luftuar me Millosheviqin derisa e ka shkarkuar. Por për Millosheviqin nuk ka qenë e maftueshme vetëm shkarkimi i tij, apo edhe shkarkimi i bashkëpunëtorëve të tij, siç ishte Kaqusha Jashari etj., por është dashur me e çuar në burg. Por nuk ka qenë e mjaftueshme as dërgimi në burg, derisa nuk i ka kryer të gjitha punët”, ka thënë Hoti, duke nënvizuar se përkundër punës së mirë të avokatëve, lirimi i Azem Vllasit nuk ka qenë rezultat i tyre, por i faktit se Millosheviqi ka kryer çfarë ka dashur në Kosovë dhe dikur ka ardhur koha që Vllasi të dilte nga burgu.
Autori ka thënë se pas leximit të librit nga lexuesit kompetentë që i përkasin fushës së drejtësisë, mirëpret mendimet dhe kritikat e tyre.
“Pas leximit, sidomos nga njerëzit e lëmisë sime, të profesionit tim, pres me më kundërshtuar shumë sende në pjesën ku unë tentoj të jap mesazhe dhe porosi, edhe për gjeneratën e vjetër, kur unë kam qenë gjyqtar, edhe me dhënë porosi për gjeneratën e ardhshme që nuk e dinë se si kanë shkuar punët fare në atë kohë”, ka theksuar Hoti.
Përurimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me Librarinë “Ulqini”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat